Bilt: “Marrëveshja Hollbruk – Karaxhiç nuk ka ekzistuar kurrë”
Ekzistimi i një marrëveshje mes ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe përfaqësuesit të administratës së Bill Klinton në vitin 1995, Riçard Hollbruk është hedhur poshtë nga ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bilt. “Një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar kurrë”,- ka deklaruar Bilt për radion suedeze. “Holbruk dhe unë gjatë viteve 90, kemi bërë përpjekje të mëdha për të detyruar NATO-n që të arrestonte Karaxhiçin. Këto përpjekje dështuan, por ky është një rrëfim tjetër”,- ëhstë shprehur ish emisari për Ballkanin Karl Bilt. Karaxhiç në seancën e parë në gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ku u njoh me akuzat që rëndojnë mbi të, akuzoi SHBA-të me në krye Hollbruk se kishin bërë një pakt të fshehtë i cili e mbajti larg burgut dhe jetës pubike e politike. Vetë Hollbruk hodhi poshtë deklaratën e Karaxhiçit, duke u shprehur se të gjitha rrëfimet e tij janë të sajuara e të pavërteta. Ish-lideri serb i Bosnjës ka depozituar në gjykatë një dokument prej katër faqesh, ku paraqet të dhënat e marrëveshjes së tij të fshehtë me komunitetin ndërkombëtar. Në këtë dokument, Karaxhiç formulon akuzat ndaj të dërguarit të administratës Klinton në Ballkan në vitet '90. Sipas Karaxhiçit, në vitin 1996 Hollbruk i kishte garantuar imunitet nëse ai do të tërhiqej menjëherë nga jeta publike. Kjo nuk është hera e parë që përmendet një pakt i tillë. Në vitin 2004, bashkëshortja e Radovan Karaxhiçit, Liljana Zelen-Karaxhiç, konfirmoi se një marrëveshje e tillë ekzistonte. Ndërsa, Florence Hartman, këshilltare dhe zëdhënëse e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte është shprehur se Riçard Hollbruk përgënjeshtron si gjithnjë dhe Karaxhiç nuk jep asnjë provë të mjaftueshme. Pra, është fjala e njërit kundër tjetrit. “Nuk mund të dimë të vërtetën, nuk e kemi ditur kurrë, por 11 vitet e tij në arrati hedhin dyshime lidhur me këtë”,- ka theksuar Hartman, duke shtuar se “ndoshta, Karaxhiç ishte ruajtur për t’u përdorur si një kartë e vlefshme”. Ndërkohë, në një intervistë të publikuar në 24 korrik në gazetën serbe “Vecernje Novosti”, pas arrestimit të Karaxhiçit, ish-ministri i Jashtëm i Republikës Serbe të Bosnjës, Aleksa Buha, tha se ekzistojnë “dy marrëveshje që garantonin paprekshmërinë e ish-liderit serb të Bosnjës në këmbim të largimit të tij nga jeta publike. I pari është mbyllur me Hollbruk në vitin 1996, dhe i dyti një vit më vonë, në Banja Luka mes presidentes së Republikës Serbe të Bosnjës, Biljana Plavsiç dhe sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që konfirmon sërish se Karaxhiç nuk do të arrestohej dhe gjykohej nëse do të zhdukej përgjithnjë nga jeta publike.
4 Gusht 2008