Bilanci i lëvizjes feministe në 20-vjetorin e demokracisë
Sot është 20-vjetori i demokracisë shqiptare... Guxoj ta quaj kështu, sepse demokracinë në Shqipëri më shumë se sa zgjedhjet e sollën të rinjtë. E sollën ata të rinj që u pagëzuan dhe hynë në histori si Studentët e Dhjetorit. Ata që guxuan të vinin jetën në rrezik, duke u përballur me forcën e pamëshirshme te regjimit. Ata që rrezikuan me bindjen e plotë se ajo që po bënin në fundshekullin e XX-të për Shqipërinë ia vlente. Sakrifica e atyre mijëra vajzave dhe djemve po ulte siparin e vuajtjes së tre milionë shqiptarëve. Prandaj, ishin të shumtë burrat dhe gratë që u dolën në krah ato ditë të lagështa dhe të zymta dhjetori.
Po ç’ndodhi nga ai moment e deri sot? Kush fitoi dhe kush u harrua në rrugëtimin e gjatë 20-vjeçar të përshtatjes me ndryshimin?
Në vitin 1990 filloi një ndryshim historik në Shqipëri: përmbysja e regjimit socialist dhe hyrja në ekonominë e tregut të lirë. Çdo gjë që me pare dukej e ndaluar tashme ishte e arritshme. Pjesë e këtij ndryshimi ishin edhe vajzat dhe gratë që vendosen t’i bashkangjiten përpjekjeve për demokraci. Disa prej tyre ishin akademike, të përfshira në protestat e dhjetorit, të tjera ishin intelektuale që mendonin për krijimin e shoqërisë civile për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave. Shumë prej tyre morën pjesë në themelimin e partive të reja opozitare, duke kontribuar drejtpërsëdrejti në krijimin e pluralizmit partiak në Shqipëri. Kjo lëvizje spontane e grave pati ndikim në të gjitha fushat e jetës politike dhe qytetare. Shoqatat e para të pavarura të grave filluan të punojnë për krijimin e një imazhi të ri të grave: si intelektuale, të zgjuara dhe të zonjat.
Ndikimi i lëvizjes feministe u ndie edhe në krijimin e shërbimeve të reja për gratë (si strehëza dhe qendra këshillimi) si dhe ne lindjen e shtypit për gruan, si revista të përmuajshme në të cilat gratë gjetën vendin për t’u shprehur në sferën publike në media dhe letërsi. Prej punës së shoqatave të grave u krijua legjislacioni në mbrojtje të grave nga dhuna në familje, mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi, për nxitjen e punësimit të grave dhe të rinjve, si mënyra më e mirë për pavarësi dhe vetëmjaftueshmëri ekonomike, për ngritjen e shërbimeve për gratë dhe fëmijët, ndalimin e trafikimit të qënieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të trafikut njerëzor.
Gjithsesi, edhe pse pati një aktivizim të madh të grave në angazhimin qytetar, në politikë pjesëmarrja e tyre sa vinte e mpakej. Zgjedhjet e njëpasnjëshme politike dhe administrative shënuan një tkurrje të përfaqësimit femëror në politikë dhe u duk sikur gratë kishin falimentuar në ndërmarrjen politike për vetëpërfaqësim. Roli i grave shihej kryesisht i lidhur me sferën private dhe funksionet riprodhuese. Ndikimet e stereotipeve gjinore për gratë ushtroheshin si në plan personal, ashtu edhe atë shoqëror, duke i shndërruar në grup minoritar. Po ashtu edhe kërkesat e tyre për përfaqësim u nënvlerësuan dhe nuk u promovuan mjaftueshëm nga partitë politike. Atyre iu pamundësua angazhimi publik dhe iu përforcua (vet)identifikimi kolektiv si shtresë shoqërore e nënrenditur. Prandaj gratë gjetën angazhimin qytetar si formën më të mundshme për vetorganizim. Megjithatë, në kushtet e mosfinancimit të shoqërisë civile, ku peshën më të madhe e zinin organizatat e grave, edhe puna advokuese e grave për vetëpërfaqësim politik dhe pjesëmarrje ne vendimmarrjen publike u vështiresua. Po te mos kishte qenë per financimin e donatorëve te huaj, civile në Shqipëri nuk do te kishte ekzistuar fare. Mungesa e qendrueshmerise se fondeve per angazhim qytetar përmes shoqerise civile ka bere qe edhe zeri i grave per me shume hapesire ne politike te jete relativisht i dobët. Ketij problem i shtohet edhe mungesa e kultures demokratike dhe dobesia e demokracise se brendshme ne strukturat partiake.
Që në fillesat e demokracisë, shqiptarët aspiruan ta shihnin Shqiperine si gjithë Europa. Kjo aspiratë ka qenë e njëjtë si për burrat edhe për gratë; për këto të fundit edhe më shumë pasi me hyrjen e vendit në Europë kanë dashur të zbusin elementet patriarkale te shoqerise shqiptare. Sado te kene deshiruar grate te jene te pranishme ne arenen politike, politika ka ngelur domen i burrave. Edhe pse me formim te mire akademik, gratë ngelen te nënpërfaqësuara ne procesin vendimmarres.
Pengesat stereotipike janë përhapur në të gjithë strukturen dhe funksionet e shoqërisë dhe funksionojnë në mënyre të dukshme dhe të fshehur, duke ushtruar shumë presion mbi burrat për të qenë me patjetër të suksesshëm - edhe kur ata nuk munden dot dhe mbi gratë të jenë të varura - edhe kur ato nuk duan të jenë. Sigurisht, per shkak te vecantesive unike te personalitetit, te dallimeve individuale dhe diferencave te pushtetit, jo te gjithe burrat apo grate permbushin njesoj pritshmerite shoqerore.
Besimet tradicionale të gjinizuara që diferencojne grate dhe burrat ne pushtet, ne role dhe status, nuk pajtohen lehte me kerkesat socio-ekonomike te modelit bashkekohor te “‘dual worker and dual carer’ (qe te dy bashkeshortet punojne dhe perkujdesen per familjen). Ky model imponon nevojen per permbysje te normave kulturore te dala kohe qe kane demtuar mundesite e grave per zhvillim personal dhe kolektiv.
Pamundësia e normave të vjetra për të venë rregull në një realitet te ri socio-ekonomik rezulton ne ate qe Durkheim e quan ‘anomi shoqerore’. Anomia shpesh perben kercenim per rendin shoqeror dhe nese mendimi politik deshton te nderhyje ne kohe per te parandaluar efektet shkaterrimtare te anomise, ndodh ajo qe Zbignijev Brzezinski e cileson si ‘krize shoqerore’.
Në Shqipëri, megjithese mungesa e grave ne nivelet e larta vendimmarrese nuk duket te shkaktoje ndonje krizë shoqërore, në fakt ka shkaktuar një lloj tjetër krize: ate të (mos) përfaqësimit politik. Në realitet, jane ndermarre disa hapa per te ndrequr mungesen e balances se perfaqesimit gjinor ne politike, te cilat jane materializuar ne ligje e strategji, si per shembull ne Ligjin per Barazine Gjinore (2008) dhe Strategjine per Barazi Gjinore (2008). Megjithatë, mungojnë ndërhyrjet e mirëmenduara per ta përkthyer qëllimin e ligjit dhe te strategjise ne platforme te zbatueshme. Buxhetimi i perspektives gjinore dhe zbatimi i saj ne te gjitha nivelet qeverisese është sfida e rradhes për çdo qeveri. Ndërsa objektivi strategjik i rritjes se pjesemarrjes femerore ne procesin vendimarres eshte ne dore te partive politike, te cilat nuk do ta zbatojne ate per sa kohe nuk do te ndermarrin aksione afirmative te njemendta, pa i bere hile ligjit. Gjithesesi, arritja e barazise gjinore ne vendimmarrjen publike kerkon edhe me shume se kaq: kerkon ndryshim mendësish.
Persa i perket perfaqesimit te grave ne nivelet drejtuese te shtetit dhe ne poste te larta administrative shifrat flasin negativisht. Megjithese pati nje rritje te perqindjes se grave nga 7% ne zgjedhjet parlamentare te vitit 2005 ne 15% ne ato te vitit 2009, perseri synimi i ligjit per prani te grave ne parlament ne masen prej 30% nuk u arrit.
Gratë brenda politikes, te mbeshtetura nga grate e shoqerise civile, kane artikuluar qartazi kërkesen për një pjesemarrje të rritur të grave ne te gjitha pozicionet drejtuese në sferen publike. Presioni që grate kane ushtruar ndaj politikes per te qene pjese e saj është mbështetur kryesisht prej organizmave nderkombetare. Falë këtyre perpjekjeve gjate gjithe viteve te tranzicionit janë ndërmarre shume aksione per te ndryshuar disbalancen gjinore ne vendimmarrje. Përpjekjet kanë kulmuar me Ligjin per Barazi Gjinore dhe ndryshimet ne Kodin Zgjedhor për përfaqesim te balancuar gjinor te grave ne listat e kandidateve per deputete dhe kryetare bashkish e keshilltare vendore. Por, në vend që Kodi ta sanksiononte detyrimin ligjor për hartimin e listave me 30% gra të shpërndara uniformisht në listë, e saboton atë duke vendosur lidhezen dhe/ose. Partitë politike që hyne ne garen zgjedhore vune një grua në treshen e parë të emrave ose të dytë dhe pastaj i vazhduan listat me burra në vendet e sigurta, dhe i mbyllen me gra. Kryesisht 30-shi i grave u reflektua në fund të listes. Domethene emrat e grave kandidate sherbyen per te mbushur listat e partive politike per zgjedhje.
Dhe gratë grave në Shqipëri sot vazhdojnë të ndodhen të nënpërfaqësuara në të gjitha nivelet.
Si përfundim, nëse i referohemi fillesave të lëvizjes së gruas dhe kontributit të saj për një shoqëri të emancipuar dhe demokratike, shihet se apiratat e grave për të qenë pjesë e vendimmarrjes publike dhe e axhendës për ta çuar vendin drejt proceseve integruese europiane ngelen të parealizuara. Duket paradoksale që në vend qe te kishin me shume mundesi per perfaqesim, gjate viteve te demokracise, grate humben edhe ate nivel perfaqesimi qe gezonin para viteve ‘90. Pse grate humben politikisht ne demokraci? Perse grate u larguan nga arena politike dhe u kufizuan me shoqerine civile? Grate jane perpjekur te bejne ne shoqerine civile ate revolucion emancipues te shoqerise dhe politikes qe duhej te kishin bere brenda politikes. Kjo per arsyen e thjeshte se, ne keta 20 vite demokraci, atyre iu eshte mbyllur vazhdimisht dera e politikes dhe vetem pas vitit 2008 eshte hapur fare pak, 15%. I takon partive politike ta ndreqin kete situate te pakendshme te krijuar me se shumti prej atyre vete. Në radhë të parë, partitë politike kanë obligimin e madh moral të demokratizojne qeverisjen e vendit duke perfshire grate ne vendimmarrjen publike. Per te realizuar kete qellim, duhet ta nisin me demokratizimin e vetes (demokracine e brendshme). Ne rradhe te dyte, partite politike kane obligimin ligjor te zbatojne Ligjin per barazine gjinore dhe te bejne ndryshimet perkatese ne Kodin Zgjedhor per realizimin e kuotes perfaqesuese per grate prej 30%. Ne Bashkimin Europian, drejt te cilit synojme te shkojme, nuk do hyjne vetem burrat, por edhe grate, te cilat e kane treguar tashme se jo vetem aspirojne, por edhe kontribuojne perdite ne kete proces.
Autorja është pedagoge në Universitetin e Tiranës