E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuesit, rreth 1885 familje përjashtohen nga ndihma ekonomike



Rreth 1885 familje përjashtohen nga skema e ndihmës ekonomike për shkak të abuzimeve të kryera. Nga kontrollet që janë bërë në 219 njësi të qeverisjes vendore janë vënë re abuzime të shumta, nga administrata lokale, të cilat kanë lejuar futjen në këtë skemë të familjeve që nuk plotësojnë kriteret. Specialisti Leonard Strazimiri, pranë Shërbimit Social Shtetëror në Tiranë, shprehet se familjet janë përjashtuar për shkak të abuzimeve. “Nga 219 inspektime që ne kemi ushtruar janë konstatuar rreth 1885 raste ku familjet trajtoheshin në kundërshti me legjislacionin në fuqi. Për të gjitha këto raste është marrë masa e largimit nga skema ekonomike për këto familje, si dhe janë propozuar masat administrative ndaj personat përgjegjës. Janë propozuar gjithsej 45 masa administrative, kryesisht 32 masa vërejtje me paralajmërim për largim nga puna për administratorët lokale”,-theksoi Leonard Strazimiri. Familjet abuzuese që janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike, kanë qenë të përqendruara në zonat verilindore të vendit, të cilat përcaktohen dhe si më të varfrat, pasi kanë dhe numrin më lartë të atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›