E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie River Plate dhuna ne stadium shkakton 68 te plagosur

Skuadra më e njohur e futbollit argjentinas, River Plate ka rënë në Divizionin e Dytë për herë të parë në histori, ndërsa irritimi i tifozëve për këtë dështim është mbyllur me një bilanc të vërtetë lufte. Ekipi që ka fituar 33 tituj kampion në Argjentinë nuk arriti të siguronte qëndrimin në Divizionin e Parë pas dy ndeshjeve të play-off kundër skuadrës së kategorisë inferiore Belgrano. Kjo e fundit fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 2-1, ndërsa në sfidën e kthimit të zhvilluar në “Monumental” të Buenos Aires ndaloi vendasit në barazimin 1-1.

River Plate e njohur në Argjentinë me emrin “Millionarios” për shkak të potencës së saj financiare dhe rekordeve të arritura jo vetëm në vend, por edhe në futbollin e Amerikës së Jugut, ka pësuar dështimin më të madh që nga krijimi i klubit, duke rënë për herë të parë në Divisionin e Dytë. Ky zhgënjim nuk është pritur mirë nga tifozët, që përpara ndeshjes kishin kërcënuar me jetë futbollistët e tyre në rast se nuk do të siguronin qëndrimin.

Pa mbaruar sfida, kur rezultati ishte në barazim 1-1, tifozët nisën të hedhin sende të forta, madje disa prej tyre kaluan edhe rrjetat e sigurisë për të hyrë në fushën e lojës. Tensioni detyroi arbitrin të ndërpristë ndeshjen pa u plotësuar 90 minutëshi i rregullt, ndërsa dhuna ka vijuar edhe jashtë stadiumit. Mijëra tifozë të River Plate janë përpleshur me kundërshtarët e tyre, ndërsa pas ndërhyrjes së policisë, shënjestra e irritimit të tyre kanë qenë forcat e rendit. Dhuna ka vijuar për disa orë në rrugët pranë stadiumit dhe për pasojë 68 persona kanë mbetur të plagosur, duke e kthyer nje ndeshje futbolli në një betejë të vërtetë.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›