E Diel, 1 Nëntor 2026

Bill Klinton mbyll me sukses misionin në Penian, kthehen në SHBA dy gazetaret



SHBA – Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton, ka përfunduar me sukses misionin e tij në Penian dhe tashmë është kthyer në SHBA bashkë me dy gazetaret amerikane, pasi siguroi lirimin e tyre nga burgimi në vendin komunist. Presidenti Obama tha se ishte shumë i lehtësuar dhe falënderoi zotin Klinton për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme. Në një deklaratë, zoti Klinton tha se ishte i lumtur që vuajtja e dy gazetareve kishte mbaruar dhe se e kishte ndërmarrë këtë mision humanitar me kërkesë të familjeve të dy gazetareve, Shtëpisë së Bardhë dhe ish-zv/presidentit të tij Al Gore.
Mbyllja me sukses e misionit të ish-presidentit amerikan është përshëndetur nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Departamenti Amerikan. Presidenti Obama përshëndeti dje "punën e jashtëzakonshme", duke e cilësuar "si diçka të gëzueshme për mbarë popullin”.
Ndërsa sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, deklaroi dje se ishte "shumë e gëzuar dhe e kënaqur" për lirimin e dy gazetareve amerikane nga Koreja e Veriut. "Bisedova me bashkëshortin tim në avion dhe çdo gjë shkoi mirë. Jemi shumë të gëzuar për këtë", - deklaroi Klinton para gazetarëve në Nairobi. "Është një ditë shumë e mirë të shohësh realizimin e një diçkaje të tillë", - shtoi Klinton.
Dy gazetaret ishin dënuar me 12 vjet punë të rëndë pasi u gjetën fajtore se kishin hyrë në Korenë e Veriut ilegalisht. Por udhëheqësi i vendit, Kim Jong-il, i fali ato pas takimit me zotin Klinton.
Burime të larta amerikane tani thonë se Korea e Veriut kishte lënë të kuptohej edhe më herët se do të lironte gazetaret, nëse zoti Klinton bënte vizitë private në vend.
z. Klinton mbërriti në Korenë e Veriut të martën për një samit të papritur me udhëheqësin e vendit, Kim Jong II.
Misioni i tij për të liruar dy gazetaret provoi të ishte i suksesshëm pasi media shtetërore konfirmoi se ato kishin përfituar nga një falje speciale. Dy gazetaret vuajtën më shumë se 20 javë në burg në Korenë e Veriut pasi kishin hyrë në territorin koreanoverior nga Kina fqinje.

Alarmi, anijet bërthamore ruse u afrohen brigjeve amerikane

Dy nëndetëse bërthamore ruse kanë patrulluar larg bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë ditëve të fundit, në një mision të pazakontë që ka shtuar shqetësimet në Pentagon, njoftoi sot e përditshmja "The New York Times".
Ndërkohë që nëndetëset nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim provokativ përveç pranisë tyre jashtë ujërave territoriale amerikane, zyrtarët shprehën shqetësim për motivet e Rusisë për këtë një mision kaq të pazakontë, shkruante gazeta.
"Sa herë që marina ruse kryen ndonjë veprim kaq të veçantë dhe jashtë tablosë së zakonshme kjo përbën shqetësim", deklaroi për gazetën një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, i ngarkuar me verifikimin e njoftimeve mbi veprimet e nëndetëseve.
Marina amerikane arriti të zbulonte nëndetëset ndërkohë që ato afroheshin përmes ujërave ndërkombëtare pranë brigjeve amerikane, shtoi zyrtari për gazetën. "E dinim pozicionin e tyre dhe nuk jemi të shqetësuar për aftësitë tona në zbulimin e nëndetëseve", - u shpreh zyrtari. "Jemi të shqetësuar për faktin që ndodhen aty", theksoi ai.
Njëra prej nëndetëseve ruse qëndroi në ujërat ndërkombëtare rreth 200 milje larg brigjeve amerikane dhe nëndetësja e dytë bëri një ndalesë në Kubë dy ditët e fundit, njoftonte gazeta, që citonte zyrtarë Departamentit amerikan të Mbrojtjes, të cilët nuk pranuan të identifikoheshin. Zyrtarët e Departamentit amerikan të Mbrojtjes nuk deklaruan asgjë mbi llojin e armatimit që mund të kishin nëndetëset. Pentagoni nuk bëri asnjë deklaratë mbi këtë njoftim

Eurostat: Popullsia e BE-së do të arrijë gjysmë miliardi në vitin 2009

BRUKSEL - Popullsia e Bashkimit Europian do të arrijë në 500 milionë banorë brenda vitit 2009, bëhet e ditur sipas shifrave të fundit të publikuara nga Eurostat. Numri i përgjithshëm i popullsisë në 27 vendet anëtare të BE-së u rrit me 2.1 milionë banorë, ose 0.4 për qind, gjatë 12 muajve deri më 1 janar të vitit 2009 dhe numri aktual i përgjithshëm i popullsisë së bllokut është 499.8 milionë banorë, bëhet e ditur sipas të dhënave më të reja të agjencisë evropiane të statistikave.
Në të gjitha vendet e BE-së lindën 5.4 milionë fëmijë, apo 0.3 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë, ndërsa vdiqën 4.8 milionë persona, pothuajse i njëjti nivel me vitin pararendës.
Gjermania duket se nuk ka ndjekur këtë trend të përgjithshëm, pasi në këtë vend u regjistruan 675,000 lindje kundrejt 844,000 vdekjeve, që do të thotë se numri i përgjithshëm i popullsisë gjermane në vitin 2008 u zvogëlua me 168 mijë njerëz, duke arritur në 82.1 milionë banorë.
Niveli më i lartë i lindjeve u regjistrua 0.8 për qind në Lituani, por megjithatë numri i popullsisë së saj ka vazhduar të ulet pasi atje u regjistruan 44,000 vdekje.
Irlanda vazhdon të ruajë kryesimin si vendi më pjellor i BE-së me 16.9 lindje për 1,000 banorë, e pasuar nga Franca me 13 lindje për 1000, Britania e Madhe me 12.9, Estonia me 12.0, Suedia me 11.9 dhe Danimarka me 11.8 lindje për çdo 1 000 banorë.
Por Gjermania vazhdon të mbetet vendi me popullsinë më të madhe në BE me 82 milionë banorë deri më 1 janar të vitit 2009, e pasuar nga Franca me 64 milionë, Britania e Madhe me 62 milionë dhe Italia me 60 milionë banorë.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›