E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie Skënderbeu, dështon në Hungari

Debreceni - Skënderbeu 3-0

Mbetet thjesht një ëndërr kalimi në turin e tretë. Skënderbeu zhgënjen në Hungari duke u eliminuar nga turi i dytë paraeliminator i Ligës së Kampioneve. Korçarët kanë pësuar tre gola në një ndeshje ku kanë dhënë shumë pak në krahasim me sfidën e parë të luajtur në shtëpi. Me avantazhin e një goli (pas fitores 1-0 në Korçë), por edhe me një moral shumë më të lartë se kundërshtari, kampionët shqiptarë nuk ditën të shfrytëzonin asgjë, por thjesht u dorëzuan turpshëm në stadiumin “Nyreghaza”. Ndodhi ajo që rëndom u ndodh skuadrave shqiptare në Europë. Edhe pse me një kundërshtar të një niveli thuajse të barabartë, dje Skënderbeu nuk arriti ta çonte minimalisht ndeshjen në shtesë. Me një mbrojtje katastrofë, me një mesfushë që nuk bënte dot dy pasime bashkë dhe me një sulm inekzistent, bardhekuqtë kurrsesi nuk mund të bënin më shumë. As lëvizjet e Levit nuk sollën ndryshime, në një kohë që me kalimin e minutave çdo gjë sikur thjeshtësohej për Debrecenin, që në fakt kishte edhe presionin me vete, pasi një gol i korçarëve mund të ishte “vrasës”.
Pjesa e parë – Edhe pse pritej të bëheshin ndryshime në formacion, Levi u besoi 11 lojtarëve që fituan më 17 korrik në Korçë. Ashtu siç pritej, Debreceni e nis ndeshjen në sulm, duke kërkuar të zhbllokojë sa më shpejt rezultatin. Që në minutën e dytë Shehi bën mrekullinë, por kjo nuk mjafton. Nuk kalojnë as 13 minuta dhe një gabim trashanik në mbulim i kroatit Radas sjell golin e avantazhit për hungarezët. Protagonist bëhet sulmuesi Kulibali, që brenda zone nuk e ka të vështirë të shënojë. Bardhekuqtë mundohen të qarkullojnë topin, por Debreceni është shumë agresiv dhe i afrohet golit të dytë. Me kalimin e minutave Skënderbeu arrin të fitojë terren. Muzaka dhe Allmuça kërkojnë të befasojnë Novakoviçin me gjuajtjet nga distanca. 15 minutat e fundit të pjesës së parë janë më të mira për ekipin e Levit, por gjithsesi, goli dukej larg. Edhe një “predhë” e Muzakës gjen në pozicion Novakoviçin. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Debrecenin.
Pjesa e dytë – Skuadrat rinisin lojën me të njëjtat formacione. Orelesi jep shkëndijën e parë teksa godet fluturimthi, por pret portieri. Loja është thuajse e barabartë, edhe pse Debreceni bën më shumë presing. Te Skënderbeu mungonte freskia fizike e ndeshjes së parë. Vucaj, një nga më të mirët në fushë në fitoren 1-0, dje bëri shumë pak. Me hungarezët që ushtronin presion të vazhdueshëm, fantazisti kishte pak hapësira në një kohë sulmuesit Plaku dhe Xhafaj dukeshin të shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës. Debreceni godet duke shënuar golin e dytë. Hungarezët kapin në befasi Skënderbeun, duke nxjerrë jashtë loje të dy krahët e mbrojtjes që mbuloheshin nga Fagu dhe Arapi. Me 2-0 në favor Debreceni është më i qetë. Levi fut Kërçikun dhe nxjerr Allmuçën. Nga i riu tiranas pritej që t’i jepte freski lojës nga krahët, por ai e preku shumë pak herë topin. Në minutën e 82-të Plaku ka një shans të artë për të shënuar, por nuk arrin të koordinohet mirë brenda zonës, duke goditur keqas me kokë. Korçarët bëjnë përpjekje të dëshpëruara, derisa francezi Kulibali mbyll ndeshjen me një gol të “dhuruar”. Këtë herë qendra e mbrojtjes ishte ajo që u ça shumë lehtë te Skënderbeu.

Debreceni    3
Skënderbeu    0
Golat:
Kulibali 13′, 87′, Varga 58′
Debreceni: Novakoviç, Simak, Nikolov, Mesaroz, Korhut, Ramos (Mate 89′), Bodi (Lukas 82′), Varga, Sakali, Mbengono (Rezes 74′), Kulibali. Trajner: Elemer Kondas
Skënderbeu: Shehi, Fagu (Kuli 85′), Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Muzaka, Orelesi, Vucaj (Bicaj 89′), Allmuça (Kërçiku 66′), Plaku, Xhafaj. Trajner: Stanislav Levi
Gjyqtarë: Kristo Tohver, Hanes Reinvald, Sten Klasen (Estoni)
Kartonë të verdhë: Ramos 38′, Varga 68′, Korhut 73′/ Vucaj 51′, Radas 64′, Bicaj 89′

Levi e ka me sulmin: Duhej një gol
Stanislav Levi guxoi në Hungari, por ajo rezultoi një lëvizje fatale. Skënderbeu i tij zbriti sërish me dy sulmues në fushën e lojës, por jo vetëm që nuk shfaqi të njëjtën rrezikshmëri si në ndeshjen e parë, por pati probleme të theksuara taktike. “Ne kishim besim të madh te kualifikimi. Kishim fituar ndeshjen e parë dhe për këtë arsye i kishim të gjitha mundësitë për të shpresuar te kalimi në raundin tjetër. Pësuam një gol të shpejtë, dhe ajo ndikoi në lojën tonë. Ishte e rëndësishme që të mos pësonim që në 20 minutat e para, por nuk rezistuam dot. U munduam me të gjitha forcat që të mos pësonim një gol tjetër, por Debreceni arriti të dyfishojë rezultatin”, deklaroi Stanislav Levi pas ndeshjes. “Ne duhet të shënonim një gol, i cili do na afronte ndjeshëm me kualifikimin”, përfundoi Stanislav Levi.

Kondas: Fituam prej presingut
Elemer Kondas nuk i kursen lëvdatat për lojtarët e tij pas triumfit 3-0 në shtëpi dhe zbulon se cila ishte arsyeja që bën diferencën kundër Skënderbeut. “Pas ndeshjes së dobët që zhvilluam në Shqipëri, ishte e rëndësishme që të ishim të fortë psikologjikisht. Duhet të ushtronim presing që nga minuta e parë, dhe ne ashtu e bëmë. Fakti që dominuam dhe rrezikuam që në fillim bëri që kundërshtari të trembet dhe të mbrohet. Ishte një fitore shumë e bukur para tifozëve tanë”, u shpreh Kondas. “Skënderbeu u mundua të shënojë dhe kam qenë në ankth gjatë gjithë ndeshjes. Ka qenë goli i tretë ai që më çliroi. Treguam forcën tonë të vërtetë. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për raundin tjetër dhe që të përmirësojmë paraqitjen tonë në ndeshjet jashtë fushe”, deklaroi Kondas.

Luksemburgu
Nëse pas dështimeve të tilla shqiptarët janë mësuar të thonë se kaq mundësi kemi dhe kaq bëjmë, kjo bie poshtë kur sheh se si Dundelanzhi i Luksemburgut eliminoi Salzburgun e Austrisë. Dundelanzhi humbi 4-3, por kishte fituar në ndeshjen e parë 1-0 (aq sa edhe Skënderbeu) dhe u kualifikua për numrin e golave të shënuar në transfertë. Nëse një skuadër që vjen nga një vend me futboll modest arrin të bëjë hapin e madh, do të thotë se ekipet shqiptare kanë më shumë mundësi për të bërë diçka më mirë se sa kaq.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›