E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie numri i azilkërkuesve nga Kosova në Zvicër

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, gjatë vizitës zyrtare në Bern të Zvicrës, është takuar me ministren Federale të Departamentit për Drejtësi dhe Polici të Bernit, Simonetta Sommaruga, njofton kjo ministri përmes një komunikate për medie.

Biseda midis tyre u përqendrua kryesisht rreth bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të migracionit, në veçanti rreth çështjeve të azilit, si dhe perspektivat e bashkëpunimit dhe projektet e përbashkëta në fushën e migracionit.

Qeveria zvicerane mbështet përpjekjet e Kosovës për t’i përmbushur kërkesat për heqjen e vizave Schengen, si dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga ky proces, duke marrë shembuj nga shtetet e rajonit.

Nga muaji prill i këtij viti, Zyra për migracion do të zbatojë një procedurë të përshpejtuar për azilkërkuesit kosovarë. Kjo procedurë është duke u zbatuar nga muaji gusht 2012, për azilkërkuesit të disa shteteve tjera të Ballkanit perëndimor, të cilët përfitojnë nga liberalizimi i regjimit të vizave. Trajtimi i përshpejtuar i procedurave të azilkërkuesve ka bërë që numri i tyre të reduktohet.

Në vitin 2010, Zvicra dhe Kosova kanë nënshkruar një partneritet për migrim dhe Marrëveshje për riatdhesim. Bashkëpunimi në fushën e migrimit përfshinë në veçanti masat kundër migracioneve të parregullta, si për shembull fushatat informuese, projekte për ri-integrim, dhe masa për integrimin e diasporës kosovare në Zvicër.

Gjithashtu, bashkëpunimi në mes të dyja vendeve është i ngushtë në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar. Një atashe policor zviceran është i stacionuar në Prishtinë nga viti 2010.

Me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit në mes të dy shteteve, pritet të nënshkruhet një marrëveshje bilaterale për bashkëpunim policor.

Kjo marrëveshje do të mundësojë shkëmbimin e informatave dhe të të dhënave relative të personave me qëllim të analizave, vëzhgimin ndërkufitar dhe monitorimin e dërgesave, si dhe aktivitete hetuese të përbashkëta, përfundon komunikata./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›