E Diel, 1 Nëntor 2026

Midis një shkrimtari dhe një shkruesi...



Një ditë, gazeta “Liberation” më ka drejtuar pyetjen e zakonshme: “Përse shkruani?” Një pyetje e tmerrshme. (Një ditë, një fillestar i ri në moshë më ka pyetur: “A keni ndonjë këshillë për t’ia dhënë atij që sapo fillon të shkruajë?” Përgjigja ime ishte: “Mos shhkruani, por telefononi!” Sigurisht, ishte një shaka.) Pyetjes së gazetës “Liberation” i kam thënë të vërtetën, pasi kam pasur përshtypjen se po më pyeste pakëz në formë polemike, vetëm sepse prej një viti shkruaja në prozë. Mbase po të kisha vazhduar të publikoja vetëm libra semiologo-filozofike, as që do të ma bënin këtë pyetje.

A mund të bëhet dallimi midis shkrimtarit “krijues”, me fantazi, me një shkrimtar “eseist”, apo, siç është shprehur dikush, midis “një shkrimtari dhe një shkruesi”? Mos ndoshta në këtë rast Aristoteli dhe Kanti klasifikohen si nëpunës banke, policie, ose si kushdo tjetër që shkruan një letër? Cili është ndryshimi? A mos është ndryshimi në faktin se librat e një hartuesi, siç është Kanti, trajtojnë ndonjë ide, ndërkohë që veprat e shkrimtarëve paraqesin vetëm “figura poetike”? Kjo nuk është e saktë, ndryshe Tomas Mani nuk do të ishte shkrimtar, por një shkrimtaruc.

Umberto ECO

Romanin e parë e kam shkruar në një mënyrë, që do ta përcaktoja si të papërgjegjshme. Askush nuk ma ka kërkuar, askush nuk e ka pritur dhe nuk kam qenë i detyruar që dikujt t’ia dëshmoj. Thjesht, me shumë pasion, iu përkushtova dhe kjo është e gjitha. Ndërkohë, duke shkruar romanin tjetër, jam munduar shumë më tepër. Shpesh kam pyetur veten: po shkruaj nga nevoja për të rrëfyer, apo për t’i pohuar vetes se jam i aftë të shkruaj roman tjetër e për t’u mbyllur kështu muaj me radhë? Mbase do të kisha shkruar “po shkoj”, duke pyetur veten sesi do ta prisnin atë kritikët. Më pas, përsëri do të shkruaja “kam shkuar” e pastaj përsëri “po shkoj”. Unë kam bindjen se çdo faqe e kam shkruar të paktën dhjetë herë dhe ruaj kuti të tëra me variante e kapituj të anuluar.

* * *
Pas gjithë kësaj, zgjodha strukturën komplekse të narracionit. Tek “Emri i trëndafilit” (përkthyer në shqip nga Donika Omari – shën. i red.) tregimi fillon ditën e parë dhe mbaron ditën e shtatë. Plani është i qartë, ecën sipas radhës, kështu që kam pasur mundësi të shkruaj kapitujt e fundit para atyre të fillimit. Te “Lavjerrësi” rrëfimi fillon nga fundi, më pas kthehet tri ditë prapa, që andej dhjetë vjet më parë dhe përsëri ecën tutje, e kështu me radhë. Kjo më duket e çuditshme, por pikërisht për këtë arsye nuk isha në gjendje të parashikoja kohën. Secila nga këto dhjetë pjesë ishte e dukshme, si Kepi i Shpresës së Mirë, që duhej anashkaluar për të ecur më tej. Kjo më ka lodhur shumë, se nuk e kam ditur nëse do t’i shkoja deri në fund. Mbase për këtë arsye, romani rrëfen pikërisht ngjarjen sesi ka filluar. Kur shkruaja romanin e parë, kisha dëshirë që të mos arrija asnjëherë deri te fjala “fund”. Jam argëtuar shumë duke shkruar atë roman. Përkundrazi, kur në romanin e dytë e kam detyruar veten që ta përfundoj, sepse duke rrëfyer ngjarjen rreth një shqetësimi, e ndjeva se ajo filloi të më përfshinte edhe mua. Madje, më pushtoi më tepër seç duhej, prandaj duhej përfunduar. Por mund të them se nuk e përfundova sipas këshillës së narratologut, por sipas këshillës së neurologut tim.
Por ka edhe një ndryshim, sepse “Emri i trëndafilit” merret me të kaluarën e largët. Iu drejtova asaj së kaluare pashmangësisht nëpërmjet syve të mi dhe sentimentalizmit të njeriut të sotëm, por të tillë që përpiqet të mendojë siç kanë menduar njerëzit mesjetarë. Isha i sigurt se po flisja për njerëzit që tashmë kishin rrëfyer. Ndërkohë, te “Lavjerrësi” kam treguar ngjarjen e sotme, tonën, që në fakt ende nuk ka përfunduar. Ishte e natyrshme që jam munduar shumë, që kam shkruar më shumë në formën e një pyetësori, por gjithçka u bë më e paqartë.
Në të vërtetë, u realizua ajo që doja. U ndjeva i kënaqur kur një mik, pasi kishte lexuar dorëshkrimin, më tha se ishte ndier ngushtë dhe aspak mirë, sepse këtë gjë kërkoja dhe se ashtu isha ndier edhe vetë gjatë shkrimit. Sidoqoftë, romani tjetër paraqiti rrezikshmëri për mua, një kusht jetik që nuk ka ekzistuar për të parin. Të shkruarit e një libri të ri paraqet shumë rrezik, sepse i nënshtrohemi gjykimit të të tjerëve. Por të shkruarit e romanit të ri, pas suksesit që pati i pari, “Emri i trëndafilit”, edhe mund të më rrezikonte linçimin.

* * *
Një ditë, gazeta “Liberation” më ka drejtuar pyetjen e zakonshme: “Përse shkruani?” Një pyetje e tmerrshme. (Një ditë një fillestar, i ri në moshë, më ka pyetur: “A keni ndonjë këshillë për t’ia dhënë atij që sapo fillon të shkruajë?” Përgjigja ime ishte: “Mos shhkruani, por telefononi!” Sigurisht, ishte një shaka.) Pyetjes së gazetës “Liberation” i kam thënë të vërtetën, pasi kam pasur përshtypjen se po më pyeste pakëz në formë polemike, vetëm sepse prej një viti shkruaja në prozë. Mbase po të kisha vazhduar të publikoja vetëm libra semiologo-filozofike, as që do të ma bënin këtë pyetje. E përse? Mos vallë as Aristoteli nuk ka shkruar? Mos vallë as Kanti nuk ka shkruar gjë? A mund të bëhet dallimi midis shkrimtarit “krijues”, me fantazi, me një shkrimtar “eseist”, apo, siç është shprehur dikush, midis “një shkrimtari dhe një shkruesi”? Mos ndoshta në këtë rast Aristoteli dhe Kanti klasifikohen si nëpunës banke, policie, ose si kushdo tjetër që shkruan një letër? Cili është ndryshimi? A mos është ndryshimi në faktin se librat e një hartuesi, siç është Kanti, trajtojnë ndonjë ide, ndërkohë që veprat e shkrimtarëve paraqesin vetëm “figura poetike”? Kjo nuk është e saktë, ndryshe Tomas Mani nuk do të ishte shkrimtar, por një shkrimtaruc.
Po përse atëherë thuhet se Galileo nuk ishte vetëm një shkencëtar, por edhe një mjeshtër i prozës italiane? Ndoshta, sepse ai është shkrimtar kur shkruan bukur dhe eseist kur parashtron koncepte matematike? Sipas këtij këndvështrimi, Platoni duhet konsideruar shkrimtar i madh për arsye linguistike e jo për vlerën e mendimeve të tij! Po Aristoteli që shkruante shkurt e vetëm thelbin? Po Heminguei dhe Rob-Grije që i përshkruajnë gjërat me një saktësi ekstreme? Komponenti estetik nuk është i mjaftueshëm. Kritika e një mendjeje të shëndoshë është gjithashtu krijim, ashtu siç është edhe një ligj fizike i Anshtainit. Nëse do të përdornim shprehjet, siç bën një bibliotekar, dhe i vendosim në sallën A të ashtuquajturat përmbajtje krijuese, kurse në sallën B të ashtuquajturat përmbajtje shkencore, a do ta vinim Poankaren me Platonin në sallën B, kurse ndonjë poet varfanjak apo romancier popullor do ta vinim me Shekspirin e Molierin? Dikush mendonte se ndryshimi qëndron në raport me të vërtetën. Filozofi dhe eseisti që kanë përgjegjësi për të vërtetën dhe që e shprehin atë, ndërkohë që predikuesi e trillon, kërkojnë prej jush që të merrni pjesë në lojën e trillimit, megjithatë dallimi është i paqartë. Kur Leopardi flet për dashurinë e tij ndaj Silvës, mbase dëshiron të merrni pjesë në trillim! Ai thotë: “Kështu kanë ndodhur gjërat në realitet, jeta është e tillë, ndërsa jeta ime ka qenë e këtillë!”
Mendoj se ndryshimi gjendet në mënyrën e shumëllojshme të interpretimit të përmbajtjes së vet. Po të shkruaj një libër për semiotikën, do të diskutoj për një shekull me ata që, sipas mendimit tim, nuk do ta kishin kuptuar atë që kam dashur të them. Prandaj do të polemizoj me kritikët e mi e do të vazhdoj të shkruaj ese pas eseje, për të përsosur interpretimin. Ndërkohë, nëse shkruaj letërsi të mirëfilltë, “krijuese”, ndihem i detyruar moralisht dhe nuk protestoj kundër asnjë interpretimi, siç do ta shohim, por atë as nuk e inkurajoj. Shkencëtari-shkrimtar e kalon jetën duke mbrojtur, duke sqaruar e duke formuluar zbulimet konkrete që i ka arritur në saje të arsyetimeve këmbëngulëse. Në të kundërtën, shkrimtari i letërsisë artistike nuk shkruan për të vërtetuar diçka: ai nxjerr në skenë kontradiktat e jetës. Shkencëtari vihet para problemit, i gatshëm për të bërë ç’është e mundur që t’i japë një zgjidhje të vetme. Ndërkohë që funksioni i tekstit krijues është që të ruajë paqendrueshmërinë, kuptimin e dyfishtë e të padepërtueshëm, që të përpiqet të nxjerrë në pah bindjen e fortë, besimin se ndonjë problem nuk ka vetëm një zgjidhje, por dy ose më shumë. Prandaj mund të thuhet se kuptimi i dyfishtë te filozofi konsiderohet mangësi, kurse te poeti është vlerë.
Rastësia ekziston gjithnjë. Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare i thashë vetes se duhej të lexoja me shumë kujdes “Uliksin”, sepse dikush më kishte thënë që duhet ta shfletoja e ta studioja, më saktë, të thellohesha në të. E me të vërtetë, në atë libër që nuk e njihja ende, gjeta diçka që preku ndjenjat e mia. Për faktin se jemi futur thellë në hulumtime, nuk e dimë se cila thellësi do të preket. Në këtë rast përgjigja ime gjendet tek eseja që kam shkruar për Xhojsin. Ka edhe shkrimtarë të tjerë që i kam lexuar e që i kam njohur mirë, por që nuk kanë ndikuar tek unë. Ndërkohë, të tjerët që kanë ndikuar thellë tek unë më vonë, nuk patën rëndësi, edhe pse më lanë ndonjë gjurmë. Por edhe të tjerët, që i kam lexuar para tridhjetë viteve, e kam kuptuar se kishin ndikuar tek unë, madje, pa qenë i vetëdijshëm. Përvoja e fituar nëpërmjet leximit përzihet pa u ngatërruar. Nuk mund ta them përse libri “E kuqja dhe e zeza” u bë libër i rëndësishëm për mua në një moment leximi, sepse këtë libër unë e kisha lexuar edhe më parë dhe atëherë nuk më kishte bërë aspak përshtypje. Më vonë ndodhi diçka në jetën time që ndikoi në kujtesën vetjake e më detyroi ta rilexoja edhe një herë këtë libër, që diku në nënvetëdije kishte lënë gjurmë të zbehta. Ato gjurmë me siguri që ishin ngulitur aq fort, sa më detyruan përsëri ta zbuloja atë shkrimtar. Kështu, ndodh që një ditë të zbulojmë se një shkrimtar ka ndikuar te ne, ndërsa ne nuk kemi qenë të vetëdijshëm për këtë.

* * *
Mitet e vjetra të kanibalëve thonë se, nëse hamë armikun e mundur, të atin apo dikë tjetër, bashkë me ta ne absorbojmë edhe virtytet e tyre. Me fjalë të tjera, mbajtja e ligjëratave të përditshme do të thotë të takosh njerëz të rinj që janë më të rinj se ti, që kanë ide të ndryshme e që na nxjerrin probleme. Kjo është sfidë, sepse duhet t’u përshtatesh kërkesave e problemeve të gjeneratave të reja, në mos nga ana biologjike, nga ana psikologjike. Pra, të ligjërosh, do të thotë të përzgjedhësh rininë e risitë, sepse ai që ligjëron gjithmonë ka rrezik të përsërisë idetë që ka pasur në fillim. Ndërsa kur ndodhemi para brezit të ri, ai ju bën pyetje të reja dhe ju duhet të jeni në gjendje që t’u përgjigjeni, po ashtu dhe të detyroheni të ripërtëriheni.
Para pak kohësh prej meje kanë kërkuar që të jap definicionin e konceptit “tërheqës” dhe unë jam përgjigjur se nuk ka një definicion absolut për këtë koncept. Gjithçka mund të jetë tërheqëse. Nuk besoj se ekziston joshja si diçka më vete. Gjithmonë ekziston diçka tërheqëse për dikë.
Një ditë Zhakob Bemit iu duk nteresante ngjitja prej kallaji mbi të cilën binin rrezet e diellit dhe kjo gjë u bë një përvojë fondamentale (mistike) e jetës së tij. Gombriçit iu duk interesante të meditonte rreth hobbyhorse, pra, rreth dridhjeve të zakonshme të fshesës. Për Flemingun ishte diçka interesante të arsyetonte për një lloj vallëzimi, kurse për Galileon ishin luhatjet e fenerit në Kullën e Pizës. Për zonjën Kyri paraqisnin interes gjurmët që la në letër një lloj minerali. Në një nga tregimet e njohura të Sherlok Holmsit (“A study in scarlet”), kur për të gjithë ishte diçka interesante që dikush kishte shkruar në faqen e një shpelle fjalën “Rach”... atij i ngjalli interes lartësia ku ishte shkruar gjysma e fjalës. E tërë vepra e Frojdit është demonstrim i mënyrës në bazë të së cilës mund të zgjidhet një rast psikologjik, duke u marrë me ndonjë lapsus, me zgjidhjen e ndonjë fjale, në vend të një tjetre, me detajin e ndonjë ëndrre për të cilën të tjerët do të thonin se është vetëm e rastit ose absurde.
Në të gjithë shembujt që kam sjellë (dhe që i përkasin kërkimit shkencor, arsyetimeve metafizike, kritikës, artit, psikanalizës apo hetimit policor), për dikë ishte interesante diçka që shumë të tjerëve u dukej pa asnjë rëndësi. Ja, pra, problemi i vërtetë: çdo qenie njerëzore merret me diçka që nuk e shmang interesin (sidomos kur për dikë është tërheqëse ajo për të cilën interesohen të gjithë: piramidat egjiptiane, deti i trazuar, demi i tërbuar, pylli i Amazonës). Por interesante janë ato raste kur dikush gjen diçka tërheqëse, që nuk është për të tjerët. Kjo atij i duket interesante sepse, duke arsyetuar për një detaj të tillë të parëndësishëm, arrin të zbulojë diçka shumë të rëndësishme.
Në këtë nivel problemi i interesantes shndërrohet në problem të pazakontë: në të gjitha rastet që kam përmendur, gjendet diçka tërheqëse, sepse ajo mund të bëhej një element i përzier në “kuadrin” e asaj që ende nuk ekzistonte. Me këtë dua të them se feneri i Galileos u bë diçka e pazakontë, në kuadrin e një teorie izokrone (të njëkohshme) të lëkundjeve të lavjerrësit; por, para se ai të merrej me fenerin, kjo teori nuk kishte dalë ende. Diçka është e pazakontë kur paraqitet e tillë në raport me diçka tjetër. Studiuesit e fonemave e dinë këtë gjë: një vijë është e pazakontë brenda një strukture dhe, po nuk pati strukturë, nuk mund të jetë e tillë. Pra, ajo diçka tërheqëse që ne na josh, ekziston kur një individ zbulon diçka të pazakontë në lidhje me atë që askush nuk e di, madje, as vetë zbuluesi.
Prandaj jam i bindur se njeriu i kulturës, artisti, secili sipas mënyrës së vet, niset nëpër botë duke menduar “suaza” të ndryshme, në të cilat do të ishte e mundur të shpjegoheshin gjërat në mënyra të ndryshme, dhe ndalon përnjëherë para diçkaje që është privuar nga interesimi i të tjerëve, duke menduar se ajo mund të bëhej e pazakontë në një kuadër tjetër.

Përktheu Nikolla Sudar

4 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›