E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie drafti "antimafie", qeveria nis hartimin nga e para

Shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut ka detyruar ekzekutivin që të tërheqë projektligjin dhe të nisë rihartimin


Një grup pune miks Parlament-qeveri-misione të huaja po punojnë në Kuvend për një draft të ri


Projektligji që synon të parandalojë dhe të godasë krimin e organizuar, ose siç njihet ndryshe projektligji "antimafie", në thelb të të cilit është vendosur metoda e sekuestrimit të çdo lloj forme pasurie, që nuk arihet të justifikohet, do të hartohet nga e para.


Qeveria nën presionin e misioneve të huaja që e asistojnë në hartimin e legjislacionit në fushën e rendit dhe të drejtësisë, por edhe partnerëve ndërkombëtarë, ka vendosur të bëjë një hap pas dhe të rishohë edhe një herë dispozita të veçanta të këtij projektligji. Shkak duket se janë bërë, pikërisht, disa nene të këtij drafti, të cilat në përpjekje për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar, kanë kaluar përtej çdo limiti ligjor, duke cenuar edhe liritë dhe të drejtat e njeriut.


Rishqyrtimi


Për këtë qëllim prej disa ditësh një grup pune miks, Parlament-qeveri- misione të huaja, ka nisur në ambientet e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, shqyrtimin nga e para të projektligjit "Për disa ndryshime në ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar".


Në grupin e punës që po merret me këtë proces, përveç specialistëve të huaj që përfaqësojnë këto misione, për palën shqiptare bëjnë pjesë kryetari i Komisionit të Sigurisë Leonard Demi, anëtari i komisionit të Ligjeve Viktor Gumi dhe drejtoresha e Zyrës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Marsida Xhaferllari.


Pavarësisht se diskutimet që kanë vazhduar për disa ditë janë zhvilluar larg vëmendjes së medias, burime pranë kësaj tryeze kanë konfirmuar se pasi janë konstatuar se drafti i qeverisë ka probleme thelbësore me të drejtat e njeriut, thuajse në shumicën e pikave ku dhe ishte parashikuar përshkallëzimi i masave parandaluese të organeve shtetërore në parandalimin e veprimeve kriminale, ka vendosur që të heqë dorë nga korrigjimet për të nisur shkrimin e projektligjit nga e para.


Megjithatë, burimet kanë qenë shumë të rezervuara dhe nuk kanë bërë të ditura pikat më të kontestuara të këtij drafti nga ana e misioneve të huaja. Por, nisur nga përmbajtja e projektligjit nuk është shumë e vështirë të evidentosh pikat që cenojnë liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe parimet e përgjithshme të ligjit themeltar të shtetit.


Ndërkohë që një argument i fortë që duket se ka detyruar propozuesit e këtij drafti që të tërhiqen është edhe vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë të datës 25.01.2007, sipas të cilit ndalohet sekuestrimi dhe konfiskimi i të gjitha aseteve, fondeve apo pasurive të tjera, të blera ose fituara nga personat e dënuar para se ndaj tyre të hapej çështja penale.


Pikërisht, rishikimi i draftit nga e para është edhe arsyeja e vërtetë pse ai nuk u diskutua nga komisionet parlamentare, pavarësisht se ai ishte përcaktuar në kalendarin e punimeve për t'u shqyrtuar javës që sapo u mbyll. Megjithatë, rrethanat që kanë sjellë në këtë vendim janë disi të paqarta sepse në relacionin shoqërues të projektligjit bëhet e ditur se ai u hartua në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse që do të merren me zbatimin e tij, por edhe me asistencën e misioneve të huaja.


Projektligji


Projektligji i paraqitur nga qeveria dhe që po rihartohet në Komisionin e Sigurisë, përcakton procedurat, kompetencat dhe kriteret për zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë së personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar. Por ndryshe nga sa zbatohej më parë dhe ndryshe nga sa parashikon vendimi i Gjykatës së Lartë, drafti i propozuar nga ekzekutivi parashikon se masa parandaluese, pra sekuestrimi apo konfiskimi vendoset nga Gjykata në një procedim gjyqësor ndaj pasurisë së një personi edhe kur ndaj tij nuk ka filluar ende procedimi penal.


Pra në të përcaktohej se në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë, ligji do të kishte efekte prapavepruese, pavarësisht kohës së përfshirjes së personit në aktivitete të paligjshme. Gjithashtu, dispozitat e këtij projektligji parashikoheshin të zbatoheshin për pasuritë e personave mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm për pjesëmarrje në organizata kriminale, por edhe për rastet kur ai aplikon një standard jetese të pajustifikuar (standard i pajustifikuar jetese në këtë projektligji cilësohet niveli ekonomik i një personi, i cili zotëron pasuri apo të ardhura që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve dhe veprimtarive të ligjshme).


E thënë më thjesht në rast se do të zbatohej një ligj i tillë, atëher organet e policisë dhe drejtësisë do të kishin mundësi që të sekuestronin pasurinë e çdo personi, qofshin këto prona të paluajtshme, shtëpi, vila, toka, apo edhe makina dhe deri tek orenditë shtëpiake, pavarësisht nëse mbi të nuk ekzistonin fakte për pjesëmarrje në organizata apo aktivitete kriminale. Pra, çdo gjë do të merrte shtytje vetëm në bazë të dyshimeve dhe jo të fakteve.


Prokurorët kundër, drafti lë vend për abritraritet

Drafti i qeverisë për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar ka gjetur kundërshtimin e prokurorëve, të cilët evidentojnë një sërë problemesh që cenojnë legjislacionin kushtetues dhe vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë të vitit 2007.

Përfaqësues të organit të akuzës, që për shkak të detyrës nuk kanë dashur të evidentohen, bëjnë të ditur se problemet në draft-ligj lidhen kryesisht me zgjerimin që u bëhet rasteve të aplikimit të tij. Kështu, ata theksojnë se ndërsa vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili nuk i jepte fuqi prapavepruese ligjit ekzistues, mund të rregullohej vetëm me një frazë, drafti që u paraqit nga qeveria në Kuvend dhe që po rishihet ka kaluar çdo parashikim.


Ata evidentojnë se në të i jepet e drejta policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, të verifikojnë, hetojnë, sekuestrojnë e kontrollojnë pasurinë e çdo qytetari në vend, me argumentin e vetëm se ka një standard jetese tej mundësive të tij.


Jo vetëm kaq, por prokurorët shprehen se ky projektligj synon të aplikohet edhe për persona që dyshohet se mund të jenë pjesë e krimit të organizuar, por ndaj të cilëve nuk ka asnjë hetim të nisur. "Në asnjë vend të botës, - shprehen ata- nuk ka një organ shtetëror që heton këdo në shtetin e tij se si i ka vënë paratë apo ku i ka gjetur veshjet e shtrenjta.


Është e drejtë ligjore që kjo të ndodhë në kuadrin e një hetimi mbi krimin e organizuar, i cili kërkon mjete repressive për t'u luftuar". Sipas tyre, me këtë ligj, i lihet shteg arbitraritetit të çdo nëpunësi që të hetojë këdo dhe kurdo dhe nuk ka rëndësi nëse ka dyshime apo hetohesh për ndonjë krim.


Prokurorët e konsiderojnë si rast unik në botë parashikimin që organi i akuzës të hetojë pasuritë e qytetarëve, rregullim ky që ata pretendojnë se bie ndesh me Kushtetutën pasi është jashtë detyrave që ajo i ngarkon Prokurorisë, e cila angazhohet vetëm në rastet e ndjekjeve penale.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›