Bienalja e Tiranës shkund pluhurin e "Dajtit"
Një godinë e mbushur me histori, dëshmi e një kohe ideologjik, ka shërbyer si ngacmim për edicionin e katërt të Bienales Ndërkombëtare të Artit bashkëkohor të Tiranës. Hotel "Dajti", që dikur reflektonte luks, sot një ndërtesë e mbytur nga pluhuri, do t‘u shërbejë rreth 60 artistëve shqiptarë dhe të huaj, të përzgjedhur për bienale, si hapësirë ekspozuese. "Eficenca simbolike e të parit" është koncepti kuratorial sipas të cilit janë përzgjedhur artistët. Edi Muka, drejtor i Bienales së Tiranës, por edhe një prej kuratorëve, tregon për ngacmimin dhe risitë që sjell ky edicion i artit bashkëkohor. Nga sot do të fillojë puna për rizgjimin e hotel "Dajtit", i cili në 18 shtator do të jetë gati për çeljen e ekspozitës së parë të Bienales së Tiranës. Pesë kuratorë ndërkombëtarë do të kujdesen për këtë aktivitet, i cili për herë të parë i ka dhënë një dimension të veçantë arkitekturës si një aspekt që kushtëzon dhe reflekton marrëdhëniet e një kohe të caktuar. Në intervistën e mëposhtme, Edi Muka tregon detajet e aktivitetit, i cili këtë vit ka gjetur përkrahje edhe nga biznese private.
Raportet mes realitetit dhe njeriut janë reflektuar gjithnjë e më shpesh në artin bashkëkohor. Një koncept i tillë do të përshkojë edhe edicionin e katërt të Bienales së Tiranës. Pse ky ngacmim?
Ishte konteksti ai që na e sugjeroi qasjen ndaj bienales, i cili na frymëzoi në dy aspekte: diskursin teorik dhe të vetë objektit që kemi zgjedhur, hotel "Dajti". Duke qenë një godinë qendrore, është pjesë e pandashme e historisë sonë. Fakti që ne kishim të lidhura kujtime me këtë godinë, artistë që kanë marrë pjesë në bienalet e mëparshme kanë qëndruar aty, fakti që ne kalonim përditë te kjo godinë, na shtyu të mendojmë për një reflektim mbi të. Kjo zgjedhje është edhe një vazhdimësi e përpjekjes në çdo edicion të bienales për të gjetur hapësira të cilat nuk i kushtohen posaçërisht artit, por janë kuptimplote dhe reflektojnë situata apo momente të caktuara në të cilat kalon vendi. Nga hotel "Dajti", por edhe në hulumtimin e përpjekjes për të kuptuar realitetin, morri formë koncepti. "Eficenca simbolike e të parit", e huazuar nga filozofi Slavoj Zhizhek, nuk është një diskutim i thatë filozofik, në të cilin mund të ngatërrohesh me shumë fjalë se ç‘është realiteti, thelbi i tij, si lidhemi me të, por puna për ta përkthyer në termat e përditshmërisë, për ta parë realitetin me gjithë aspektet: politike, ideologjike, sociale, ekonomike, psikologjike. Qasja e bienales është edhe një shikim ndaj mënyrës se si mund të zbulojmë ose rizbulojmë historinë duke iu referuar objekteve ose ideve të caktuara. Hotel "Dajti" ishte pjesë e ideologjisë së Italisë fashiste, e cila po kolonizonte Shqipërinë me idenë për të sjellë një sistem të ri që përplasej me situatën dhe gjendjen ekzistuese të vendit tonë. Përdorimi i arkitekturës për të shprehur një ideologji të caktuar ishte shumë interesante si pikënisje për të dalë te diskutimi i idesë së kornizës. Sipas tij, njeriu e ka të domosdoshëm krijimin e kornizave mendore për të krijuar marrëdhënie të caktuara me realitetin që na rrethon, shoqërinë, politikën dhe botën fizike. Kjo shkon edhe më tej, nëse e zhvendosim në veprimin artistik të artistëve, i cili historikisht e sidomos në ditët e sotme është një lloj kornizimi i aspekteve të caktuara të realitetit me synim për të nxjerrë në pah probleme që nuk marrin vëmendjen e duhur.
Sot hotel "Dajti" është një godinë e mbushur plot pluhur. Cilat ambiente do të përdoren për ekspozim?
Do të përdorim tre katet e hotelit: hollin përdhes, katin hyrës, ish-sallën e restorantit, ish-barin dhe disa nga dhomat që kanë funksionuar dikur. Po t‘i hysh fantazisë, në to kanë ndodhur shumë ngjarje, janë shkruar edhe libra si "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Është një hapësirë shumë e fortë, e cila të detyron të mendosh gjatë se si do punosh me të. Edhe sivjet ne kemi ruajtur formulën e zhvillimit në disa faza të bienales, duke e rritur atë gradualisht.
Sa e njohin artistët e përzgjedhur hapësirën ku do të prezantohen?
Jo të gjithë artistët kanë ardhur në Tiranë, por të gjithë e kanë parë si hapësirë. Ne u kemi dërguar informacionin e nevojshëm për historikun, konceptin kuratorial dhe materiale fotografike. Një pjesë e artistëve që do të ndërhyjnë direkt në godinë kanë ardhur më parë në Tiranë për ta parë nga afër objektin, e do të rikthehen sërish për të përmbyllur punët.
Një seksion i veçantë në këtë edicion të katërt i është kushtuar arkitekturës. Çfarë synohet të përcillet?
Ana Dzokic dhe Marc Neelen, të dy arkitektë, do të ndërtojnë një episod të gjallë ku punë të caktuara që vendosen në mur apo video do të përbëjnë 13, ndërsa 23 do të jenë hapësira fizike që zhvillohen gjatë gjithë kohës, si edhe një platformë diskutimi që do të realizojnë gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë. Do të debatohen çështje që kanë të bëjnë me interesin kryesor, ndjekjen e zhvillimeve urbane dhe sidomos të tensioneve që lindin nga përplasja mes interesave publike dhe private. Ky është një fenomen tipik për Shqipërinë, Ballkanin por edhe globin. Diskutimi nuk do të ndalet vetëm në qëndrimin kritik ndaj këtyre zhvillimeve, por do të ftohen arkitektë të ndryshëm të cilët japin zgjidhje për këtë problem. Në përfundim, si bashkëpunim me studentët e një universiteti privat do të hartohet një guidë që do të ndjekë zona shumë interesante të Tiranës.
Gjatë këtyre viteve, në çfarë niveli është dialogimi i bienales me publikun shqiptar?
Publiku i Tiranës, por edhe i Shqipërisë në tërësi, ka disa specifika që e bëjnë të ndryshëm nga publiku në vendet e Europës Perëndimore. Po të shikosh ngjarjet e këtij niveli, në Europë ka gjithmonë një publik që quhet i artit, të cilët ndjekin zhvillimin e ekspozitave apo bienaleve. Në Shqipëri ende nuk është formuar publiku i artit dhe ai që ndjek bienalen është shumë i përzier dhe u përket shtresave dhe kategorive nga më të ndryshmet. Për këtë jam i lumtur, sepse tregon që bienalja kap shtresa të këtij publiku që në një vend me struktura të ngritura dhe me një trashëgimi të gjatë kulturore është më e zorshme t‘i arrish. Te ne situata është ende e hapur dhe ne kemi bërë përpjekjen që ta bëjmë sa më të prekshëm këtë komunikim, duke realizuar tre hapje ekspozitash të bienales, në mënyrë që ky aktivitet "të përtypet" sa më mirë.
Bienalja e Tiranës, si një aktivitet i artit bashkëkohor, jo rrallë është vënë edhe në pikëpyetje për vazhdimësinë e saj. Cila është e ardhmja e këtij aktiviteti?
Ne shpresojmë dhe do mundohemi që ky aktivitet të vazhdojë. Aktualisht po përjetojmë efektet e rritjes së reputacionit të Bienales që sjell edhe rritjen e kërkesave nga artistët pjesëmarrës, të teknologjisë së punëve që duhen ekspozuar. Dëshira dhe përpjekja jonë është që bienalja të zhvillojë jetën e saj rregullisht, njëherë në dy vjet, edhe pse edicioni i 2007-ës humbi. Kudo ku e kemi prezantuar sivjet këtë aktivitet, njerëzit e kanë ndjerë mungesën dhe kjo ishte shenjë e mirë.