E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përjetimi i kthyer në art

Vendosën që nëpërmjet artit bashkëkohor t’i rrëfejnë edhe publikut në Tiranë për masakrën e Podujevës, të vitit 1999, kur në oborr të tyre u vranë 14 anëtarë të familjes Bogujevci.

Një divan familjar, një stufë - ngrohtësia e së cilës i mbante të bashkuar rreth televizorit, kështu dukej shtëpia e familjes Bogujevci më 28 mars të vitit 1999, pak çaste para se paramilitarët serbë ta boshatisnin dhe të masakronin në oborr 14 anëtarë të saj.

13 vjet më vonë, 5 fëmijët që – fatmirësisht - mbijetuan janë së bashku. Fatosi, Jehona, Liria, Genci dhe Saranda kanë vendosur t'i tregojnë botës masakrën që u mori jetën nënave, vëllezërve e motrave të tyre në Podujevë. Pas Prishtinës, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ata hapën një ekspozitë sa të gjallë, aq edhe rrëqethëse. "Qëllimi ishte t’ju kujtojmë njerëzve çfarë ka ndodhur në Kosovë, t’ju bëjmë me dije që nuk duhet ta harrojmë luftën aq lehtë.

Qëllimi për Shqipërinë është që t’i informojmë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë se çfarë saktësisht ka ndodhur me një familjet e zakonshme në Kosovë. Të mos jetë vetëm një informim përmes medias, por që të ketë njëlloj interaktiviteti mes artistëve dhe dikujt që ka qenë pjesë e një tragjedie në Kosovë", thotë Fatos Bogujevci, njëri nga anëtarët e mbijetuar të familjes.

"Atë që ka ndodh nuk e harrojmë kurrë, është gjithmonë me ne. Por, kemi gjetur mënyrën si të ballafaqohemi me atë që ka ndodhur dhe si ta jetojmë jetën dhe të ecim përpara", shprehet Saranda Bogujevci.

Ekspozita “Bogujevci, Histori Pamore” përbëhet nga 4 instalacione, me filmime origjinale, intervista, fotografi dhe eksponate.

“Dhoma e ndenjës” përmban të gjitha gjërat origjinale që ishin në dhomën e ndenjës së shtëpisë së tyre në kohën e paraluftës. Perdja, tavolina, stufa, piktura, relievi i Skënderbeut, dollapi, librat dhe orendi të tjera. Peshë të veçantë në “Dhomën e ndenjës” ka videoja familjare e viteve ‘80-‘90, me xhirime familjare në festime të ndryshme, ku shihet harmonia dhe lumturia që kishte familja.

“Kemi vendosur ta shfaqim në ‘Dhomën e ndenjës’, ashtu që publiku të mund të përjetojë dhe ndiejë atë që përjetuam ne në atë kohë të tmerrshme. Kjo është e vetmja videokasetë e mbijetuar nga koha e luftës”, tregon Saranda.

Në ekspozitë nuk mungojnë as shtretërit e spitalit ku këta të rinj - që atëherë ishin 13 vjeç - u shëruan nga mbi 30 plumba kallashnikovësh që u kishin përshkruar trupat. Po atë ditë, serbët masakruan gjithë familjen Duriçi që jetonte afër tyre. Fëmijët e familjes Bogujevci ishin të parët që dëshmuan në Beograd në Gjykatën e Krimeve të Luftës në vitet 2005-2006, kur u gjykuan dy prej paramilitarëve serbë të njësitit Shkorpionët. Pesë të mbijetuarit thonë se s’do të ndalen derisa nuk dënohen edhe 14 paramilitarët e tjerë.

Instalacioni tjetër është “Trungu familjar”, me fotot e të gjithë familjarëve, të varura në mur. Fotot janë me ngjyra dhe bardhë e zi. Ato me ngjyra simbolizojnë ata që janë ende gjallë, e ato bardhë e zi ata që s’janë më. Pjesë e ekspozitës janë edhe thëniet e artistëve dhe familjarëve, të ngjitura në muret e të katër instalacioneve.

“I mbaja sytë mbyllur dhe bëja sikur isha e vdekur”, është thënia e një fëmije. “Ne u bëmë sikur ishim të vdekur, rrinim pa lëvizur. Dikush kishte probleme me frymëmarrje, gurgulliste… Ata qëlluan edhe më shumë, mendonin se të gjithë kishim vdekur, por ne jetuam”, është thënia tjetër që tregon tmerrin e përjetuar.

“I kemi vendosur thëniet në mur për t’i treguar edhe pjesëtarët e familjes që s’janë më. Gjatë gjithë kohës kemi dashur t’i kujtojmë, jo duke treguar se si kanë vdekur, por si kanë jetuar”, rrëfen me lot Saranda, e cila asokohe ishte vetëm 13 vjeçe. Sipas saj, ekspozita është një rrugëtim dhe ky është momenti ku ata janë ndier gati që tregojnë për atë që ndodhi nëpërmjet artit bashkëkohor. “Vendosëm ta sillnim në Tiranë, pasi mendojmë që publiku shqiptar nuk është shumë në dijeni të asaj që ka ndodhur. Ky është vetëm një tregim në mesin e plotë tregimeve të luftës së Kosovës”, thotë Saranda.

Pas Tiranës, ekspozita e radhës do të jetë Beogradi, ku, sipas Sarandës, ka pasur disa mbështetje nga struktura shtetërore. Se si do të pritet ekspozita nga publiku serb mbetet enigmë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›