Meta: Në qarkun e Beratit, partia e Edvinit, forcë e tretë

Rivaliteti i theksuar prej kohësh, ndërmjet dy partive opozitare, Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, vazhdon të shtrihet edhe në bazë, ku nuk mungojnë armiqësitë e shprehura hapur, lidhur me pretendimet elektorale, për të dominuar në zonat e konsideruara “bastione”. PS dhe LSI, kanë intensifikuar përplasjet dhe akuzat e ashpra ndaj njëra-tjetrës, për të tërhequr, apo për të marrë pas vetes sa më shumë mbështetje elektorale, kushtëzuar kjo edhe nga mundësitë e arta që po shfrytëzon LSI, si pasojë e politikës destruktive dhe manipulative, që kreu i PS-së Edi Rama po demonstron në mbarë vendin, duke bërë thirrje për një ndryshim të ri, ndonëse Shqipëria vetëm gjatë një mandati, ndryshoi fytyrën përballë perëndimit demokratik dhe të fuqizuar ekonomikisht. Kreu i LSI-së Ilir Meta, zhvilloi dje një takim në Urën Vajgurore, ku prezantoi kandidatin e LSI për deputet Mustafa Muçi dhe garantoi për fitoren e tij. Duke përshëndetur të pranishmit në këtë takim, kandidati Muçi u shpreh i sigurt që LSI do të dalë kryesore politike në qarkun e Beratit, duke lënë pas Partinë Socialiste. Në vijim, duke marrë fjalën kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh mjaft optimist për suksesin historik që do ketë LSI-ja jo vetëm në qarkun e Beratit, por fitorja e LSI-së do të jetë historike në të gjithë Shqipërinë. Sipas metës, në Qarkun e Beratit, PS-ja do të dalë forcë e tre në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti. Duke i dhënë garanci të pranishmëve për fitoren e LSI-së në zgjedhje, Meta tha se, “puna dhe sakrifica juaj do të shpërblehet pas 28 Qershorit kur Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë garanci për të gjithë në qeverisjen e ardhshme”.
...