E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mëkati vetjak, ndëshkimi kolektiv



Proza tregimtare e autorit zë embrion dhe gatuhet në fshat. Fshati i tij është sa real, aq edhe virtual. Në fakt, ai është fshat metaforë e botës aktuale shqiptare, por edhe universale. Të veçantë, të çuditshëm janë banorët e tij: ca skandalozë në sjellje, ca të mbyllur dhe të tërhequr përpara së keqes, ligësisë që vërshon valë-valë e kohë pas kohe. Ca njerëz kanë veshë si hinkë (për të përgjuar e denoncuar), ca sy të çaplyer për të mos u shpëtuar asnjë lëvizje, ca janë me bisht a me dy koka, varësisht nga mëkatet e bëra.

Mëkati dhe ndëshkimi, në fshatin metaforë të këtyre tregimeve, i ngjan atij nga bota antike mitologjike greke: mëkatin e individit e vuan tërë fshati. Në mitologjinë greke ndëshkimin e shqiptonin perënditë, rëndom si sëmundje shfarosëse apo përmbysjesh kataklizmatike, ndërsa ndëshkimi në fshatin e Halil Zendelit vjen si zemërim dhe egërsim i natyrës, i gjithësisë... Ajo, gjithësia, u dërgon sinjale të qarta banorëve se si duhet të pastrohen nga e liga që ka pllakosur shtëpitë, oborret, familjet e tyre.

Ali ALIU

Tregimi i shkurtër i shkrimtarit Halil Zendeli, veçanërisht në vëllimin me tregime “Djajtë nuk vdesin”, ka një kolorit karakteristik, të veçantë nga të tjerët dhe prej të tjerëve.
Në kuadër të kësaj veçantie, dallohet edhe ecja dinamike, rrjedha e shpejtë e narracionit. Kështu, zakonisht vetëm përmes disa fjalive në krye apo pasuesit të parë, tregimtari arrin të sugjerojë atmosferë, t’i përcaktojë kornizat e hapësirës e të kohës, të fokusojë njerëz e ngjarje dhe, kur je në fund të paragrafit të parë, ndihesh i ambientuar dhe së bashku me narratorin lëviz sigurt në atë truall.
Ndërsa pamja, shija dhe aroma e atij trualli, i asaj atmosfere dhe e atyre njerëzve janë mishërim i shkëputur nga bota e jetuar prej autorit. Njerëzit përreth, ata të lagjes, të fshatit, që bartin botën e filozofinë e atij mjedisi, bashkë me karakterin e veprimet e tyre i japin kuptim dhe janë arsyeja madhore e ekzistencës dhe lashtësisë jetike të atij trualli. Edhe atëherë kur ata, njerëzit e asaj hapësire, me veprimet e sjelljet e tyre marrin forma të përçudnuara, veç e veç ose së bashku, edhe atëherë kur përfshihen psikozash të çuditshme që rezultojnë të tërbuara, prirje hipnozash të pakontrolluara, kolektive, ata në të vërtetë manifestojnë mëkate, ndëshkime, dhembje, revoltë, ëndërrime, besim dhe shpresë, që po ashtu lidhen e janë mishërim i asaj bote, janë virtyte e cene, bukuri e shëmtim i atij shpirti individual dhe kolektiv.

* * *
Mjetet e narracionit artistik në këtë vëllim janë karakteristike dhe të veçanta. Njerëzit e pёrfshirё nё rrëfim, bartësit e bёmave dhe ngjarjet janë në dukje fare të njohura, të prekshme, të afërta dhe të përditshme, në të njëjtën kohë edhe të çuditshme, të pazakonta, ëndërrore, somnabulike.
Rrëfehet, njëkohësisht, për banorët e një hapësire reale - ireale, për një hapësirë metaforike, për njerëz që në intervale të ndryshme kohore ndëshkohen nga një mallkim perëndish, ngjashëm me mitologjinë antike greke, kur Zeusi ndëshkonte mëkatet e rënda të njerëzve. Prandaj, brenda kësaj hapësire metaforë do të ndëshkohen nëpërkëmbja e normave të moralit dhe traditës shpirtёrore, shtrirja e zilisë si sëmundje ngjitëse, urrejtja mes njerëzve të hapësirës së fokusuar në rrëfim, denoncimi, sidomos denoncimi, që do të jenë burim fatkeqësish natyrore, vërshimesh e përmbytjesh të tërbuara, përmes së cilave Natyra i kërcënon banorët, u dërgon mesazhe kuptimplota, të ngarkuara me impulse pajtuese, me synim pastrimi nga mëkatet, ngjashëm me katarzën antike... Bota që e rrëfen autori është e afërt dhe e largët njësoj, është e përditshme dhe fantastike në të njëjtën kohë, e shprehur me mjete narrative groteske në radhë të parë.
Prandaj, në çaste lexuesi sikur shtron pyetjen nëse tërë kjo është botë reale apo fiksion i një bote të shprishur, të deformuar. Është realitet pamja e fshatit, bie fjala, që vdes, apo vetëm një hiperbolë narrative për të na tërhequr vëmendjen? Janë apo nuk janë njerëzit e atij ambienti të gjymtuar dhe të deformuar, apo mund të jenë vetëm hije njerëzish që sillen përreth, që bëjnë sikur janë gjallë? Nëse janë apo nuk janë zotër e sovranë të asaj hapësire këta banorë, që në të parë duken pa identitet të artikuluar qartë? Janë apo nuk janë po ata që, bashkë me lindjen e agimit të bukur, me agimin e gëzueshëm diellor, shndërrohen në stoli e kuptimësi të atij ambienti?
Është e qartë se në rrëfimet letrare të këtij vëllimi asgjë nuk duhet pranuar ashtu siç thuhet në mënyrë tё drejtpërdrejtё, asgjë nuk duhet marrë si e gatshme e përfundimtare, si fare serioze, njësoj siç nuk duhet pranuar si jo e vërtetë, si joserioze. Pra, as njerëzit e deformuar fizikisht, as pamjet groteske kolektive, që janë mjet shprehës për shëmtime të brendëshme. Kështu, aq sa i duhet besuar pamjes së jashtme, situatave të rrëfyera në ankth lidhur me shprishjen e vdekjen e fshatit, po aq i duhet besuar mëngjesit të gjallë dhe të pastruar mëkatesh, po aq duhet besuar e pranuar njerëzit me shpresa dhe ëndrra normale, që i japin shpirt e jetë fshatit dhe që e kuptimësojnë vazhdimësinë e amshueshme të tij nëpër kohë.

* * *
Ndërsa shprishjen dhe përçudnimin, atë moral e shpirtëror, të ambientit dhe të njerëzve në shumicën e tregimeve shkrimtari i rrëfen përmes një buzëqeshjeje të lehtë ironike, përmes një qortimi të butë, te tregimet e llojit “Kohë e shqetësuar” mjetet shprehëse narrative portretuese, qoftë edhe mesazhi, janë pak më ndryshe. Forma shprehëse, në këtë rast, ndërlidhet përmes të rrëfyerit shkallëzues dhe përmes një harmonie të plotë detajesh e ngjyrash. Shkrimtari në këtë lloj tregimi tenton dhe arrin të harmonizojë detajet e ambientit të jashtëm të natyrës me disponimin e brendshëm të njerëzve.
Kështu, shpërthimi i tërbuar i stuhisë natyrore, që godet e shtrihet mbi atë ambient, nuk shfaqet i befasishëm, si shok i papritur. Para se ta kaplojë hapësirën si një ndëshkim qiellor mbi njerëzit, ai ёshtё i pranishëm si frymё dhe qё qëndron pezull nё ajr. Ajo që do të godasë tërbimthi hapësirën e fokusuar në tregim, sikur paralajmërohet shtigjesh të padukshme, të mistershme, sinjalesh e parandjenjash ogurzeza. Disponimi i jashtëm i botës, i natyrës, janë në harmoni me atë të botës së brendshme të njerëzve në hapësirë.
Është e hollë ndjenja e shkrimtarit për të theksuar detaje dhe për t’i renditur ato me mjeshtëri në mozaikun tërësor të rrëfimit. Ndjenja e tillë te shkrimtari mund të jetë e lindur dhe shfaqet si rregullator i programuar i brendshëm, i cili vepron spontanisht dhe përjashton mundësinë e detajit të disharmonizuar.

* * *
Ja edhe një veçori dalluese në poetikën e tregimeve të Halil Zendelit në vëllimin “Djajtë nuk vdesin”: imagjinata produktive. Narratori rëndom pozicionohet në një kënd e brenda një perspektive, prej nga sodit dhe regjistron lëvizjet kryesisht kolektive të ambientit. Imazhi që shfaqet gjatë këtij rrëfimi, ashtu siç u tha, herë është konkret dhe i prekshëm, herë valëvitet qiellit si mbi një qilim fluturues, ëndërror. Po ashtu, ëndrra dhe zhgjëndrra aty për aty ndërrojnë vend e trajtë, duke ofruar herë një përshkrim e pamje reale të përditshme, herë pamje groteske e fantastike, zakonisht të përçudnive kolektive të njerëzve, të natyrës dhe të fenomeneve. Tërë ky transformim hokus-pokusor zhvillohet qetë e pa sensacione... Këto karakteristika e pasurojnë prozën e autorit e sjellin ndihmesë për tregimin tonë në përgjithësi.

* * *
Proza tregimtare e Halil Zendelit zë embrion dhe gatuhet në fshat. Fshati i tij është sa real, aq edhe virtual. Në fakt, ai është fshat metaforë e botës aktuale shqiptare, por edhe universale. Të veçantë, të çuditshëm janë banorët e tij: ca skandalozë në sjellje, ca të mbyllur dhe të tërhequr përpara së keqes, ligësisë që vërshon valë-valë e kohë pas kohe. Ca njerëz kanë veshë si hinkë (për të përgjuar e denoncuar), ca sy të çaplyer për të mos u shpëtuar asnjë lëvizje, ca janë me bisht a me dy koka, varësisht nga mëkatet e bëra...
Mëkati dhe ndëshkimi, në fshatin metaforë të këtyre tregimeve, i ngjan atij nga bota antike mitologjike greke: mëkatin e individit e vuan tërë fshati.
Në mitologjinë greke ndëshkimin e shqiptonin perënditë, rëndom si sëmundje shfarosëse apo përmbysjesh kataklizmatike, ndërsa ndëshkimi në fshatin e Halil Zendelit vjen si zemërim dhe egërsim i natyrës, i gjithësisë... Ajo, gjithësia, u dërgon sinjale të qarta banorëve se si duhet të pastrohen nga e liga që ka pllakosur shtëpitë, oborret, familjet e tyre...
Halil Zendeli është i shkathët në krijimin e atmosferës dhe ambientit të një fshati metaforë, ku dy janë personazhet kryesore: turma e individëve anonimë dhe natyra. Gjuha, me të cilën komunikojnë ata, është ajo e zemërimit të natyrës siç janë vërshimi, stuhitë, terri, ose çmenduria e banorëve që shfaqet si agresivitet, si zili, si urrejtje mes njëri-tjetrit. Pikërisht këtë gjuhë narrative, që është vërtet e veçantë në prozën shqiptare, zotëron autori.

4 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›