E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta dhe e gabuara e çifteve që funksionojnë

Bëjnë gjithçka bashkë

E gabuar

"Një çift që bën gjithçka bashkë rrezikon të mërzitet shpejt", nënvizon një psikolog. "Por kjo mund të ndodhë edhe kur partnerët e kontrollojnë vazhdimisht njëri-tjetrin, duke treguar mungesë të theksuar besimi. Mund të ndodhë gjithashtu që njëri prej partnerëve të shtiret sikur po e bën me shumë dëshirë një punë dhe tjetri ta kuptojë. Gjithsesi, është pozitive që çifti të ketë dëshira dhe hobe të përbashkëta, por është shumë e rëndësishme që partnerët të respektojnë hapësirën e njërit-tjetrit".

Nuk kanë pasur kriza

E gabuar

"Çiftet që kalojnë periudha të gjata krize nuk janë të lumtur. Duket sikur kanë frikë nga përballja dhe për të shmangur këtë gjë, shtiren sikur gjithçka shkon mirë. Në fakt, krizat që kalojnë shumë çifte janë pozitive: "Duke analizuar të shkuarën, krijojmë një të ardhme të re për jetën në çift. Nëse partnerët nuk ndryshojnë, atëherë gjithçka prishet dhe merr fund. Përballimi i një krize jo domosdoshmërish mund të jetë i dëmshëm. Kush e pranon, mund ta kapërcejë duke fituar besim. Nga kjo eksperiencë do të mësojë se, në rast krizash në të ardhmen i ka të gjitha mjetet për të reaguar pozitivisht", thotë psikologu.

Janë miqtë më të mirë të njëri-tjetrit

E vërtetë

Nëse në bazën e një lidhjeje në çift qëndron një miqësi e fortë, atëherë partnerët shkojnë mirë me njëri-tjetrin, madje kjo vlerë ushqen ndjenjën e sigurisë dhe intimitetin. Përveç kësaj, besimi brenda lidhjes i nxit partnerët "të gjejë" më shumë tema diskutimi, duke pasuruar dhe favorizuar komunikimin.

Thonë gjithmonë të vërtetën

E gabuar

Mund të ketë momente në jetën e çiftit, ku njëri prej të dyve nuk është në gjendje të pranojë disa pohime. Thënia e të vërtetës mund të mos jetë gjëja e duhur, për shembull kur kalohet një periudhë e vështirë. Gjithsesi, është mirë që partnerët të mos i mbajnë sekrete njëri-tjetrit. Krijimi i një lidhjeje mbi gënjeshtra sjell vetëm shqetësim dhe ftohjen e partnerëve me njëri-tjetrin.

Duhen si ditën e parë

E gabuar

Partnerët rriten dhe ndryshojnë, është e pamundur të mbeten të pandryshuar në kohë. Njerëzit nuk mund të jenë po ata që kanë qenë ditën e parë të njohjes. Dashuria ka ngjyrime nga më të ndryshmet. Në fillim defektet nuk duken. Partnerët shohin vetëm anët pozitive të tyre. Pastaj fillojnë të vënë re edhe detajet më të imta dhe të kuptojnë se dashuria ndryshon. Në një lidhje ka edhe periudha ku partnerët nuk janë të dashuruar me njëri-tjetrin. Çifti i vërtetë është ai që arrin t‘i kapërcejë këto pengesa.

Duhet të fejohen të rinj

E gabuar

Eksperiencat e ndryshme janë shumë të rëndësishme, sepse vetëm kështu jeni në gjendje të zgjidhni partnerin e duhur. Ata që fejohen në moshë të re dhe nuk kanë njohur persona të tjerë, nuk mund të bëjnë krahasime dhe t‘i sqarojnë gjërat. Partnerët e pranojnë kështu siç janë njëri-tjetrin dhe nuk kanë shumë pretendime. Ndërsa personat që fejohen në moshë të madhe pretendojnë më shumë, por zgjedhja e tyre është më e sigurt, për shkak të eksperiencës.

Pranojnë pushime të ndarë

E vërtetë dhe e gabuar

Të shkosh vetëm me pushime është diçka shumë pozitive, por kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur në një lidhje ka besim të madh dhe reciprok. Pushimet nën shoqërinë e miqve e jo të partnerit/es janë një eksperiencë e bukur, madje i bën mirë edhe çiftit, por vendimi duhet të aprovohet nga të dy dhe jo të keqinterpretohet. Por, për fat të keq, shpesh partnerët janë të pasigurt dhe largësia mund ta dëmtojë lidhjen. Nëse partnerët vendosin që çdo fundjavë ta kalojnë të ndarë, është e dukshme se çifti është në krizë dhe është e nevojshme që të përballet me çdo problem.

Çifte pa fëmijë

E gabuar

Një çift funksionon, pavarësisht fëmijëve. Është e vërtetë që këta të fundit mund të bëhen shkak për ndonjë zënkë, por nëse një lidhje është e shëndoshë ajo vazhdon të ecë përpara. Fëmijët mund të shkaktojnë ndonjë pakënaqësi në lidhje, por kjo gjë ndodh zakonisht kur nëna nuk është më bashkëshorte dhe krijon një raport vetëm me fëmijën. Babai ndihet i përjashtuar, por edhe ai duhet të sforcohet për të hyrë në atë lidhje, me qëllim që çifti të rigjejë ekuilibrin. Është gjithashtu i vërtetë fakti që disa çifte rrinë së bashku vetëm për fëmijët. Ndonjëherë ata nuk e kuptojnë se prania e fëmijëve i mënjanon problemet e tyre. Kur fëmijët rriten, problemet fillojnë e shfaqen sërish, duke rrezikuar t‘i japin fund lidhjes.

Nuk vuajnë nga xhelozia

E gabuar

Nëse partnerët nuk janë xhelozë për njëri-tjetrin, atëherë duhet parë se deri ku arrin interesi i tyre për njëri-tjetrin. Nuk po flasim për xhelozinë kronike ose patologjike, e cila limiton në maksimum lirinë e tjetrit. Në rastin e një xhelozie normale, kjo ndjejnë tregon një shenjë interesi. Mungesa e xhelozisë mund të kuptohet nga partneri/a si mungesë vëmendjeje dhe kjo mund të jetë thikë me dy presa.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›