E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie veremi

Dita botërore e tuberkulozit kujtohet çdo 24 mars, por në Kosovë, për shkak të përvjetorit të bombardimeve të NATO-s, u shënua një ditë më herët. Mjekët vlerësuan se në vend ka rënë numri i personave të prekur nga kjo sëmundje, e cila në popull njihet si verem. Në QKUK trajtohen 25 persona. Nga Lirita Halili më 24 mars 2011 në ora 11:00

Ai kurrë nuk kishte besuar që do ta presë këtë pranverë shëndosh e mirë. Madje atë kohë, G.M nga Prishtina nuk kishte besuar se do të jetë gjallë. Por falë trajtimit të shpejtë mjekësor, tashmë ka harruar që ka vuajtur ndonjëherë nga sëmundja e tuberkulozit. Vitin e kaluar, ky qytetar nga Prishtina ka qëndruar plot tre muaj në Spitalin e mushkërive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për shkak se i ishte paraqitur tuberkulozi. “Por kam qenë intensivisht nën mbikëqyrjen e mjekëve, derisa u bëra mirë. Sot nuk kam më asnjë problem sa u përket mushkërive”, thotë ai për Express.

E derisa mushkëritë e tij marrin frymë lirshëm, të enjten e gjithë bota shënon ditën e sëmundjes, nga e cila kishte vuajtur G.M nga Prishtina. Dita botërore e tuberkulozit (TBC) shënohet çdo vit më 24 mars. Njëjtë si në mbarë botën, kjo ditë shënohet edhe në Kosovë. Por pak më ndryshe. Për shkak se më 24 mars është përvjetori i 12’të i bombardimit të NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, atëherë një ditë më herët, të mërkurën, në Prishtinë u mbajt një simpozium kushtuar sëmundjes së tuberkulozit. Aty u tha se edhe përkundër rënies së incidencës dhe prevalencës me tuberkuloz, ende mbetet shqetësuese rritja e numrit të rasteve me këtë sëmundje.

Pulmologu Behgjet Osmani thotë se Kosova ka shënuar rënie të rasteve me tuberkulozë deri mbi 50 për qind. “Ne kemi arritur që tuberkulozi, i cili ishte shumë i pranishëm pas luftës te ne, në një inicidencë rreth 90 në 100 mijë banorë, në vitin e kaluar kemi incidencën rreth 40 në 100 mijë banorë, do të thotë se kemi një zvogëlim të rasteve me tuberkuloz, diku mbi 50 për qind”, ka thënë Osmani.

“Por sigurisht që kjo nuk guxon të na kënaqë, ne do të punojmë edhe më tutje më shumë”, u shpreh ai.

E, njëjtë sikurse pulmologu Osmani, edhe Rukije Mehmeti, menaxhere kombëtare për tuberkuloz, thotë se krahasuar në vitet e pasluftës, numri i të prekurve me tuberkuloz është në rënie. “Mund të them se numri me tuberkuloz është në rënie krahasuar me vitet e pasluftës, për këtë vit janë shënuar 920 raste të tuberkulozit, ndërsa pas luftës kemi pasur mbi 1700 raste që do të thotë se është në rënie graduale dhe kjo është një shenjë e mirë që TBC’ja po bie”, ka thënë Mehmeti.

Ndërkaq, Gazmend Zhuri, drejtor i Klinikës së mushkërive në QKUK, thotë se personat e prekur nga kjo sëmundje, nuk duhet të kenë turp se e kanë tuberkulozin.
“TBC’ja tash është sëmundje shëruese, prandaj kushdo që dyshon duhet të vizitohet te mjeku. Mjekimi zakonisht zgjat 6 muaj, por personat me TBC nuk mbahen aq gjatë në spital”, ka thënë Zhuri për Express.

Sipas tij, moshat e reja dhe ato të vjetra janë ato që preken më shumë nga TBC-ja. “Janë moshat e reja prej 15 deri në 45 vjet si dhe moshat e vjetra mbi 65 vjet ato që janë më të rrezikuara nga tuberkulozi. Kurse ndodh që personat e prekur nga kjo sëmundje të vdesin, por jo edhe shumë. Zakonisht deri te vdekja vijnë pleqtë”, u shpreh Zhuri. “Kurse për momentin, në klinikë kemi vetëm 25 persona me tuberkuloz”, sqaron ai.

Tuberkulozi është një nga sëmundjet më infektuese në vendet në zhvillim, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka për qëllim çrrënjosjen e saj deri në vitin 2015. TBC-ja prek çdo vit rreth 10 milionë njerëz, ndërsa 2 milionë njerëz vdesin në vit.

Të rrezikuarit më shumë nga TBC-ja:
Personat që banojnë dhe kanë kontakt të afërt me të sëmurë me TB
Fëmijët që kanë kontakt me të sëmurët me TB
Personat që vuajnë nga sëmundje si diabet, ulcerë stomaku dhe disa sëmundje të tjera kronike, të cilat ulin rezistencën e organizmit të njeriut ndaj mikrobit të TB-së
Alkoolistët dhe duhanpirësit
Kushdo mund të sëmuret nga TB-ja, sepse mikrobi merret kryesisht nëpërmjet ajrit
TB nuk është sëmundje e trashëgueshme

Shenjat e tuberkulozit
Kolla, veçanërisht kolla që zgjat më shumë se tri javë
Temperaturë, zakonisht jo e lartë, 37-38 gradë
Djersitje, veçanërisht natën
Humbje oreksi
Dhimbje gjoksi
Rënie në peshë
Në raste më të avancuara të sëmundjes, kolla është me gëlbazë, me rrema gjaku

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›