E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien bursat ne Europe renia me e madhe ne dekaden e fundit

Bursat europiane njohën sërish rënie të premten, të cilat mund të përbëjnë humbjet më të rënda tremujore për to në dekadën e fundit. Aksionet në Francë dhe në Gjermani humbën në vlerë më shumë se 25 për qind, krahasuar me muajin qershor, ndërsa në Londër, bursa u mbyll me një rënie prej gati 14 për qind. Për FTSE-në kjo përbën rënien më të madhe tremujore që nga viti 2002.

Më herët, tregjet u treguan optimiste madje pati edhe një rritje të papritur të inflacionit në Eurozonë deri në 3 për qind. Investitorët duket se shpresuan që Banka Qendrore Europiane do të mundësonte interesa më të ulëta në eurozonë, pasi i rriti ato në 1.5 për qind në korrik, për të kontrolluar inflacionin.  Edhe Wall Street është hapur tepër ulët të premten dhe gjasat për ta mbyllur me humbje mbizotërojnë.

Por, humbjet e së premtes nuk tregojnë as më shumë e as më pak por paqëndrueshmërinë e theksuar të tregjeve europiane, të cilat nuk e kanë marrë veten që nga nisja e korrikut. Ekonomistët thonë se shqetësimeve për aftësinë e vendeve të Eurozonës për të paguar borxhet e veta, po u shtohen me shpejtësi shqetësime të reja, ato për një krizë të re në sektorin e bankave dhe atë të kredive. Ekonomistët sqarojnë se tregjet mund të mbajnë deri në nëntor, pasi ndodhen në pritje të sinjaleve nga samiti i G20-ës, por nëse prej tij nuk del asnjë projekt, telashet do të jenë vërtet të mëdha.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›