E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi Krijimin dhe Krimin



Krijimi letrar mbetet ndërmarrje e pamundur, një absurditet që arrin të sendërtohet vetëm si pasojë e humbjes së kujtesës hyjnore të individit, i cili për pasojë e pandeh veten si autor. Bhagwan Shree Rajneesh, spiritualist i madh indian, thotë se ai që ekziston përnjëmend është arti e jo artisti. Të vetëndjerit autor i veprës letrare është kurrgjë më shumë se iluzion. Letërsia është ngjarja, ndërsa njeriu është thjesht përçuesi i saj, pra teli që përcjell rrymën dhe jo rryma, tabela që tregon rrugën dhe jo rruga... Sigurisht, ka diçka që e quajmë proces i krijimit letrar, sado që ky term s’më pëlqen asfare, prejse mëton ta paraqesë magjinë e krijimit si diçka që është e mundur të kumtohet e të perceptohet nëpërmjet një metode analitike. Sipas meje, gjithçka letrare e ka fillesën te realiteti i gjallë. Mund të shkruash për gjëra që nuk ekzistojnë më, por meqë ti që shkruan je gjallë, realiteti mbetet prore i pranishëm.

Shumë e vështirë është të flasësh për procesin krijues, sepse bëhet fjalë për një udhëtim metafizik, të cilit askush nuk është në gjendje t’i shkojë deri në fund. Dijen mbi procesin krijues nuk e zotërojmë, por zotërohemi prej saj. Prej këtu, si mund të flasim për të?! Shumë-shumë, mund të hedhim disa hapa, sa për të krijuar një ide se në ç’drejtim shkon rruga jonë. Fjala udhëton shumë brenda nesh për të dalë në dritë, e madje jo gjithmonë është fjalë ajo që udhëton: mund të jetë tingull, ngjyrë, ndjenjë vetmie, frikë, hare apo pëshpërimë hyjnore. Nuk e dimë ç’është. Askush nuk e di. E thamë, të flasësh për krijimin, do të thotë të flasësh për krimin, por në një kuptim të lartë do të thotë të flasësh për Zotin. Si i vetmi Krijues i çdo gjëje që shohim, ndjejmë, perceptojmë apo fantazojmë. Të flasësh për krijimin artistik pa patur parasysh Zotin, është e pamundur të jesh artist i njëmendtë.
Shpëtim KELMENDI

Mendoj se, nën një këndvështrim metafizik, fjalët krijim dhe krim janë pothuajse e njëjta gjë. E ç’është krijimi artistik, letrar në rastin tonë, nëse jo një kalk i gjorë i së vërtetës dhe i bukurisë universale?
Sa herë që bëjmë përpjekje të shpërfaqim realitete ndjesish që kapërcejmë fjalën, kryejmë njëfarë krimi. E shkruajmë, e përshkruajmë këtë realitet, por prapë rezulton të kemi sajuar diçka tjetër nga ajo që regëtin brenda nesh. Një peizazh që kundrojmë, quhet krijim. Do të donim ta përshkruanim, por gjithë ç’arrijmë të nxjerrim në pah s’është tjetër, veçse gjurma që ka lënë peizazhi brenda nesh. Ai që lexon përshkrimin tonë, mendon se ka një ide të saktë për peizazhin që ne jemi rrekur të përshkruajmë, por në fakt duhet të shkojë e ta shohë me sytë e tij. Pra, është tjetër gjë. Ky është krimi që kemi vendosur ta quajmë krijim.
Kështu, çdo krijim njerëzor mbetet të jetë një krim i përmasave të vockla njerëzore, jehonë e vagullt e bukurisë absolute. Zoti i mirë, duke e ditur që s’jemi në gjendje ta perceptojmë krijimin ashtu siç është, na ndihmon që ta keqkuptojmë më së miri atë. Kësisoj, Ai na ngushëllon me idenë e të qenit pjesëmarrës në Krijim. Tashti po, tashti mund të themi se krijimi është hyjnor, në çfarëdolloj forme që shfaqet.

1.
Krijimi letrar mbetet ndërmarrje e pamundur, një absurditet që arrin të sendërtohet vetëm si pasojë e humbjes së kujtesës hyjnore të individit, i cili për pasojë e pandeh veten si autor. Bhagwan Shree Rajneesh, spiritualist i madh indian, thotë se ai që ekziston përnjëmend është arti e jo artisti. Të vetëndjerit autor i veprës letrare është kurrgjë më shumë se iluzion. Letërsia është ngjarja, ndërsa njeriu është thjesht përçuesi i saj, pra teli që përcjell rrymën dhe jo rryma, tabela që tregon rrugën dhe jo rruga.
Sigurisht, ka diçka që e quajmë proces i krijimit letrar, sado që ky term s’më pëlqen asfare, prejse mëton ta paraqesë magjinë e krijimit si diçka që është e mundur të kumtohet e të perceptohet nëpërmjet një metode analitike. Sipas meje, gjithçka letrare e ka fillesën te realiteti i gjallë. Mund të shkruash për gjëra që nuk ekzistojnë më, por meqë ti që shkruan je gjallë, realiteti mbetet prore i pranishëm. Vërtet që letërsia është një pasqyrë e realitetit, qoftë edhe si formë konvekse e pasqyrimit. Me t’u larguar objekti, zhduket edhe pasqyrimi.
Para ca kohësh, së bashku me një mikun tim, po vëzhgonim imazhin e një bliri që pasqyrohej në xhamllëkun e një godine. Miku im ngulte këmbë se reale ishte vetëm pema e gjallë, ndërsa imazhi i saj në pasqyrë ishte një iluzion, ndërsa unë mbroja idenë se ose të dyja ishin reale, ose të dyja ishin iluzione. Ok, mund të thuhet se imazhi në xham na qenkësh iluzion, por ama ishte një iluzion që shihej, që konstatohej qartë, një iluzion që po prodhonte goxha realitet, realitetin shamator të bisedës sonë. Një iluzion që prodhon realitet, është që ç’ke me të realitet. Edhe një i ashtuquajtur nocion abstrakt është që ç’ke me të real, sepse prodhon realitet. Edhe gënjeshtra e vërtetë është, sepse prodhon goxha pasoja e dëme të pallogaritshme, materiale e shpirtërore. Ne nuk e shohim rrymën elektrike, por dimë se ajo shkakton një realitet të jashtëzakonshëm teknologjik. Elektriciteti është emri tjetër i progresit.
Mos duhet ta shohim medoemos diçka, që të mund ta besojmë se ekziston përnjëmend? Them se jo. Realiteti është një term me fuqi të jashtëzakonshme gjithëpërfshirëse. Kur pema është në lulëzim, ne nuk i shohim rrënjët e saj, por pa to, pema nuk do të ekzistonte. Dihet, truri ynë funksionon në masën 5% të kapacitetit të tij, por a mos mendoni vallë se vepra letrare e Rumiut, Dante-s, Shakespeare-it, etj, janë produkt i aktivitetit të këtij pesëpërqindëshi? Unë nuk e besoj. Përkundrazi, besoj në kontaktin që këta njerëz kanë pasur me realitete më të epërme, mbinjerëzore. S’ka nevojë ta di këtë, mbasi dihet se njerëzorja nuk na ka mahnitur e nuk do të na mahnisë kurrëndonjëherë. Shumë-shumë ajo prodhon mbijetesë, por jo çudira. Nëse ka diçka që na mahnit, ajo është vetëm drejtpërdrejt hyjnore. Parë nga një këndvështrim tjetër, njerëzore dhe hyjnore janë e njëjta gjë, por ky është objekt i një diskutimi tjetër.

2.
Për mua realiteti është një term i gjerë, jashtë të cilit nuk mbetet asgjë që mund t’i përkasë botës së vetëdijes a nënvetëdijes, së dukshmes a së padukshmes, ëndrrës a zhgjëndrrës, përjetimeve horizontale apo vertikale. Realiteti është Zot. Pra, të flasësh për realitetin, ke folur për Zotin, e anasjelltas. Nuk ma ka ënda të shkruaj drejtpërdrejt për pjesën e dukshme të realitetit, po për vatrat ku mbruhet ky realitet. Më pëlqen të zbres në thellësi. Nuk më mjafton mahnitja që shkakton pema, por dua të mrekullohem me rrënjët, me pjesën e padukshme që bën të mundur ekzistencën e pemës. Ka gjithmonë diçka përtej asaj që mund të kapim me shqisat tona. Realiteti i njëmendtë është ai që ne nuk arrijmë ta kapim përmes shqisave. Tek romani im Pesë gardianë, jam përpjekur të shtjelloj pikërisht këtë lloj perceptimi: që realiteti i njëmendtë është nënvetëdija. Nëse të gjithë mund të mahniten nga një ortek që bie, mahnitem po ashtu edhe unë, por ajo që më intereson ta kem objekt të letërsisë sime është fija e flokut, që është përzgjedhur për të krijuar ortekun. Në njëfarë kuptimi, nuk më interesojnë gjërat e mëdha por të voglat, të cilat nën këndvështrimin tim vetëm të vogla nuk janë. Është pak a shumë si mënyra me të cilën i qasemi një femre: nuk mund t’i them se ka sy plot dritë, se ka lëkurë të lëmuar, se ka flokë të bukur, se ka trup të mahnitshëm, se ka vetulla të harkuara etj, sepse këto ia ka thënë çdo mashkull i rëndomtë që e ka parë, por duhet t’i vësh në dukje cilësi të tjera që ajo as e di se i ka. Vlera nuk qëndron edhe aq te objekti, sa te mënyra se si i qasemi, te këndvështrimi ynë shpirtëror. Në vizionin tim krijues, nuk ka “gjëra të mëdha”, ose thënë ndryshe gjëra që gabimisht janë quajtur të mëdha. Njësia elementare që bën të mundur ekzistencën e universit material, është atomi. Çdo gjë, çdo gjallesë, çdo elefant e çdo mizë, çdo eukalipt apo fije bari, ka natyrë atomike. Kemi gjëra të mëdha që s’janë tjetër veçse janë bashkësi gjërash të vogla. Tekefundit, çdo gjë është e madhe dhe çdo gjë është e vogël. E rëndësishme është çfarë jemi ne përballë gjërave. Parë me një vështrim, një peizazh mund të jetë i madhërishëm ose jo, por e rëndësishme është se ç’jemi ne përballë tij.
Më pëlqen të peshkoj fragmente realiteti që askush nuk i vë re. Nuk e di sa ia dal, por është kjo ajo çfarë kërkoj. Le të themi, përpiqem që nëpërmjet një cope të thyer të rikrijoj tërë vazon, ashtu si paleontologu ia del të rikrijojë tërësinë e dinozaurit nëpërmjet një kocke këmbe. S’i pëlqej “ushqimet” e gatshme që ofron realiteti, por dëshiroj t’i përpunoj sipas mënyrës sime. Dua që ai, i cili merr librin tim në dorë, të mos jetë thjesht lexues, por pjesëmarrës në krijimin letrar, hallka e fundit e procesit të krijimit letrar. Mendoj se veç tjerash, kjo është një ndër mënyrat e mira për ta respektuar lexuesin e për ta nxitur të jetë më shumë se aq. Shpesh, për të nisur një tekst letrar, më mjafton një tingull, një ngjyrë, një aromë, tërsëllima e një porte, një zë i largët, një gjendje e papritur emocionale, ankthi i pritjes së dikujt apo diçkaje, ca bubullima që lajmërojnë shiun, një veturë e verdhë që kalon. Këto janë gjendje-lokomotivë, të cilat pasohen nga një tren i gjatë asociacionesh i cili më çon në një tokë të re, prej ku dhe realiteti shfaqet me një përmasë të re. Për ata që shohin nga jashtë dhe në mënyrë drejtvizore, këto ndjesi fillestare nuk kanë kurrfarë lidhje me rezultatin, por është thjesht një iluzion që u shkaktohet nga kalimi i shpejtë i trenit të asociacioneve: ata arrijnë të dallojmë veç ndjesinë fillestare që është lokomotiva, dhe vagonin e fundit. Çështja nuk mbaron me faktin se kemi një histori të bukur për të shkruar. Pothuajse çdo njeri i kësaj bote e ka një histori për të rrëfyer që, me gjasë, do të na çudiste pa masë. Nëse është kështu, pse të mos pranojmë se secili prej tyre është shkrimtar? I besoj shumë frymëzimit të parë, por jam gjithashtu pro ndërhyrjeve të vazhdueshme teknike në tekst, gjithë duke e ruajtur të pacenuar vetvetishmërinë e frymëzimit të parë, i cili mendoj se është hyjnor. Në njëfarë kuptimi, nëse frymëzimi është dhurata, unazë, gur i çmuar etj, ndërhyrja teknike është ambalazhi që e mbështjell, për ta bërë sa më të hijshëm e më ceremonial aktin e dhurimit.

3.
Duke u rikthyer në temë, mendoj se është shumë e vështirë të flasësh për procesin krijues, sepse bëhet fjalë për një udhëtim metafizik, të cilit askush nuk është në gjendje t’i shkojë deri në fund. Dijen mbi procesin krijues nuk e zotërojmë, por zotërohemi prej saj. Prej këtu, si mund të flasim për të? Shumë-shumë mund të hedhim disa hapa, sa për të krijuar një ide se në ç’drejtim shkon rruga jonë. Fjala udhëton shumë brenda nesh për të dalë në dritë, e madje jo gjithmonë është fjalë ajo që udhëton: mund të jetë tingull, ngjyrë, ndjenjë vetmie, frikë, hare apo pëshpërimë hyjnore. Nuk e dimë ç’është. Askush nuk e di. E thamë, të flasësh për krijimin, do të thotë të flasësh për krimin, por në një kuptim të lartë do të thotë të flasësh për Zotin. Si i vetmi Krijues i çdo gjëje që shohim, ndjejmë, perceptojmë apo fantazojmë. Të flasësh për krijimin artistik pa patur parasysh Zotin, është e pamundur të jesh artist i njëmendtë.
Në zanafillën e vet, letërsia e njëmendtë ka qenë e mbetet fakt ezoterik. Nuk e kemi fjalën, por është fjala ajo që na ka ne. S’e pushtojmë, por pushtohemi prej saj. Pavarësisht faktit nëse ne e duam apo jo, e rëndësishme mbetet sa na do ajo. Kur e shkruaj, fjala sjell me vete vuajtje të madhe, por nëse s’e shkruaj, vuajtja është edhe më e madhe. Personalisht, shkruaj kur nuk kam rrugë tjetër. Nëse kam një mundësi për të mos shkruar, e shfrytëzoj në dobi të jetës së gjallë, të cilën e adhuroj. Shkrimtar nuk është zanat, por gjendje shpirtërore, si për shembull hareja apo mërzia, një gjendje që shfaqet e zhduket papritur, në mënyrë misterioze. Ai që mbetet e duhet të mbetet gjithmonë, është njeriu. Dhe është bukur kështu. Nëse njeriu nuk jeton, shkrimtari nuk shfaqet. Dhe them se, herë mbas here, bën mirë të shfaqet, si një trajtë modeste që dëshmon se krijimi dhe Krijimi janë e njëjta gjë.

4 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›