Partnerë strategjikë
Kosova e Maqedonia e shohin njëra-tjetrën si partnere strategjike.
Ky ishte vlerësimi i dalë nga dita e parë e vizitës së Presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli në Maqedoni, i cili është pritur të mërkurën nga Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov.
Pas parakalimit para Gardës së Nderit, Presidenti Pacolli dhe ai Ivanov kanë zhvilluar takimin e tyre të parë.
Në një konferencë të përbashkët për media, presidentët folën për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira që kanë krijuar Kosova e Maqedonia.
Me këtë rast, Presidenti Pacolli bëri të ditur se në takim me homologun e tij ai ka kërkuar që qytetarët e dy vendeve fqinje të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime.
“Është një prej pikave, që unë konsideroj se do të ndodhin. Në këtë takim kërkova ndihmën e presidentit Ivanov, që edhe në mes Kosovës dhe Maqedonisë të ketë lëvizje të lirë, normalisht me më pak formalitete, respektivisht vetëm me letërnjoftime - e gjithë kjo, në funksion të lehtësimit të qytetarëve të të dyja vendeve”, deklaroi Pacolli.
Por, kjo ide e dhënë nga Pacolli nuk është në kompetencë të Presidentit maqedonas, i cili duke folur para gazetarëve tha se kjo çështje u mbetet ta zgjidhin qeveritë e dy vendeve.
Dy presidentët po ashtu kanë theksuar se mes Kosovës e Maqedonisë nuk ka çështje të hapura.
“Ne tash do t’i përmbushim të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. Dhjetë janë nënshkruar deri tani dhe sot u nënshkrua edhe një tjetër, e njëmbëdhjeta. Në të ardhmen e afërt do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje të tjera, në fushën e drejtësisë. Kështu që kemi hapur një front të punës. Ne kemi fat që jemi dy shtete multietnike dhe jemi shumë të qartë se në këtë mënyrë, duke respektuar njëri-tjetrin, duke respektuar edhe bashkëqytetarët e etnive të tjetra, në mënyrë të qartë të ecim drejt integrimeve euroatlantike”, tha Pacolli.
Presidenti kosovar edhe në Shkup ka bërë thirrje për hapjen e tregut mes dy vendeve.
“Ne biseduam edhe për krijimin e një hapësire të re të tregut, pasi që tregu për maqedonasit në Maqedoni është i vogël, për kosovarët në Kosovës është i vogël. Të krijojmë një treg më të madh për vepruesit tanë ekonomikë”, tha Pacolli.
Presidenti i Maqedonisë ndërkaq foli edhe për gatishmërinë e shtetit të tij për mbështetje dhe ndihmë në të gjitha proceset në Kosovë.
“Ne konsiderojmë se integrimet euroatlantike janë një çështje kyçe. Shprehim gatishmërinë tonë për të ndihmuar Kosovën në realizimin e reformave të nevojshme institucionale, reformave në administratën publike, në gjyqësi e fusha të tjera. Mendoj se në këtë drejtim duhet të vazhdojmë me shtrirjen e marrëdhënieve tona për t’iu lënë brevave të ardhshëm një bazë të cilën do të mund ta zhvillojnë edhe më tej”, tha Ivanov.
Pas takimit të delegacioneve, në prani të presidentëve, ministri i i Bujqësisë i Kosovës, Blerand Stavileci dhe ministri i Bujqësisë i Maqedonisë, Lupco Dimovski nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e bujqësisë dhe sektorë të afërt me këtë fushë.
Pas takimit me Presidentin maqedonas, kreu i shtetit kosovar u takua me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Velanovski.
Në këtë takim është biseduar për avancimin e bashkëpunimit të Parlamenteve të të dyja vendeve.
Të mërkurën, Presidenti Pacolli pati takim edhe me zëvendëskryeministrin Vasko Naumovski.
Pas takimeve me krerët e shtetit maqedonas, Pacolli, në Shkup, vuri kurora lulesh para shtatores së Skënderbeut dhe para varrit të Goce Delçevit.
E fton Tadicin
Presidenti Behgjet Pacolli ka propozuar të mërkurën në Shkup që në Samitin e sivjetmë të presidentëve të vendeve të rajonit që do të mbahet më 12 korrik në Ohër, të ftohet edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadic dhe ai i Greqisë.
“Unë jam ithtar i madh i takimeve, i bashkëbisedimeve. Gjithmonë aty ku trajtohet ardhmëria. Aty ku bisedohet për ardhmërinë, ato biseda nuk mund të kuptohen ndryshe, pos krijimit të mundësisë për një jetë më të mirë të qytetarëve. Unë do të doja që takimi i ardhshëm në Ohër të mos jetë vetëm mes presidentëve të Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë e Kosovës, por të jenë aty prezentë edhe presidenti i Serbisë dhe presidenti i Greqisë. Pse jo? Është shumë e qartë se një ditë ne do të ulemi edhe me këta presidentë dhe do të debatojmë për një jetë më të mirë të qytetarëve tanë”, deklaroi Pacolli.