E Diel, 1 Nëntor 2026

Binjaket Kessler, divat e spektaklit, kryejnë vetëvrasje të asistuar

MYNIH, 17 nëntor /ATSH-ANSA/ – Divat e spektaklit italian, binjaket Alice dhe Ellen Kessler vdiqën së bashku në shtëpinë e tyre në Gjermani, ndërkohë që dyshohet se ato iu drejtuan vetëvrasjes së asistuar, sipas gazetës ”Bild”.

Motrat Kessler ishin 89 vjeçe. Ato u gjetën në shtëpinë ku jetonin, në Gruenwald, pranë Mynihut, pranë njëra-tjetrës, në dy apartamente ngjitur, të ndara vetëm nga një mur rrëshqitës.

Policia se u njoftua sot, pasi dy gratë kishin vdekur tashmë.

Kur mbërritën, oficerët mundën vetëm të vërtetonin vdekjen dhe të përjashtonin përgjegjësinë e palës së tretë.

”Vetëvrasja e asistuar është një praktikë që lejohet sipas ligjit gjerman në kushte të caktuara”, sipas ”Bild”.

Ato u lindën në vitin 1936 në Nerchau të Saksonisë, pranë Lajpcigut. Atje, ato filluan të merrnin pjesë në Baletin e Operas si fëmijë. Në vitin 1952, në moshën 16-vjeçare, ato u larguan nga Republika Demokratike Gjermane dhe u vendosën në Dyseldorf të Gjermanisë Perëndimore, ku filloi edhe karriera e tyre, e cila do t’i çonte ato të performonin në mbarë botën me artistë të tillë si Frank Sinatra dhe Fred Astaire.

Sipas gazetës ”Bild”, ato shkruan në testamentin e tyre se, pas djegies, hiri i tyre do të vendosej në të njëjtën urnë.

Ato performuan si valltare, këngëtare dhe aktore në film e Dino Risi në ”Il giovedì” dhe, me Alberto Sordi, në ”I complessi”.

Por, për italianët, binjaket Kessler mbeten shfaqja ”Carosello”, refreni nga ”La notte è piccola” dhe skeçet nga ”Milleluci” dhe ”Canzonissima”, të gjitha ende jashtëzakonisht të njohura në YouTube.

Kështu, Alice dhe Ellen Kessler mbetën bashkë edhe në vdekje./  a.jor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›