Bildt, veriu: Prishtina, çelësi i marrëveshjes me serbët

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë Karl Bildt, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të fitojnë përkrahjen e qytetarëve të veriut të Kosovës. Sipas tij arritjen e një mbështetje të qytetarëve mund ta bëjë vetëm Prishtina e askush tjetër.
“Kjo nuk është e lehtë por duhet të arrihet. Në të kundërt ekziston rreziku që ai problem mund të zgjasë për një kohë. Nuk janë në pyetje ditët dhe javët, por është në pyetje çështja e viteve për të pasur integrim të plotë”.
Këto komente ministri i jashtëm suedez i bëri pas një takimi me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.
Bildt në një konferencë me gazetarët ka thënë se “në veri të Kosovës ka njerëz që nuk e duan pavarësinë e Kosovës, por ka edhe serbë të cilët jetojnë në jug të lumit Ibër dhe nuk jam i sigurt që ata thonë se e duan pavarësinë e Kosovës, por ata e kanë pranuar pavarësinë dhe jetojnë në të”.