Edi Rama mund të marrë ndere nga miqtë e tij, por jo edhe nga populli shqiptar i Kosovës
Shpallja e Edi Ramës qytetar nderi i Skënderajt, nga shtypi i opozitës u dha me bujë të madhe, edhe pse të shpallësh qytetar nderi i Skënderajt nga ana e Sami Lushtakut, është njësoj si të shpallesh qytetar nderi i Vlorës nga ana e Shpëtim Gjikës, siç ka bërë ky i fundit me Sami Lushtakun. Mjafton kaq për të kuptuar natyrën e vërtetë të këtyre shpalljeve honorifike, e që i bie të jetë vetëm një nder i ndërsjellë që miqtë, bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët i bëjnë njëri-tjetrit, por jo edhe si vlerësim i qytetarëve qoftë të Edi Ramës nga ana e shqiptarëve të Skënderajt, apo edhe të Sami Lushtakut, nga ana e qytetarëve të Vlorës. Është kështu për faktin se qytetarët e Vlorës as që kanë ditur, dhe ndoshta edhe sot e gjithë ditën nuk dinë se kush është Sami Lushtaku, kë përfaqëson ky dhe çfarë imazhi ka ai në Kosovë, kurse qytetarët e Skënderajt, edhe pse dinë për Edi Ramën, dinë aq sa dinë shqiptarët e tjerë të Kosovës. Dhe ajo që dinë shqiptarët e Kosovës, e rrjedhimisht edhe të Skënderajt për Edi Ramën, është se prej se është në krye të opozitës së majtë shqiptare në Tiranë, kjo opozitë ka bërë gjithçka kundër interesave shtetërore e kombëtare të shqiptarëve: bëri gjithçka për të penguar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në; bëri gjithçka për të penguar anëtarësimin e shtetit shqiptar në NATO; bëri gjithçka për të penguar liberalizimin e vizave me BE, dhe; bllokoi mundësinë që shteti shqiptar të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Por jo vetëm kaq: e majta shqiptare në krye me Edi Ramën ishte kundër ndërtimi të rrugëve që lidhin pjesët e ndryshme të kombit shqiptar, sidomos kundër autostradës Morinë - Durrës, si dhe bëri 21 janarin, si përpjekje për të marrë e pushtetin me dhunë. Pra, shqiptarët e Kosovës, e edhe të Skënderajt, dinë se opozita shqiptare në Tiranë, në krye me Edi Ramën me veprimtarinë e saj ka bërë që shteti shqiptar të mbetet shumë mbrapa shteteve të tjera rajonale në proceset integruese. Të kujtojmë me këtë rast se shteti shqiptar për shkak të bllokimeve që ka bërë opozita e majtë e Tiranës ka mbetur mbrapa Maqedonisë, mbrapa Malit të Zi dhe mbrapa Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE. Po të mos ishte politika bllokuese e Edi Ramës, shteti shqiptar do të ishte së paku kandidat për anëtarësim në BE, e ndoshta edhe do të kishte hapur edhe procesin e negociatave për anëtarësim të plotë. Kjo do të paraqiste një pozitë më të fortë gjeopolitike e gjeostrategjike të shtetit shqiptar, e rrjedhimisht edhe mundësi më të mëdha për të mbrojtur interesat kombëtare të shqiptarëve. Do të mjaftonin këto arsye që shqiptarët e Kosovës, por edhe të Skënderajt të kishin, ashtu edhe siç kanë pasur dhe kanë, përbuzjen dhe përçmimin për Edi Ramën dhe për të majtën shqiptare në përgjithësi. Në këtë kontekst, shpallja e Edi Ramës qytetar nderi i Skënderajt, nga ana Sami Lushtakut, është në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve të Skënderajt, të cilët shohin me këtë rast një kthim nderi që më parë Shpëtim Gjika, kryetari i Vlorës i kishte bërë Sami Lushtakut me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, dhe si mbështetje për efekt të fushatës zgjedhore për Edi Ramën. Është kështu për faktin se po të ishte në rrregull, Sami Lushtaku do të duhej të përfillte vullnetin e shqiptarëve të Skënderajt, të cilët janë po aq përbuzës dhe përçmues ndaj Edi Ramës, sa edhe shqiptarët e tjerë të Kosovës, dhe edhe nëse do të donte ta shpallte me çdo kusht Edi Ramën, qytetar nderi të Skënderajt, do të duhej të priste së paku të kryente punë me drejtësinë. Por urgjenca e shpalljes së Edi Ramës qytetar nderi të Skënderajt, edhe për shkak të fushatës zgjedhore, edhe për shkak të rrezikut që sheh Sami Lushtaku që nga ky proces gjyqësor të marrë ndonjë dënim, pas të cilit nuk do të mund të ishte më kryetar, ka bërë që të mos kihet parasysh asgjë tjetër dhe të mos pritet për ditë më të mira. Edi Rama, duket se i frustruar nga shumë aspekte të dështimeve të tij personale, e për më tepër edhe nga përçmimi dhe përbuzja që kanë shqiptarët e Kosovës për të dhe për të majtën shqiptare në përgjithësi, nuk ka dashur t’ia dijë se po shpallej qytetar nderi nga një kryetar komune dhe nga një Asamble Komunale që në pushtet janë me vota të vjedhura, ashtu siç ka deklaruar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e në të cilën komunë shkalla e vjedhshmërisë së votave ka shkuar në rreth 90% të votave të gjithëmbarshme. Për ta bërë më të qartë, Sami Lushtaku dhe partia e tij, në zgjedhjet e fundit, por edhe në të tjerat më parë ka marrë rreth 90% të votave, e që paraqet një vjedhje masive të votave. Së këndejmi, për një politikan që aq të madh e ka shqetësimin për vjedhje të votave, siç e paraqet veten Edi Rama, qoftë edhe vetëm për këtë arsye, nuk do të ishte dinjitoze të pranonte të shpallej qytetar nderi i Skënderajt. Mirëpo, Edi Rama jo që nuk e pati për turp të pranonte të shpallej qytetar nderi i Skënderajt, por e pati për nder, duke paraqitur këtë si një nder që i bëhej atij nga një zonë që kishte mbështetje të madhe për UÇK-në. Fakti se këtë akt honorik e paraqiti para zgjedhësve si një nder që i vinte nga një zonë që e kishte mbshtetur UÇK-në, Edi Ramën e bën të konsiderohet nga shqiptarët e Kosovës edhe si vazhdues i politikës përçarëse që e majta shqiptare ka mbajtur ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi që nga viti 1997 e deri më 2005, kohë kur ai nuk ishte në krye të PS-së. Është kështu për faktin se Sami Lushtaku nuk përfaqëson UÇK-në në tërësi, pasi as në pikëpamje organizative, ai nuk ka qenë më shumë sesa një komandant i diskutuar i një zone; se Sami Lushtaku nuk përfaqëson vijën ushtarake të Adem Jasharit; se edhe për Edi Ramën të gjitha strukturat e Ministrisë së Mbrotjes së Republikës së Kosovës në krye me kolonel Ahmet Krasniqin, Sali Çekajn, Agim Ramadanin, kolonel Tahir Zemajn e të tjerë si këta, nuk kanë qenë pjesë të UÇK-së. Duhet të kujtojmë me këtë rast, se para disa kohësh, familja e Adem Jasharit është distancuar nga veprimtaria e Sami Lushtakut dhe e Hashim Thaçit, të cilëve ua kishte mohuar mikpritjen në atë familje. Së këndejmi del se Sami Lushtaku përfaqëson vetëm një grup të vogël individësh, të cilët i lidh vetëm veprimtaria e dyshimtë gjatë kohës së luftës, korrupsioni, trafiqet e ndryshme kriminale, dhe veprimtaritë e ndryshme kundërshqiptare, por jo edhe idealet atyre që iu bashkuan UÇK-së si një ushtri çlirimtare. Dhe ky grup është shumë i vogël, i papërfillshëm nga shqiptarët, të cilët përçmimin dhe përmbuzjen ndaj tyre e treguan qysh më 2000 në zgjedhjet e para lokale, kur faktikisht mbi 70% e shqiptarëve u deklaruan kundër tyre, e që vetëm me shantazhe e kërcënime, detyruan që kjo përqindje të zbresë në 59%, dhe në të gjitha zgjedhjet e tjera sa ishte presidenti Rugova gjallë. Edhe në Skënderaj, sikurse tash, edhe në të gjitha zgjedhjet votat janë vjedhur masivisht, dhe nën kërcënimin se po qe se do t’i pengojnë, do të bojkotojnë proceset politike në Kosovë, por edhe se do t’i kapnin armët prapë.
Prandaj, të shpallësh qytetar nderi nga Sami Lushtaku, jo që nuk është ndonjë nder, por është një turp i madh për secilin politikan normal, dhe aq më keq të propagandohet si një nder që i bëhet nga një zonë që ka mbështetur UÇK-në. Sa për dijeni, UÇK është mbështetur nga të gjithë shqiptarët, sepse aty ishin bijtë dhe bijat e këtij populli, i cili kurrë nuk ka qenë me Sami Lushtakun dhe as me shokët e tij, dhe se pjesa dërmuse e pjesëtarëve të UÇK-së, kanë votuar për presidentin Rugova dhe partinë e tij.