Presidenti i Kosovës: “Çdo ndërrim kufijsh do të ishte shumë i rrezikshëm”
Kosova ka kuptimin e vet vetëm si tërësi, si shtet unik, me integritet të paprekshëm territorial, dhe për këtë ka edhe përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare. Kështu është shprehur dje presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që zhvilloi me banorët e fshatrave Koshtovë, Cerajë dhe Bistricë të komunës së Leposaviqit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve të këtij takimi, presidenti Sejdiu – siç thuhet në një komunikatë të Presidencës - theksoi se Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe si e tillë, në kufijtë e saj, është njohur nga të gjitha vendet që e kanë pranuar shtetin tonë.
Sovraniteti
Presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu, tha se çdo ndërrim kufijsh në rajon do të ishte shumë i rrezikshëm, prandaj qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është i pandryshueshëm: secili në shtëpinë e vet, secili në kufijtë e vet shtetërorë. Ai i ka siguruar qytetarët e kësaj ane se do të angazhohej edhe më tej për përparimin e këtyre fshatrave, si dhe do t’i nxisë institucionet që të jenë shumë më të pranishme në këtë rajon të Republikës së Kosovës. Gjatë një bashkëbisedimi të hapur me banorët e kësaj pjese të vendit, presidenti ritheksoi se vizion i institucioneve tona është Kosova e qytetarëve të lirë dhe të barabartë, pavarësisht nga dallimet etnike.
Edhe nga këtu, presidenti Sejdiu, iu dërgoi mesazh qytetarëve serbë të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, në mënyrë që – siç u shpreh ai – të kontribuojnë për të ardhmen më të mirë të tyre dhe të Kosovës.
Ideja
Pak ditë më parë një kongresist amerikan, njohës i çështjeve të Ballkanit, hodhi idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, ish i dërguari i BE-së në Prishtinë, ambasadori Volfgang Petriç tha se edhe shqiptarët, por edhe serbët, duhet të mësojnë se si ta pranojnë diversitetin në shoqëritë e tyre. Ai tha se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është një zgjidhje në kohën e integrimeve europiane. Sipas tij, kjo ide ndoshta mund të nxiste një dialog më të gjerë rajonal, me përfshirjen e politikanëve dhe të shoqërisë civile në Luginën e Preshevës dhe në Mitrovicë.
Dyshtetësia e një maqedonase-bullgare fut në sherr Shkupin me Sofjen?????????
Një tjetër konflikt del në skenën e grindjeve ballkanike. Kësaj radhe janë bërë shkas debatet për shtetësinë dyfishe që kanë maqedonasit që pretendojnë se kanë origjinë bullgare. Arrestimi i një qytetareje me shtetësi të dyfishtë në Shkup ka bërë që tensionohen marrëdhëniet diplomatike me Bullgarinë fqinje. Versioni zyrtar maqedonas është se 23-vjeçarja Spaska Mitrova është dërguar të vuajë dënimin me burgim prej tre muajsh për shkak se nuk ka lejuar ish burrin e saj që të vizitojë vajzën e tyre dy vjeçe. Mirëpo, pretendimet nga Sofja janë krejtësisht të tjera dhe - politike: thuhet se ajo është dënuar për shkak se është deklaruar bullgare, se ka pasaportë bullgare dhe përmendet ndër riaktivizuesit e e një shoqate bullgare në Maqedoni.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë duke kërkuar lirimin e Mitrovës ka lënë të kuptohet se nëse kjo nuk ndodhë, Sofja do të bllokojë integrimin europian të Maqedonisë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ka deklaruar për median maqedonase autoritetet në Shkup ushtrojnë presion administrativ, policor e tjetër mbi qytetarët bullgarë dhe ata maqedonas me ndjenja bullgare pikërisht për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare. Si reagim ndaj kësaj, të mërkurën Ministria e Jashtme e Maqedonisë bëri të ditur se ka refuzuar notën bullgare të protestës me vërejtjen se, sikundër thuhet, dy shtetet nuk duhet të lejojnë shpërdorimin e shtetësive dhe të pasaportave si alibi për njerëzit që kanë probleme të divorcit apo të fshehjes së tatimit, si rasti i ish-ministrit të Shëndetësisë, dhe se autoritetet bullgare do të distancohen nga ajo që autoritetet maqedonase e quajnë manipulim klasik me fatet e njerëzve.
6 Gusht 2009