E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Dekretet e Presidentit, votim i hapur

Topalli mbledh këshillin dhe ndryshon rregulloren. Riformulohen dy nene

Jozefina Topalli kthen në draft angazhimin e mazhorancës për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. Dje është mbledhur Këshilli i Rregullores, i cili ka vendosur riformulimin e dy neneve të ligjit që rregullon veprimtarinë e legjislativit shqiptar. është hequr një nga pjesët më të rëndësishme në këtë rregullore, i cili bën votimin në mënyrë të hapur të të gjitha dekreteve të Presidentit. Me vetëm 3 nene, vendimi për ndryshimin e rregullores thekson se: 1, në nenin 58, pika 2, hiqen fjalët “për emërim dhe shkarkim ministri”; në nenin 2 theksohet se “në nenin 11, pika 6 ndryshohen fjalët brenda tre javëve, bëhen brenda tetë javëve; neni 3 bën të ditur se ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Në draftin aktual të Rregullores së Kuvendit theksohet se “votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të”. Por me ndryshimin e bërë dje, Rregullorja e Kuvendit has një përplasje me nenin 60 të saj, ku theksohet se “votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat. Votimi i fshehtë, përveç rasteve kur nuk lejohet të kryhet sipas Kushtetutës, ligjit ose kësaj Rregulloreje, mund të kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi. Kërkesa për votim të fshehtë duhet të formulohet në kohën që drejtuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron se do të kalohet në votim dhe përpara se të ketë ftuar deputetët të votojnë me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike. Votimi i fshehtë bëhet duke hedhur në kutinë e votimit fletën e votimit ose në mënyrë elektronike”. Në njoftimin e bërë nga zyra e shtypit e Kuvendit theksohet se “me propozimin e një grupi deputetësh më datë 28 maj 2010 është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektvendim për ndryshim në Vendimin nr.166, datë 16.12.2004. Menjëherë pas marrjes së propozimit, Kryetarja e Kuvendit menjëherë ia ka kaluar Drejtorisë Juridike dhe Këshillit të Rregullores”. Mbështetur në nenin 88 të Rregullores, procedurat e parashikuara për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës, zbatohen edhe për shqyrtimin e projektvendimeve normative që miratohen nga Kuvendi. Më pas

Topalli ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Rregullores që para dy ditësh, ku anëtarët e tij filluan shqyrtimin e propozimit. Për shkak se disa anëtarë nuk ishin të pranishëm në mbledhjen e parë, u caktua një mbledhje tjetër e këtij Këshilli. Në Këshillin e Rregullores janë caktuar deputetë nga opozita, pa ardhur propozimi nga grupi parlamentar i PS-së. Kështu Topalli ka caktuar që nga e majta të jenë anëtarë, deputetët Pandeli Majko, Kastriot Islami dhe Damian Gjiknuri. Majko nuk ka qenë prezent ndërkohë që Gjiknuri e ka kundërshtuar vendimin për ndryshimin e rregullores, por edhe ngritjen e këtij trupi të Kuvendit. Por përfaqësuesit e mazhorancës e kanë konsideruar si një procedurë normale. “Seanca dëgjimore u vlerësua si një arritje e Kuvendit. Këshilli diskutoi mbi përmirësimin e mëtejshëm të këtij instrumenti parlamentar, me qëllim rritjen e mëtejshme të transparencës, në shqyrtimin e kandidaturave”, theksohet në njoftimin e Kuvendit. Diskutimi do të vazhdojë edhe në mbledhjen e sotme të Këshillit të Rregullores.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›