Biond, sy blu, pa skrupuj
Nga Gerald Traufetter, Der Spiegel
Anders Behring B. quhet personi, që mendohet se ka vrarë se paku 87 persona të premten. Është 32 vjeç, konservator, kristian, nacionalist dhe ka licencë për një pistoletë Glock dhe një armë automatike. Deri më tani ka jetuar në një godinë me tulla, që nuk binte shumë në sy, në perëndim të Oslos.
Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, forcat speciale sulmuan banesën e tij. Mediat norvegjeze janë në kërkim të profilit të këtij njeriu fanatik, që në forumet në internet dallohej për deklaratat kritike kundër Islamit. Gjashtë ditë përpara sulmit, ai dërgoi në llogarinë e tij në Twitter mesazhin e tij të parë dhe të vetëm: Një person me besim është i barabartë më forcën e 100 mijë njerëzve që kanë vetëm interesa. Është një citat nga filozofi britanik John Stuart Mills.
Në foton e tij në Facebook, që është marrë të premten në mbrëmje, ai shikon në distancë, flokët i ka biond, nofullat katrore, sytë blu. Ai luante në kompjuter lojën World of Warcraft dhe ishte anëtar i një klubi për qitje në Oslo. Një mik i tij i fëmijërisë i tha gazetës Verdens Gang se në fund të 20-tave ai kishte nisur që të shprehte ide radikale të djathta dhe kishte ngritur një profil racist në Facebook.
B., që mesa duket jetonte me mamanë, kishte shërbyer në ushtrinë norvegjeze. Në fakt nuk ishte shfaqur në asnjë kontekst ushtarak. Edhe me ligjin nuk kishte pasur probleme, përveçse një shkelje në qarkullim rrugor para disa kohësh.
Por ai dukej se kishte kohë që përgatitej për këtë sulm. Në vitin 2009 themeloi një firmë në qytezën Rena, disa qindra kilometra në veri të Oslos. Firma duhej të prodhonte fruta e perime. Në këtë mënyrë ai kishte pasur kontakt me shumë lëndë kimike, që do i shërbenin si lëndë e parë për të prodhuar eksplozivë.
Për lidhjet e tij me skenën e ekstremit të djathtë nuk dihet gjë. Ai sikur doli nga hiçi, tha një polic për agjencinë AP. Ai nuk i përkiste ndonjë grupi të njohur të ekstremit të djathtë. Megjithatë policia thotë se e kishte pasur në radar në lidhje me një grup aktiv neo-nazistësh.
Më përpara një ekspert i Institutit Norvegjez për Çështje Ndërkombëtare kishte folur për një sulm të ekstremistëve të djathtë sesa për një sulm të islamikëve. Do ishte e rrallë për islamikët që të kenë si synim politikat lokale.
Sulmin mbi kampin e të rinjve e kreu me një uniformë policie, edhe pse nuk ka qenë kurrë i tillë.
Policia thotë se ka dyshime se ai ka kryer sulmin me bombë e më pas ka udhëtuar drejt kampit të të rinjve.
Ai u arrestua në një postbllok pas sulmit në ishull. Një polic tha për agjencinë AP: Është e çuditshme që ai nuk ka vrarë veten njësoj siç bëjnë ata persona që sulmojnë në shkolla.
Ndoshta është për shkak të faktit se një zyrtar e përshkruan atë të ftohtë si akulli.
*Marrë me shkurtime