E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorenzo dorëzohet pa kushte, por Valentino nuk i zë besë

"Mund të ndodhë gjithçka". Valentino Rosi është i kujdesshëm. Kampioni i Botës në MotoGp është shumë afër kurorëzimit me një titull të ri. Por piloti i Jamahës akoma nuk i zë besë kujt. Kur kanë ngelur vetëm gjashtë gara nga fundi i kampionatit, Rosi ka 50 pikë avantazh mbi shokun e skuadrës, Horge Lorenco. Ama këto s‘i mjaftojnë Valentinos, i cili po përgatitet me kujdes për Gp-në e Indianapolis, që do të zhvillohet në fundjavë. Një vit më parë, në kushte klimaterike që mund të mbyllnin çdo garë, doktori ishte protagonist i një triumfi të madhërishëm mbi pistën e zbukuruar me shirita dhe yje, ku u zhvillua gara e parë e botërorit të motorëve. "Gara e vitit 2008 ishte e veçantë, sepse ishte hera e parë që garonim aty, në pistën më të famshme të botës, shpjegon Rosi. Nuk e dinim me saktësi ç‘na priste, por motori ynë punonte për mrekulli dhe ishim të shpejtë që në fillim, si në të thatë ashtu edhe në të njomë", shton ai. "Vitin e shkuar korra një sukses të jashtëzakonshëm, vazhdon Rosi, por si të gjithë, uroj që ai i 2008-ës të mbetet i vetmi uragan gjatë të cilit na u desh të garojmë. Shpresoj që këtë vit të kemi kushte atmosferike më normale". Klasifikimi i buzëqesh doktorit që nga takimi i BRNO-së. "Do të ishte idiotësi ta flija mendjen dhe të mendoja se e kam fituar botërorin. Mund të ndodhë gjithçka, e dimë që Lorenco do të jetë i fuqishëm këtë fundjavë dhe do të dojë të hakmerret pas dy garave të fundit". Por nëse Rosi ruan kujdesin, rivali spanjoll nuk beson më se do ta marrë veten dhe ngre flamurin e bardhë. "Nuk mendoj më për titullin", thotë shoku i Valentinos te Jamaha. Pesëdhjetë pikë në gjashtë gara janë vërtet shumë. Por për Indin lojërat janë të hapura. "Do të më pëlqente të fitoja pas më shumë se tre muajsh. Mbi të gjitha, do të më pëlqente ta bëja në Indianapolis, në vitin e 100-vjetorit të pistës", thotë spanjolli. "Indi është i veçantë për mua. Atje, vitin që shkoi, në sezonin e deputimit për MotoGP, u ngjita për herë të parë në podium në një garë në shi. Jam ndier mirë në garat e fundit dhe kam besim, kam qenë i shpejtë që në prova, përveç asaj që ndodhi të dielën".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›