Bijte e getove
Dritan Laci
Per Eltonin qendra komunitare "Te qendrojme se bashku" eshte nga te paktat gezime ditore. Aty ai gjen gjithcka qe i duhet. Ka shoke, ka lodra te bukura, vizaton cfare t'i doje qejfi dhe per me shume, mund te shijoje nje dreke pasanikesh. Per djaloshin e rritur ne nje familje me probleme te renda sociale, qendra eshte gjithcka qe ai enderron ne jete. Packa se sapo ka kaluar te dhjetat, ai nuk ta jep kurre pershtypjen e nje femije me shtat normal per moshen. Problemet familjare dhe ndarja e shpejte me babane kane lene gjurme te thella edhe ne zhvillimin e djaloshit. Drejtoresha e qendres, Rajmonda Prifti, thote se Eltoni ne nje te ardhme fare mire mund te ishte nje kontingjent i mundshem krimi. Deri ne momentin qe u afrua prane qendres, djali endej rrugeve si te mundej, pa shkolle, me nje te ardhme te pasigurt. "Jemi munduar t'i qendrojme sa me prane te mundemi. Ne qender Eltoni mund te marre njohurite e duhura shkollore. Mund te luaje me bashkemoshataret e tij, por se fundi, fale hapjes se menses sociale edhe mund te ushqehet". Por si shembulli i Eltonit ka edhe dhjetera femije te tjere qe kane nevoje per perkujdesje. Nandi eshte vetem 8 vjec. Ai ka probleme ne te folur dhe nuk pranon kurrsesi te ushqehet. Mamaja e tij, e cila kryen sherbime vullnetare ne qender, mundohet gjate gjithe kohes ta binde. Per te eshte nje sukses i madh qe Nandi ka arritur te ulet te pakten ne tavoline. "Nandi ka lindur me probleme. Ai nuk ushqehet kurre me gjelle. Deshiron vetem gjera te thata. Ndoshta ne qender ai mund te ndryshoje disi sjelljen. Deri tani shikoj qe ka filluar te permiresohet". Me shume se vakti falas i drekes, ky eshte objektivi kryesor i qendres sociale. Drejtoreshe Rajmonda thote se puna konsiston ne integrimin ne shoqeri te personave me nevoje. Krahas Eltonit, Nandit e shume femijeve te tjere, qendra ka hapur dyert edhe per shume te rinj, te cilet hasin veshtiresi ne jeten e perditshme. Ata mesojne ne qender te jene njerez te dobishem ne jete. Vajzat mesojne te qepin ne makine, ndersa nje pjese tjeter mesojne te perdorin programet kompjuterike. Po keshtu, ata mund te ushqehen ne qender fale sherbimit katering te mundesuar se fundmi nga Bashkia e Tiranes. "Vakti i drekes eshte futur gjate diteve te fundit. Ai eshte falas dhe pergatitet ne nje nga restorantet me te mira ne kryeqytet. Per momentin mundesia e ushqimit ekziston vetem per 100 persona". Dreka eshte me te vertete e shijshme. Menyja ndryshon cdo dite. Sot per dreke kemi gjelle me presh te sajdisur me mish lope, kurse pjate shoqeruese kemi pilaf. Te gjithe ushqehen me oreks, ndersa Eltoni thote se i pelqen me shume gjella me fasule. "Per momentin kjo eshte mundesia qe kemi. Do te deshironim qe ne qender te afroheshin edhe shtresa te tjera te njerezve ne nevoje, por largesia nga rruga nuk e ben te mundur kete gje". Eshte e vertete ajo qe thote drejtoresha Rajmonda. Vetem per te shkuar ne mensen sociale, qe ndodhet ne nje nga ambientet e rikonstruktuara te ish-Kombinatit te Drurit "Misto Mame", duhet te ecesh te pakten 15 minuta ne kembe nga rruga kryesore. Aktualisht te vetmet shpenzime qe heq Bashkia e Tiranes eshte kostoja e ushqimit, 120 leke per person. Te gjitha harxhet e tjera mbulohen nga vete qendra, ne saje te punes vullnetare qe kryejne anetaret e saj. Por jo cdokush mund te kete fatin te ushqehet me nje vakt dreke falas. Drejtoreshe Rajmonda thote se cdo person qe paraqitet ne mense, duhet te jete i shenuar fillimisht ne listen e personave ne nevoje qe paraqitet nga minibashkite. Gjithsesi, synimi i drejtuesve te qendres "Te qendrojme se bashku" eshte qe mensa te jete nje dere e hapur per te gjitha kategorite e personave qe paraqiten me probleme sociale dhe ekonomike. "Problem ngelet rruga qe te shpie ne mense. Jemi ne tratativa per te gjetur nje rruge me te shkurter qe te shpie ne rrugen kryesore. Por gjithsesi jemi te kenaqur per faktin qe qendra eshte krejtesisht e jona dhe nuk paguajme qira per objektin, ashtu si ne godinen e pare". Gjithsesi, iniciativa per te hapur nje mense sociale te nderthurur me aktivitete te tjera shoqerore mbetet per t'u pergezuar. Kjo iniciative, e cila eshte ende ne hapat e pare, le per te shpresuar ne nje te ardhme me te mire per te gjithe njerezit qe e ndjejne veten te braktisur nga shoqeria dhe familja. Sigurisht qe mire do te ishte te kishte edhe shume mensa te tjera sociale, por sic thote nje fjale e urte: "Le t'i shtrijme kembet sa kemi jorganin, pastaj shohim e bejme".