E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilall Hadërgjonaj, kandidat i VV-së për kreun e Deçanit

Të shtunën, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Deçan mbajti konferencë për media, me ç’rast u tha se Bilall Hadërgjonaj është zgjedhur si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje! për të garuar në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 3 nëntor.

Hadërgjonaj në fjalën e tij tha se “e gjithë keqqeverisja e pasluftës në Deçan e la këtë komunë me ekonomi pa prodhim, me papunësi mbi 85% e me shëndetësi në nivelin më të ulët në Kosovë. Investimet kapitale u bën pa kriter dhe në shumë vende mungon plotësisht infrastruktura. Shembull i kësaj është fshati Vranoc i Vogël, i cili si pasojë e neglizhimit nga pushteti lokal nga 25 shtëpi ka ngelur vetëm në 14 sosh.

Në përfundim të fjalës së tij ai tha se VV vepron si ekip e jo individualisht, andaj unë dhe kandidatët e Vetëvendosje!-s për asamblenë komunale të Deçanit do të jemi përfaqësues të konceptit dhe programit të Lëvizjes, që ne besojmë se është më i miri për përfaqësimin sa më të denjë të interesit të qytetarëve.

Ndërsa Albin Kurti tha se Deçani është një komunë e cila i ka dhënë shumë Kosovës dhe e cila ka pasur humbje dhe vuajtje të mëdha jo vetëm gjatë luftës edhe para luftës, por edhe pas luftës. "Në vend se pas përfundimit të luftës në Deçan të kemi drejtësi e zhvillim, kemi pasur ndëshkim dhe moszhvillim, qoftë nga institucionet qendrore, po ashtu edhe nga ato lokale.”

“Në Deçan ka ndodhur shkatërrimi i pyjeve përmes tenderëve, në emër të pastrimeve nga zjarret. Fakti që ka pasur keqpërdorime dhe shkatërrim në emër të pastrimit, dhe kjo vit pas viti në mënyrë ciklike, lë dyshime në tërë zinxhirin e menaxhimit. Kur kësaj ia shton neglizhencën që ndodhi gjatë verës së vitit të kaluar (theksoi ai) ky dyshim shndërrohet në përgjegjësi qeveritare dhe komunale” , theksoi Kurti./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›