E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një tryezë e vonuar për trashëgiminë dhe turizmin

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj, ka thirrur dje kryetarët e bashkive dhe komunave me potencial turistik në një tryezë diskutimi për koordinimin e politikave mbi turizmin. Ndonëse nisur nga qëllimi i mirë, kjo tryezë nuk është funksionale për këtë sezon turistik që tashmë ka filluar

Teksa sezoni turistik ka filluar, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ferdinand Xhaferaj ka thirrur kryetarët e bashkive dhe komunave në një tryezë diskutimi. Qëllimi ka qenë bashkëveprimi dhe bashkërendimi i ministrisë që drejton me pushtetin lokal për rritjen e cilësisë së turizmit. Ashtu siç e ka shpallur edhe më parë, ministri Xhaferaj e vuri sërish theksin tek administrimi i potencialeve kulturore dhe të trashëgimisë në funksion të turizmit. “Që nga viti i shkuar, Drejtoria e Artit dhe Kulturës mori porosi të veçanta, që shpërndarja gjeografike e projekteve kulturore të lidhet ngushtësisht me turizmin. Drejtoritë e kulturës në bashkitë përkatëse mund të vijnë në ministrinë tonë për të siguruar një bashkërendim efikas të fondeve për projektet kulturore”, ka theksuar ministri në fjalën e hapjes. Ndërsa duke iu referuar trashëgimisë, Xhaferaj ka renditur disa projekte që do të realizohen nga vetë ministria apo me investime të Komisionit Europian për disa kala dhe qendra historike të qyteteve turistike. Por sa vlen ky takim kur sezoni turistik tashmë ka filluar? çfarë bashkëpunimi mund të ketë me drejtoritë e kulturës në bashkitë përkatëse për projekte që mund të financohen së bashku, kur ministria vë në dispozicion një tabelë me 20 projekte kulturore të shpërndara në rrethe dhe bashkitë, nga ana e tyre, kanë planifikuar që në fillim të vitit buxhetin për kulturën. Ndërhyrja e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, ka bërë që ministri Xhaferaj të reflektojë paksa për këtë vonesë, për këtë takim, ku u ngritën shkarazi disa probleme kryesisht nga operatorët turistikë privatë që operojnë në vend, ndonëse në fillim të takimit, ministri garantoi se ky nuk do të ishte një nga ato takimet rutinë. Teksa pranoi se bashkëpunimi duhet orientuar më mirë për vitin që vjen në fushën e kulturës, e njëjta gjë vlen edhe në atë të trashëgimisë. Në fjalën e tij, por edhe në problemet e ngritura nga operatorët turistikë, u tha se muzetë dhe parqet arkeologjike nuk ofrojnë cilësinë e duhur të shërbimit për turistët. “Muzetë dhe parqet arkeologjike nuk u përgjigjen ambicieve që kanë operatorët turistikë, agjencitë e turizmit dhe kryesisht vetë turistët. Kemi dhënë porosi të prera që nëpër parqe arkeologjike apo muzetë nuk do të ketë orare të përcaktuara (në këtë rast flas për ata që janë nën varësinë e ministrisë sonë, por do t’jua sugjeroja edhe juve një qëndrim të tillë). Ju duhet të rrisni vëmendjen ndaj muzeve vendorë që keni në varësi, për t’i kthyer ato në vlera të shtuara të arealit gjeografik dhe administrativ ku ju punoni. MTKRS-ja është e gatshme të ofrojë konsulencë mbi hartimin e projekteve të rigjenerimit të tyre dhe trajnimeve të stafit të muzeut”, ka thënë në fjalën e tij ministri Xhaferaj. Por shembujt e sjellë nga operatorët turistikë për muzetë, ku dera u përplaset në fytyrë, ku nuk ka një ciceron për turistët apo kur zoti Dako tha se gjeti në Muzeun Arkeologjik të Durrësit në një vizitë me zotin Lohan, një punonjës që nuk dinte t’u thoshte asgjë për historinë dhe trashëgiminë. Në këtë rast është e qartë se funksionimi i muzeve, i parqeve arkeologjike apo specializimi i stafit nuk mund të ndodhë sapo funksionarët apo operatorët turistikë që operojnë në vend të ngrihen nga kjo tryezë takimi, pavarësisht dëshirës së mirë të ministrit për një bashkëpunim të sezonit turistik. Kjo ishte e qartë nga problemet e shumta që këta operatorë ngritën për cilësinë e shërbimit që gjejnë në qytetet turistike jo vetëm nga bizneset, por edhe në qendrat muzeologjike. Në fakt, ky takim, nëse merret seriozisht edhe përtej zyrave të ministrisë ku u zhvillua dhe pasohet me strategji të diskutuara e të debatuara në palët e interesit, ndoshta do të mund të reflektohej sadopak për sezonin e ardhshëm turistik. Takime shpresëdhënëse kemi parë nga shumë funksionarë të këtyre viteve, por shumë pak rezultate. Ministri Xhaferaj ka theksuar se pritet që numri i turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë këtë vit të jetë 3.5 milionë, rreth gjysmë milioni më shumë nga sa kanë qenë sipas shifrave zyrtare të dhëna nga kjo ministri. Në të vërtetë, më shumë se shifrat duhet të mëshojmë mbi strategji që garantojnë një turizëm afatgjatë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›