E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biden: Pavarësia e Kosovës e pakthyeshme

Sarajevë -Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se ka rëndësi kritike për stabilitetin e rajonit. Biden e bërë këtë deklaratë në fjalimin që e mbajti në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës, ku e filloi turneun treditor në Ballkan.

“Kosova, së fundi, e festoi njëvjetorin e pavarësisë dhe vazhdon të bëjë përparim si demokraci shumetnike. Pavarësia, edhe pse e re, është e pakthyeshme dhe ka rëndësi kritike për stabilitetin dhe përparimin e rajonit”, tha nënpresidenti amerikan.

Ai gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara duan që të ndërtojnë marrëdhënie të reja me Serbinë. “Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënie të reja e të shëndosha me Serbinë. Nuk është sekret për askënd se unë personalisht si senator, kam qenë shumë kritik në këto vitet e fundit. Por, ne duam të ndërtojmë raporte të reja pozitive me Serbinë”, tha Biden.

“Ne nuk presim që Serbia, së shpejti të njohë Kosovën. Por, presim që Beogradi të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe aktorët tjerë kyçë ndërkombëtarë në Kosovë, dhe të shohë për zgjidhje pragmatike, që do të përmirësonin jetët e njerëzve atje, të shqiptarëve dhe të serbëve, dhe të mos i bëjë viktima të mospajtimeve politike”.

Të mërkurën, nënpresidenti amerikan, Biden, viziton Serbinë, ndërsa të enjten Kosovën. /REL/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›