Big Brother me 16 konkurrentë

“Big Brother 6 ” ka nxitur kureshtjen e gjithë publikut këtë vit, pasi sipas paralajmërimit të autorëve ky reality-show do të jetë komplet ndryshe.
“Nuk do t’i ngjajë aspak 5 edicioneve të kaluara”, – thotë autori Rezart Aga per mediat shqiptare, duke i lënë surprizat befasuese për mbrëmjen e së shtunës. Ai ka preferuar të thotë vetëm disa copëza të asaj që pritet të jetë një mbrëmje e madhe. Banorët që do të hyjnë këtë vit, më së shumti janë ata që kanë ardhur nga jashtë kufijve dhe mosha e tyre është më e lartë se ajo që kemi parë vitet e kaluara.
Banorët këtë vit nuk do të “fshihen” më pas asaj që jemi mësuar të shohim shpesh “ isha vetvetja”, pasi sivjet askush nuk duhet të jetë vetvetja.:
“Çdo konkurrent do ketë një të fshehtë, do hyjë si një person krejt tjetër nga ai që është. Një baba i përkushtuar do hyjë si një burrë beqar, një jetim do flasë për prindërit sikur t’i kishte ende gjallë. Kushdo duhet të përpiqet t’i zbulojë sekretin tjetrit, sepse ky sekret ka një çmim (sa më i madh sekreti, aq më i madh çmimi) që nëse zbulohet, shuma i kalon zbuluesit. Dhe ky, edhe nëse eliminohet nga televotimi (sepse linja klasike drejt çmimit të madh sigurisht që vazhdon, do jetë publiku ai që do nxjerrë banorët dhe do zgjedhë fituesin), do dalë me një shumë parash që e ka fituar nga zbulimi i sekretit”.
Ndërkohë, zërave se në lojë mund të jetë edhe një personazh i njohur publik, autori i Big Brother përgjigjet “jo”.
“Big Brother 6” do të fillojë këtë të shtunë, loja do të jetë sfiduese, ndryshe, dhe spektakli do të drejtohet si përherë nga energjia e Arbana Osmanit. /Indeksonline/