Ministri Agani shfuqizon udhëzimin për subspecializimet
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka marrë vendim për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2011 për kushtet e njohjes së subspecializimeve të specialistëve, të datës 8 shkurt 2011.
Këtë vendim, ministri e ka marrë mbështetur në Kapitullin VI neni 93 paragrafi 4 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për të marrë vendime dhe nxjerrë akte juridike ose rregullore të nevojshme për zbatimin e ligjeve, si dhe nenit 92 të Ligjit për Shëndetësi nr. 2004/4, njofton MSH, nëpërmes një komunikate shtypi.
Vendimi është marrë duke qenë se U.A, Nr.01/2011 nuk ka asnjë mbështetje në Ligjin për Shëndetësi të Kosovës dhe me këtë nuk paraqet zgjidhje gjithëpërfshirëse për problemin në fjalë.
Çështja e gradimit adekuat të specialistëve të cilët me vite kanë punuar në reparte të profilizuara specialistike do të zgjidhet me Ligjin e ri për Shëndetësi dhe vendim të veçantë, që do ta nxjerr Ministri i Shëndetësisë. Vendimi ka hyrë në fuqi më 23 mars 2011.