Ushtarët maqedonas duan të shërbejnë në Bullgari

Ushtarët profesionistë të larguar nga Armata e Maqedonisë theksojnë se me rastin e 18 gushtit, Ditës së Armatës, do të mbajnë një protestë, përmes së cilës do të bëjnë kërkesë që të shërbejnë në radhët e Armatës së Bullgarisë. Ata këtë vendim e kanë sjellë në shenjë revolte për shkak të largimit nga Armata e Maqedonisë.
“Jemi marrë vesh që më 18 gusht të dërgojmë një kërkesë drejt ambasadës bullgare për të shërbyer në radhët e armatës së tyre. Këtë e kemi bërë, pasi që vendi ynë na ka bërë të qartë se nuk jemi të nevojshëm për të shërbyer për Maqedoninë”, kanë theksuar ushtarët e larguar, raporton Ina.
Janë mbi 120 ish-ushtarë profesionistë, të cilëve u ka skaduar vendimi për angazhim në Armatën e Maqedonisë, për shkak se kanë mbushur moshën 38 vjeçare. Sipas ligjit në fuqi, ata duhet të braktisin ushtrinë. Ata nuk u përfshinë edhe me vendimin e vitit të kaluar të Ministrisë së Mbrojtjes për punësimin e ushtarëve profesionistë deri në moshën 45 vjeç./Indeksonline/