Bien investimet në zgjerimin e kapitaleve
Biznesi ka ulur dorën e shpenzimeve për zgjerim aktiviteti apo krijim linjash të reja investimi. Treguesi që konfirmon situatën pesimiste që po kalon aktualisht biznesi është niveli i importeve për makineri dhe pajisje, lëndët bazë për zhvillimin e sektorit dhe ekonomisë në tërësi. Në përgjithësi shikohet një zbutje e deficitit tregtar, me shenja pozitive në sektorin e prodhuesve të tekstileve, pra fasonit, si dhe te ndërtimi, lëndët e të cilit kanë pasur rritje importi në 4-mujorin e parë 2010. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi dje të dhënat e tregtisë me jashtë për periudhën janar-prill, ku theksonte rritjen e eksporteve në masën 60 për qind krahasuar me një vit më parë. Zgjerimi i kapitaleve të biznesit përmes investimeve në linjat e prodhimit, në makineri etj., kanë pësuar një rënie me rreth gati 6 miliardë lekë, krahasuar me 4-mujorin e parë 2009. Shifra paraqitet nga INSTAT te pjesa e importeve, në zërin “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”.
Lidhur me eksportet, në muajin prill 2010, është arritur një nivel prej 12.5 miliardë lekësh mallra, me ulje 14.1 për qind në krahasim me mars 2010, por me rritje me 60.5 për qind në krahasim me prill 2009. Importet shënuan 38.2 miliardë lekë mallra, me rritje 13.2 për qind në krahasim me prill 2009. “Deficiti tregtar i këtij muaji është 25.7 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.9 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 1 për qind krahasuar me prill 2009”, tha INSTAT-i. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 65.2 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Eksporti i grupit “Materiale ndërtimi dhe metale” u rrit 41.7 për qind, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 10.1 për qind, ndërsa eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 41.5 për qind etj.
#