Biletat per ndeshjen Shqiperi-Norvegji

Ndeshja e 7 qershorit Shqipëri-Norvegji ka zgjuar interesin e madh të tifozëve. Radhë të gjata dhe orë të tëra pritje për siguruar një biletë për të parë nga afër sfidën në “Qemal Stafa”.
Kanë pritur më shumë se pesë orë, por jo të gjithë kanë patur fatin të sigurojnë një biletë për ndeshjen Shqipëri-Norvegji…
Pas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit se biletat e mbetura do të hidheshin në treg më 4 qershor, tifozët janë grumbulluar që në orët e para të mëngjesit në dy pikat zyrtare të shitjes, atë pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe atë pranë 9-katësheve.
Nuk ka munguar tensioni dhe shtyrjet mes tifozëve. Disa kanë arritur të blejnë bileta, shumë të tjerë nuk kanë mbetur të kënaqur….
Biletat janë shitur në një kohë rekord, ndërsa në mesditë sportelet janë mbyllur. Sipas përgjegjësve për shitjen e biletave, më shumë se gjysma e tyre është prenotuar, ndërsa të martën janë hedhur në treg vetëm një pjesë e biletave për tribunat pas portave. Një tjetër parti biletash pritet të dalë sërish në shitje, por ndërkohë persona të ndryshëm i shesin ato në treg të zi, sigurisht me çmim më të lartë.
Ndeshja Shqipëri-Norvegji është decisive për kombëtaren kuqezi në eliminatoret e Botërorit 2014. Ky fakt ka bërë që edhe interesimi i tifozëve të jetë më i madh se zakonisht.