E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parcelat e hashashit mbërrijnë në Dajt, policia e zbulon rastësisht



Antidroga e Policisë së Tiranës, ka mundur zbulojë një parcelë me bimë narkotike në periferi të kryeqytetit. Dje në mesditë specialistët e seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve, pas informacionet e marra se në fshatin Qesarak, Komuna Dajt, ndodhej e mbjellë në një parcelë me një numër të pa përcaktuar, rrënjë bimë narkotike, të llojit Cannabis Sattiva, kanë mbërritur për të kryer verifikimet. Burime nga policia thanë se specialistët bënë të mundur sekuestrimin e afro 87 rrënjë bimë narkotike, të dyshuara si “Cannabis Sattiva”, të mbjella në një parcelë, truall i cili dyshohet të jetë pa pronar. U kryen veprimet proceduriale, dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa i ka kaluar materialet prokurorisë, për veprën penale “kultivimit të bimëve narkotike”. Nga studimet e bëra rezulton se droga më e përdorur dhe më e përhapur në Shqipëri është kanabis sativa. Pas saj një numër më i vogël përdor heroinë dhe kokainë, që janë droga të forta dhe të shtrenjta. Problematika kryesore shfaqet tek adoleshentët të cilët janë viktimat e para të drogave. Ndërkaq në vend, një sërë shoqatash, organizatash dhe institucionesh shtetërore punojnë dhe ofrojnë asistencë për të droguarit. Një përqindje e mirë e të trajtuarve i rezistojnë rikthimit në përdorimin e drogës, ndërkaq një pjesë tjetër i rikthehet asaj sapo largohet nga qendra e intoksikimit. Përdorimi i drogave në vend, në të shumtat raste bëhet edhe në ambiente të hapura, ndërsa nuk mungojnë rastet kur banorë të pallateve në Tiranë, gjejnë shiringat e përdorura nga narkomanët pas marrjes së dozës. Gjithashtu në kryeqytet janë bërë dhe operacionet më të mëdha të personave të cilët janë ndaluar nga forcat policore për shitje, përdorim të lëndëve narkotike, të ndryshme, që nga ato më të lehtat deri tek ato më të rëndat dhe me të shtrenjtat. Edhe pse uniformat blu të kryeqytetit kanë zhvilluar operacione të shumta për prangosjen e personave të cilët merren me shitjen e lëndëve narkotike, ky është një fenomen i vështirë për tu asgjësuar përfundimisht.

“Krehja 2009”, zbulohen 2 mijë e 500 rrënjë kanabis në Krujë

Në vijim të zbatimit të Plan-Veprimit “Për parandalimin, organizimin e punës për kryerjen e operacioneve policore për identifikimin, asgjësimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe ne zbatim të plan-operacionit të koduar “Krehja 2009” , nga efektivat policore të Krujës është bërë e mundur kapja e një sasie të re toke të mbjellë me bimën kanabis sattiva. Sipas të dhënave, u bë e mundur që në fshatrat Bruz- Zall dhe Mafsheq, në një terren të pyllëzuar toke, të gjenden 3 hapësira të ndara nga njëra-tjetra me një sipërfaqe prej 1980 metra katrore e mbjellë me 2435 rrënjë bimë narkotike “Cannabis Sativa”, të cilat kishin një lartësi nga toka prej 60-220 cm. Pas kryerjes së veprimeve proceduriale e gjithë sasia u asgjësua me përjashtim të tre rrënjëve, të cilat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme pranë Insitutit të Policisë Shkencore.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›