E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i dëmtimeve nga protesta, 6 persona kërkojnë ndihmë mjekësore te SUT dhe “Nënë Tereza”

Pas përfundimit të përplasjeve të dhunshme në qendër të kryeqytetit, strukturat spitalore kanë publikuar bilancin e ri zyrtar mbi personat e lënduar që kanë kërkuar ndihmë mjekësore deri në orën 21:00.

Pranë Urgjencës së Spitalit Universitar të Traumës (SUT) janë paraqitur për të marrë kujdes mjekësor pesë persona. Mes tyre figurojnë “4 kalimtarë, njëri prej të cilëve deklaron se është lënduar dje gjatë protestës”, ndërsa një tjetër prej tyre “u shtrua pas ekzaminimeve” të mëtejshme mjekësore për shkak të dëmtimeve të pësuara.

Gjithashtu, në këtë strukturë spitalore është trajtuar edhe “1 efektiv policie”, i cili mbeti i lënduar gjatë përballjes me protestuesit.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) është regjistruar paraqitja e një qytetareje. Sipas të dhënave nga spitali, bëhet fjalë për “1 protestuese, e cila u largua pasi mori mjekimin” e nevojshëm nga mjekët e rojes.

Autoritetet spitalore vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të gjendjes apo për paraqitjen e rasteve të tjera nga terreni.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›