Synon të rikthehet Bum, Bum Bunjaku!

Albert Bunjaku kishte shpërthyer në fanellën e Nurnbergut qysh në sezonin e parë. Sulmuesi kosovar ishte transferuar nga liga e tretë, përkatësisht ekipi Erfurt, në elitën e futbollit gjerman, duke realizuar 12 gola në sezonin debutues dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i ekipit.
Për këtë, atë në Gjermani kishin filluar ta thërrisnin Bum, Bum Bunjaku, pasi që i bombardonte portat kundërshtare. Mirëpo, një lëndim i rëndë i pësuar në gju dy vjet më parë rrënoi gjithçka që kishte ndërtuar gjilanasi brenda 365 ditësh.
Nga ky lëndim, 28 vjeçari më nuk kishte pa hair. Ai ia doli të shënonte javën e kaluar në duel me Borussia Monchengladbachut pas gati dy vjetësh. Ky gol e ka ngritur motivin e lojtarit, i cili planifikon të rikthehet sikur Bum, Bum Bunjaku i dikurshëm.
Ai shpreson të qëndrojë në Nurnberg edhe për një kohë të gjatë, për t’i treguar vlerat e tij. “Ndihem mirë me familjen time në Nurnberg. Do të ishte më mirë për ne të rrimë këtu. Nëse arrin një ofertë nga klubi...”, thotë Bunjaku për tabloidin gjerman Bild.
Forma e mirë e treguar dy vjet më parë e kishte shpërblyer atë me ftesë në përfaqësuesen e Zvicrës dhe pjesëmarrje në Botërorin 2010. Nga ajo kohë, Helvetikët e kanë harruar sulmuesin kosovar. Por, jo edhe trajneri gjerman Ottmar Hitzfeld, i cili e udhëheq Kombëtaren e Zvicrës.
“Pas golit ndaj Gladbach, atë natë kam marrë një mesazh urimi nga selektori Ottmar Hitzfeld. Kjo demonstron se ai po më vëzhgon dhe që i ka sytë kah unë. Tash duhet të qëndroj i qetë, që t’i shfrytëzoj të gjitha rastet që më shfaqen. Unë ndihem në formë të mirë, këtë e kam vërtetuar edhe ndaj Mainzit. Dëshiroj t’ua shpaguaj të gjithëve besimin që ma kanë dhënë”, vazhdoi Bunjaku.
Për të nuk është e rëndësishme se ku do të luajë në fushë. Por, ai e ka synim vetëm të jetë në fushë dhe ta ndihmojë ekipin e tij. Edhe drejtuesit e Nurnbergut janë të interesuar ta mbajnë në ekip Bunjakun. Drejtori sportiv, Martin Bader thotë se klubi gjerman e ka ndërmend ta vazhdojë bashkëpunimin me Bunjakun.