Obama dhe Putini, mospajtime për Sirinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, janë takuar në margjina të samitit të G8-ës, në Irlandën Veriore.
Në krye të agjendës së bisedimeve, ka qenë kriza në Siri. Putini ka thënë se dy vendet kanë mospajtime rreth mënyrës se si t’i jepet fund gjakderdhjes, por duan që ajo të përfundojë sa më shpejt. Obama i ka bërë jehonë këtij mesazhi, duke shtuar se Washingtoni dhe Moska duan të sigurohen se në Siri nuk përdoren armë kimike. Obama ka thënë se së bashku me homologun e tij rus, i kanë udhëzuar ekipet e tyre të punojnë për një konferencë të paqes për Sirinë, e cila pritet të mbahet në Gjenevë./Indeksonline/