Bin Ladeni pro-perëndimor!

Udhëheqësi tashmë i vrarë i rrjetit terrorist Al Qaeda, Osama Bin Ladeni, i kishte thënë fëmijëve të tij që të jetojnë nëe mënyrë paqësore në Perëndim, ku mund të marrin edukim të mirë, ka zbuluar miku i tij.
Zakaria al-Sadah, motra e të cilit është gruaja e pestë e Bin Ladenit, theksoi se Bin Ladeni nuk ka dashur që fëmijët dhe nipërit e tij të ndjekin shtegun e terrorizmit, siç kishte bërë ai.
“Ai i ka thënë fëmijëve dhe nipërve të tij shkoni në Evropë dhe Amerikë dhe merrni një edukim të mirë”, deklaroi Sadah në intervistën dhënë gazetës britanike The Sunday Times.
Sipas Sadahit, i cili së fundi është bashkuar me motrën e tij, fëmijët e tij kanë mbetur të traumatizuar, pas aksionit të ndërmarrë më 2 maj të vitit të kaluar nga njësia e ushtrisë amerikane, Navy Seals, gjatë së cilit edhe u vra Bin Ladeni.
Fëmijët ishin fshehur në kompleksin e Bin Ladenit, në qytetin pakistanez, Abbottabad.
Sadah, një student 24 vjeçar i gazetarisë, thotë se fëmijët nuk dëshironë të hanë dhe se nuk e kanë parë diellin me sy që nëntë muaj.
Ai theksoi se më së shumti po vuan e bija 12 vjeçare e Bin Ladenit, Safiyah, e cila ka mbajtur kokën e nënës së saj, e cila u lëndua gjatë sulmit në Abbottabad.
Motra e tij, Amal 29 vjeçare, shtetase nga Jemeni dhe dy bashkëshortet tjera të Bin Ladenit, Khairiah dhe Siham, kishin hyrë në grevë urie, për të protestuar kundër mbajtjes së tyre nën arrest në Pakistan, rrëfeu Sadah më tutje.
Sadah, i cili tani frikësohet se motra e tij mund të paditet për krime të kryera kundër Pakistanit, thotë se kishte menduar se atij do t’i lejohej që së paku të merrte fëmijët dhe ti kthente në Jemen, kur ai u ftua për ta vizituar motrën e tij, në nëntor të vitit të kaluar.
Por zyrtarët pakistanezë besojnë se edhe fëmijët mund të fshehin informata të besueshme dhe deri me tani kanë refuzuar që ti pajisin me pasaporta, për tu larguar nga Pakistani.
“Këta fëmijë kanë parë vrasjen e të atit të tyre dhe kanë nevojë për një mjedis, i cili do të kujdeset për ta. Ata nuk kanë nevojë për burg, pa marrë parasysh se çka mendoni për të atin e tyre dhe për atë që ka bërë ai. Fëmijët kurrë nuk kanë pasur një jetë normale. Ata nuk e dinë se si është ta shohësh diellin dhe të vraposh në kopsht. Më pëlcet zemra kur i shoh në atë gjendje”, theksoi Sadah.
Thuhet se bashkëshortet e Bin Ladenit i kanë qëndruar atij besnike deri në fund dhe kanë pasur qëndrim armiqësor ndaj zyrtarëve amerikanë, të cilët i intervistuan ato pas vrasjes së Bin Ladenit.
Deri me tani, asnjë nga bashkëshortet e Bin Ladenit nuk është paditur për ndonjë krim të caktuar.
Amal, më e reja prej tri bashkëshorteve të Bin Ladenit, është plagosur në këmbë, në momentin kur tentoi të mbrojë Bin Ladenin nga ushtarët amerikanë.
Asaj disa vite më herët i ishte ofruar mundësia që të ndahej nga terroristi më i kërkuar në botë, por ajo kishte vendosur të “martirizohet”, me ç’rast i kishte thënë familjes dhe miqve të saj se dëshiron të hyjë në histori.
Ajo ka jetuar në kompleksin në Abbottabad me dy bashkëshortet më të moshuara të Bin Ladenit, Khairiahn dhe Sihamin.
Secila nga bashkëshortet dhe fëmijët e tyre kanë pasur nga një kat të veçantë në shtëpi dhe Bin Ladeni ka kaluar mjaft kohë me secilin nga këto tri grupe.
Khairiah, e cila është raportuar të jetë “nëna shpirtërore” e familjes ishte kthyer në Pakistan për t’iu bashkuar Bin Ladenit, pasi që më herët ishte arratisur në Iran dhe Arabinë Saudite.
Silham ishte arratisur në Afganistan dhe ishte fshehur për disa vjet, deri në momentin kur u ftua që të kthehet tek bashkëshorti i saj.
Sipas ligjit islamik, një mashkull mund të ketë katër gra në të njëjtën kohë. Bin Ladeni është martuar gjashtë herë, por ka gruaja e dytë u shkurorëzua në vitet e 90-ya, ndërsa martesën e tij të pestë e anuloi brenda 48 orëve.
(Daily Mail)