E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strati: Pas Kukësit, Luftëtari do të jetë më i shkëputur

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Mesfushori vlonjat Ermir Strati e parashikon të fortë dhe të ashpër ndeshjen e nesërme me kuksianët, por mendon vetëm 3 pikët

Luftëtari-Kukësi, një ndeshje tepër e vonuar, që fillimisht u shty nga bora e rënë në Gjirokastër më 24 dhjetor 2011. Po të luhej atëherë, do ta quanim përballja e bigëve të kategorisë së parë, sepse përkatësisht ishin në vendet 1 dhe 2 në renditje, kurse tani janë në vendet 1 dhe 3. Duket se këtu merr fund vringëllima e armëve në boshllëk. Është përballja e parë midis tyre dhe Luftëtari ka sezonin e 5-të që lufton për superligën, kurse Kukësi, si debutues në kategorinë e parë, pa kurrfarë stazhionimi në të, kërkon edhe ai superligën.

Dhe shumë mirë bën përderisa legjendat e futbollit tonë, si Partizani që luan në kategorinë e dytë, ashtu edhe Dinamo për herë të parë mund të gjendet në të parën, ndërsa ekipe me tradita mediokre vallëzojnë në superiore. O temps! O moeurs! (O kohë! O zakone!) Nesër në stadiumin  Gjirokastra do të ketë grushtime të pamëshirshme në kërkim të fitores.

Një motiv më shumë për të fituar është se ndeshja  zhvillohet në prag të datës së themelimit të klubit me emrin Shqyponja, më 15 mars 1930, pra 82-vjetorit. Por fitorja është domosdoshmëri, duke marrë parasysh faktin se në vijim janë 3 transfertat ferr: Elbasani, Lushnja dhe Kukësi.

Strati Ermir Strati, i ardhur te Luftëtari për fazën e dytë nga Vlora, ish-kapiten dhe zëvendëstrajner i saj, një mesfushor i ngarkuar me mjaft përvojë, për ndeshjen e nesërme shprehet: Ndeshja me Besëlidhjen ishte mjaft e fortë dhe ekipi ynë kaloi nga gëzimi në hidhërim, përsëri në gëzim dhe më pas kaloi jo pak minuta në ankth.

Të gjitha këto, sepse fituam një 11-metërsh, që nuk u kthye në gol, shënuam gol dhe më pas u dënua me karton të kuq Devolli. 1-0 është një rezultat që mund të zhbëhet edhe në sekondat e fundit, por realisht ne e administruam lojën në shumicën e kohës dhe fitorja ishte e merituar, pavarësisht se me rezultat të ngushtë.

Të mërkurën do të përballemi me Kukësin, që pretendon superligën dhe do të vijë i egërsuar, pasi ka humbur vendin e dytë, që e mbante prej kohësh. Kuptohet që ndeshja do të jetë e fortë dhe mund të këtë edhe faza ashpërsie, por them se ne i kemi mundësitë, pavarësisht ndonjë mungese të rëndësishme, që të fitojmë. Kështu do të thellojmë edhe distancën nga Lushnja, që tani ka dalë në vend të dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›