Bilanc qeverisës apo përçarje e shqiptarëve?
Milena Harito
-Një parti që qeveris në kushte normale, e ka shumë të lehtë fushatën. Shpjegon bilancin e saj dhe punët që ka bërë. Perspektivën gjithashtu e ka të qartë, sepse duke qenë në krye të punëve, e di mirë se ku çalojnë ato e çfarë i mbetet për të bërë. Ndërkohë situata, gjithnjë në kushte normale flasim, është më e vështirë për opozitën. E cila pa qenë në krye të punëve, duhet te tregojë se çfarë ka ndërmend të bëjë, pse është në gjendje ta bëjë më mirë se sa qeveria, ku ndryshon prej saj. Në ç’situatë ndodhemi ne në Shqipëri tani në prag zgjedhjesh? Në një situatë krejtësisht të përmbysur, sa absurde aq edhe groteske. Qeveria, me gojën e kryeministrit e kalon kohën para kamerave duke u marrë me opozitën, me organizimin e saj, me liderin e saj. Në asnjë moment nuk e dëgjojmë të flasë seriozisht për bilance, çfarë premtoi dhe çfarë realizoi, veç ndonjë inaugurimi mediatik dhe të paverifikueshëm. Çka është më e rëndë, mazhoranca aktuale e frymëzuar nga kryeministri përçan në mënyrë sistematike shqiptarët. Fryma që përçon kryeministri Berisha, i formuar dhe i ngurtësuar në kohën e luftës së klasave, është pikërisht një luftë klasash në të gjitha frontet: Kush nuk është me ne, është kundër nesh . Qofshin ata media, biznese, individë. Gjoba gjakatare ndaj bizneseve të etiketuara në mënyrë absurde si “të majta”, heqje e dhunshme nga puna e kujtdo që nuk është përgjunjur përballë regjimit. Ndërsehet veriu kundër jugut, myslimanet kundër të krishterëve, etj, etj. Në një demokraci të konsoliduar kryeministri dhe qeveria e zgjedhur me vota të lira është qeveri e të gjithëve. Të gjithë kemi dëgjuar presidentin Obama apo presidentin Hollande të deklarojnë “Falënderoj votuesit e mi që më dhuruan fitoren, por që nga ky moment jam përgjegjës për të gjithë, ata që më votuan dhe ata që nuk më votuan”. Kryeministrit Berisha duket se nuk i shkon mendja në asnjë moment që është kryeministër i gjithë shqiptarëve, nuk e ka thënë e ndoshta as nuk e ka menduar kurrë. Do të marr vetëm një shembull, jo i largët, por thuajse i harruar në këtë vendin tonë ku dhimbjet zgjasin pak. Greva e urisë e të përndjekurve politikë. Ata ishin shqiptarë, me sa duket të gjykuar nga mazhoranca aktuale si jo votues të saj, por ishin në një situatë të rëndë. A i begenisi ndonjë nga zyrtarët e lartë? Jo. Vetëm u përbaltën dhe u fyen. Një tjetër element obskurantizmi dhe mungese emancipimi shoqëror është dënimi publik i bijve për etërit me shprehje të llojit “bijtë e Bllokut”, ose i prindërve për fëmijë të rritur duke përmendur “djalin kriminel …” të njërit apo tjetrit. Në një demokraci të pjekur dhe në Europën ku të gjithë dëshirojmë të shkojmë çdo individ përgjigjet për veprimet dhe fjalët e tij. Në një demokraci funksionale hapin e parë të bashkëpunimit dhe konsensusit duhet ta bëjë gjithnjë më i forti, më i pushtetshmi. Bashkëpunimi i ofrohet opozitës, nuk kërkohet prej saj me dhunë. Me provokime publike, me deklarata shpifëse, me të pavërteta të ulëritura nëpër televizione nuk arrihet konsensusi. Arrihet vetëm me punë, bisedime dhe negociata reale. Por kur nuk je në gjendje të begenisësh disa shqiptarë të shkretë në vuajtje e grevë urie, që as si armiq nuk janë më të rrezikshëm, si mund të bashkëpunosh me njerëz më të fortë, që përfaqësojnë një peshë të vërtetë, më tepër se gjysmën e elektoratit shqiptar? Sali Berisha shtyn secilin prej nesh të nxjerrë në pah anën e vet më të keqe. Urrejtjen, mungesën e mendimit, polarizimin, sharjet, ekstremizmin. Nuk ka shoqëri të begatë në këto kushte. Nuk ka zhvillim në këto kushte. Nuk jetojmë sot në një demokraci të pjekur, të konsoliduar dhe funksionale. Sot fatkeqësisht shoqëria është shumë më e polarizuar se 10 vjet më parë. Por në gjithë këtë lumë urrejtjeje ka një lajm të mirë. Qëkurse kam marrë publikisht krah politik me Partinë Socialiste, një pjesë e vogël e njerëzve të njohur janë zhdukur. Padyshim, sepse jam klasifikuar tek "armiqtë" e rrezikshëm që nuk duhen frekuentuar, sepse mund “të na dalin probleme”. Ata më lënë një shije të hidhur kthimi mbrapa në kohën e Diktaturës. Po sa shumë të tjerë, të njohur e të panjohur janë afruar, sepse janë të lodhur? Të mbingopur nga kjo histori urrejtjeje, kampesh, lufte dhe llogoresh që funksiononte përpara 22 vjetësh, mbase edhe ende përpara 8 vjetësh, por që nuk përfaqëson më stadin tonë të zhvillimit. Mendoj që zgjedhjet e 23 qershorit në këtë kuptim do të jenë fundi i një epoke. Jo vetëm votë kundra të pabërave të qeverisë aktuale dhe sidomos kryeministrit të saj. Por një moment i vërtetë pjekurie për shoqërinë shqiptare. Për shumë vite kemi votuar në mënyrë tepër militante. Lajmi i mirë është që opinioni publik shqiptar është pjekur, nuk është më militant i një partie apo i tjetrës, por gjykon më ftohtë. Është detyra jonë, e PS-së, si forcë alternative që do të qeverisë nesër, të luftojmë me të gjitha forcat që qytetarët e Shqipërisë të mos humbin shpresën, në mënyrë që lodhja e tyre të mos kthehet në dëshpërim, por në akt besimi. Që gjithsecili të besojë tek fuqia e votës së vet dhe të zgjedhë jo si militant, por si qytetar i lirë, jo PS, por frymën krejtësisht të ndryshme që ajo përçon. Dhe programin e PS, program i qartë, social, shtetndërtues.