E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien yjet e hoteleve, Ministria e Turizmit rishikon kriteret

Hotelet me shumë yje në bregdetin shqiptar, përveç çmimeve të kripura, jo gjithmonë ofrojnë shërbimin e pritur nga klienti pagues. Pikërisht për të krijuar një baraspeshë të shërbimit dhe çmimit, Ministria e Turizmit ka vendosur që të rishikojë kriteret për yjet dhe numrin e tyre mbi secilin nga këto biznese. Një gjë e tillë pritet që të bëjë një riklasifikim të këtyre njësive akomoduese, në mënyrë që klientët të mos mbeten të zhgënjyer nga shërbimi, i cili nuk i përshtatet numrit të pesëcepëshve.

Ministri i Turizmit, Adrian Turku, është i mendimit se ka ardhur koha që të rishikohen kriteret e klasifikimit të njësive akomoduese, pasi përcaktimi i yjeve mbetet larg shërbimit që duhet të ofrojnë. Ministri i Turizmit thotë se "ka vend për t‘i tërhequr vëmendjen komunitetit të biznesit, i cili nuk i përputh çmimet e kripura me kushtet akomoduese". Megjithatë, titullari në krye të Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, pranon se pikat e dobëta të turizmit shqiptar mbeten ende papastërtia, infrastruktura, si dhe furnizimi me drita dhe ujë.

Nga ana tjetër, shumë pushues ankohen se ndërsa prisnin një akomodim të denjë e cilësor në përputhje me çmimet e larta që kanë paguar, përballen thjesht me një vend ku mund të "fusin kokën", ndërkohë që kërkesat e tyre për pushimet janë po aq të gjata sa edhe ditët e qëndrimit.

Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit, të cilët vlerësojnë standardet hoteliere, të tjera pengesa që nuk kapërcehen nga hotelet në vendin tonë janë kolaudimi teknik, masat kundër zjarrit, apo licenca që merret pranë pushtetit vendor.

Më parë, subjektet merrnin licencën dhe mbas një afati 30 ditor vlerësoheshin me yje. Me ndryshimin e ligjit, në maj të 2007-ës, filloi aplikimi i një procedure të re që u vjen në ndihmë njësive akomoduese. Tashmë është vendosur certifikata që lëshohet nga MTKRS-ja, e cila përmbledh dy procese, atë të regjistrimit dhe të kualifikimit. Ajo ka një vlerë totale prej 25 mijë lekësh, në ndryshim nga më parë, ku licenca arrinte vlerën e 7500 lekëve, e vlefshme kjo për një periudhë 5-vjeçare. Ndërkohë që klasifikimi në yje bëhej në bazë të dëshirës së pronarëve të këtyre bizneseve. Kjo varej thjesht në mundësinë paguese të këtyre hoteleve nga 1 deri në 5 yje.

Kështu, më parë një hotel me 1 yll duhej të paguante shumën prej 15 mijë lekësh në vit dhe një tjetër me pesë yje kishte detyrimin për një pagesë deri në 100 mijë lekë në vit.

Tashmë, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve lëshohet një certifikatë e cila tregon se subjekti përkatës është i regjistruar dhe i klasifikuar në yje.

Specialistët shpjegojnë se sektori i kontrollit të standardeve dhe i statistikave kryen verifikime mbi njësitë akomoduese. Përmes tyre realizohet vëzhgimi i të gjitha kushteve që duhet të përmbushen nga këto biznese, duke filluar me hapësirën e dhomave, dhe deri te kushtet higjieno-sanitare, përfshirë edhe standarde të tjera të detyruara për shërbimin ndaj klientit. Një tjetër kontroll specifik mbi subjektet në fushën e hoteleri-turizmit duhet të kryejë edhe Drejtoria e Higjienës, përmes degëve të saj të shpërndara në rrethe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›