E Diel, 1 Nëntor 2026

Bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë!?

Pyetja që na mundon, teksa nuk na u dha për herë të tretë “statusi”, është: A e meritojmë të futemi në BE e të integrohemi si qytetarë të barabartë me evropianët? Më shkoqur: A jemi të çlindjezuar, d.m.th të evropianizuar, pra a kemi pushtete dhe institucione të pavarura që do të thotë: A po sillemi dhe a po jetojmë ne si të tillë, jo vetëm ekonomikisht, po edhe politikisht, pse jo edhe mendërisht? Rrallëkush guxon t’u afrohet këtyre pyetjeve me shumë thepa.
Edhe pse pakkush beson që fajin për mbetjen në klasë (jemi përsëri më të fundit e Ballkanit!) e ka shoqëria, ne qytetarët anonimë, ruralë e urbanë, partiakë e të pavarur, të kulturuar e analfabetë, të përndjekur e të privilegjuar, mesa duket së toku të gjithë jemi ende të papërgatitur për të qenë evropianë të mirëfilltë, pavarësisht nga përkatësia gjeografike dhe nga parullat e fillim-demokracisë: “E duam, e duam Shqipërinë si Evropa!”. Gabimet e padiskutueshme të klasës politike dihen dhe mund të lexohen lehtë. Përfaqësuesit e të zgjedhurit tanë, veçanërisht administrata dhe diplomacia, janë për faqe të zezë. Mjafton të shkelësh në kufi, të biesh në kontakt me mjedisin a me polic-doganierin e parë, për të mos përmendur kontaktet e komisionerëve të BE-së e të SHBA-ve me përfaqësuesit tanë të lartë, që të kuptosh se sa pak evropianë janë në thelb e në ind përfaqësuesit tanë të lartë. Le më pastaj po të shohësh se si ngulmon t’u japë dorën liderëve të botës e të regjistrohet nga kamerat kryeministri nëpër tubime ndërkombëtare. E po të hysh më në thellësi, në Lezhë, në Lazarat apo në Lurë, në sallat e gjyqeve, në mbledhjet qeverisë e në seancat e Kuvendit, ku edhe pa qenë diplomat i huaj, mund të kuptosh të vërtetën e hidhur: Administrata jonë publike, si në qendër e në bazë,si në majë dhe në provincë është një qen që leh, por që nuk e njeh të zotin e nuk është e prirur të mbrojë as shtëpinë dhe as koliben e vet, nëse do t’i hidhet një kockë te hunda!
Sigurisht, fytyra e një shoqërie nuk mund të skicohet nga portretet vetjake të qytetarëve anonimë, por nga ajo e përfaqësuesve të saj më të lartë, e të zgjedhurit e saj. Por, të zgjedhur-emëruarit tanë janë të vetmit në Ballkan që për të mbetur sa më gjatë në pushtet, mund të falin territore, mund të thyejnë embargon e OKB-së, mund të pështyjnë mbi dinjitetin kombëtar, mund të heshtin kur në Greqi vriten shqiptarë pas një ndeshje futbolli, kur tjetërsohen varret, kur specialet greke këndojnë në paradë këngë makabre (“me zorrët e shqiptarëve do të bëjmë lidhëse këpucësh”…), kur edhe në Maqedoninë pa emër e pa identitet ndodh e njëjta gjë… Por qeveria jonë hesht, nuk bëzan se është e vetmja qeveri anti-kombëtare në Ballkan që nuk ka integritet, nuk na përfaqëson e nuk guxon të mbrojë interesat e vendit e të popullit, pasi me kartën e “stabilitetit në rajon” ajo kërkon të justifikojë paudhësitë, d.m.th të mbetet në pushtet duke shkelur standardet, pa zgjedhje të ndershme, aq më pak të parakohshme, por vetëm me ndihmën e ndërkombëtarëve, të cilëve, për interesin e tyre global u leverdis stabiliteti në rajon! Nëse ka një gjë që të ligështon sot është fakti që ne paraqitemi si një shtet pa pikë dinjiteti e integriteti! Me hallet e brendshme, gërrmërret, konfliktualitetin, varfërinë, krimin dhe korrupsionin, ashtu si me hemorragjinë e zërit të Berishës tashmë jemi përditësuar, por çfarë t’i bësh kur shikon se si nuk reagohet kur fqinjët të rrahin, të poshtërojnë, të fyejnë, të vrasin, të shkelin, të mallkojnë e të përdhosin si kurrë ndonjëherë, madje as kur nuk ishim shtet i mëvetshëm?!…
***
Pikërisht në kohën kur ministri ynë i Jashtëm ndodhej në Burnej e pastaj në Singapor, ndodhi që Greqia edhe pse gjendet në pikë të hallit, aq sa mund të dalë në ankand, të na dërgonte, pa asnjë kujdes diplomatik, dy ultimatume: 1. Të mos dënohet një çoban i greqizuar që prishi varret në Boboshticë të Korçës dhe 2. Të mos futen çamët në qeveri! A mund të përfytyrohet sikur ne të kërkonim që në qeverinë greke të mos hynte partia nacionaliste, me tipare fashiste pas krizës? Le më sikur të bënim trysni mbi gjyqin farsë para ca kohësh ndaj ushtarëve racistë grekë!? Por, ja që nuk mbetet më prapa as Maqedonia, ku për herë të dytë, ditën për diell, masakrohen fëmijët shqiptarë, pas parathënieve me këngë raciste anti-shqiptare në stadiume… Në këtë vend ende pa emër qenka krijuar një organizatë me emrin “Kristianska organizacija” e cila në programin e saj paska eliminimin fizik të gjithë shqiptarëve. Në këtë palo-shtet, edhe pse shqiptarët janë çereku i popullsisë, ka të dënuar shqiptarë të dënuar për motive të dobëta se janë ngatërruar me maqedonas, por ama deri tani nuk ka asnjë maqedonas të dënuar që ka vrarë shqiptarin po për “motive të dobëta”, e sigurisht nuk ka e nuk mund të ketë, njëlloj si në Greqi, as të dënuar për racizëm kundër shqiptarëve. Por, qeveria jonë hesht dhe guxon të pipëtijë vetëm pasi flet departamenti amerikan i shtetit dhe habia, pasi flet edhe Gruevski se….se “duhet të ruhet qetësia” duke thënë të njëjtën frazë: ”Shqiptarët duhet të ruajnë qetësinë!”...
E pra, ne jemi “qentë roje” të stabilitetit në rajon e kjo na duket si kompliment! Të tillë na do edhe Italia: Qeveria jonë nuk guxon të heqë ligjin për skafet pa dhënë izën Italia, edhe pse ka mbi një vit që janë liberalizuar vizat, duke mbetur në një situatë ku e ku më paradoksale se ajo e kubanezëve të Kastros dhe e koreano-veriorëve, të cilët nuk e gëzojnë “statusin e vizave”, për shkak të ligjit “për shkelje të kufirit”…. e megjithatë, rolin e “qenit roje të stabilitet në rajon” nuk na e pëlqeka kush, se as kocka nuk po na hedhin më!... Në këtë përsëndyerje nuk ka si të mbetet prapa Serbia e cila, pasi siguroi statusin e vendit kandidat për në BE, para nesh d.m.th falë shqiptarëve, për shkak se Thaçi e firmosi “fusnotën”, deklaroi pas disa ditësh me gojën e Tadiçit se Serbia nuk ka për ta njohur kurrë pavarësinë e Kosovës, ndërsa me gojën e Jeremiçit se Kosova nuk ka për të qenë kurrë pjesë jo vetëm e BE-së, por as e KiE-së se “nuk është shtet”!... Në të gjitha këto raste, të cilat jo rastësisht na erdhën njëra pas tjetrës, qeveria jonë nuk shfaqi asnjë reagim, ndoshta sepse …sepse ka qenë e zënë me një problem më “madhor”, me hallin e dy partive e reja që po krijohen, e Topit dhe e Spahiut! Për të këto janë halle mbi halle, më të rëndësishme se integrimi e se dinjiteti (qoftë edhe minimal!) kombëtar! Prandaj u gjend Skënderbeu që konflikti i ciu-ciut, apo i mjau-mjaut të transferohej nga Tirana në Lezhë, nga Shkupi në Lurë, nga Athina te gjyqi i Gërdecit, nga kriza te ndërtimi i Parlamentit të ri…!
***
Përveç disa zëdhënësve e deputetëve të telekomanduar kundër armikut më të ri të partisë, Presidentit të Republikës, më së fundi doli edhe një kryetar komune prej Lure. Ky deklaroi se, edhe pse komuna e tij paskësh kërkuar që shkolla e katundit të dekorohej “Lidhja e Prizrenit”, meqë mbushi 100 vjet, sipas tij (më sak: sipas ne/ju/ata/këta…pasi edhe autoritetet e këtij rangu, në të tilla raste, kur u vihet mikrofoni e kamera para hundës, përherë do të molloisin në shumës, d.m.th në emër të popullit) autoritetet lokale të Lurës e paskan refuzuar dekorimin, meqë Presidenti Topi kish kërkuar të vijë në Lurë që…që t’u dorëzonte lumjanëve artdashës dekoratën me dorën e vet. Kryetari i komunës, zoti Korbi, si një burrë zamani i Kanun-statutit të partisë në pushtet “nuk mund të pranonte dekorime të tilla me kushte” dhe as ardhjen e Presidentit në Lurën e tij krenare, sigurisht bashkë me dekoratën! Kësisoj çështja “Luma” na erdhi si një lajm tjetër sensacional, pas asaj të Lezhës ku po ashtu u përjashtua, kësaj here me “protokoll” nga një tjetër kryetar Bashkie, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi…! Në këto dy raste (e të tjera si këto, që me siguri do të pasojnë së shpejti), shkon për bukuri thënia e moçme: Po ngrihen këmbët t’i bien kokës! Ose, me shqipen e Topallit: Ku, ku moj nan’ ç’a na ka gjet!
E gjithë kjo halabakëri zyrtarësh provincialë, të keqpërdorur nga bajraktarët e Tiranës dëshmon sa keq janë katandisur institucionet, të zgjedhurit, përfaqësuesit tanë, krerët tanë, jo vetëm në qendër po edhe tëhu, në periferi. Në shoqërinë tonë nuk ka gjë më të kollajtë se bishti të dalë më i rëndë se sqepari, që do të thotë se tek ne nuk ka hierarki vlerash dhe as autoritetesh. Nuk gjen dot një tjetër shembull të ngjashëm si ky në historinë tonë moderne, shtetërore e kombëtare, me përjashtim ndoshta të kohës së Haxhi Qamilit (të Dumbabës tonë të parë, por jo të fundit!), që deklaronte se, sa kam Shijakun me vete, nuk pyes për Evropën! Zor se gjendet një tjetër pasqyrë ku përshfaqet fytyra e vërtetë e nëpunësisë në vitin 2012, pas njëqind vjet vetmie, në këtë palo qeveri, qeverisje, parti-shtet, shtet nën pushtet, ku të gjitha janë nën një njeri, nën Berishën! E pra, teksa e quajmë veten “qytetarë evropianë”, në pritje, medemek, të statusit, - të plotësojmë apo jo të 12 pikat, - “kushti” i Lurës, “protokolli” i Lezhës, xhaferdevëzimi i rrugës “4 shkurti” dhe halabakëria e administratës dhe gjykatave i bëjnë pluhur e hi të 12 pikat-kushte që na ka vënë Brukseli, pasi mjaftojnë këto ngjarje “periferike” që ne të shfaqemi si jemi: Një shoqëri primitive, tribale, pa standardet e rregullat më elementare të një shteti serioz, pa dinjitet, pa përfaqësues që na mbrojnë, d.m.th pa din e pa iman!
Për të kuptuar sa e depersonalizuar, e shfytyruar, partiake dhe e mercenarizuar është administrata publike, le të hamendësojmë sikur Berisha të ftojë Boris Tadiçin në Lezhë apo në Lurën e largët, meqë u firmos “fusnota” për Kosovën… A do të guxonin këta nëpunës provincash, që për hir të “protokollit” apo edhe të kushtit ose ‘Njih më parë Kosovën e pavarur!’, përndryshe ne nuk do të denjojmë të presim Presidentin e Serbisë?! Sigurisht asnjë syresh nuk do të bënte një karshillëk të tillë, ashtu si ia bënë Presidentit të tyre të Shqipërisë, atij që simbolizon shtetin dhe unitetin! E pra, nga një shtet-pushtet, ku më i fundit i hierarkisë guxon t’i bëjë karshillëk, të përsëndyjë e të dëbojë kësisoj kryetarin e shtetit, a mund të presësh ndonjë gjë të mirë, si fjala vjen, bashkëjetesa mes qytetarësh, harmonia e mirëkuptimi shtet-qytetar, funksionimi normal i demokracisë, i Kuvendit, i Kushtetutës, i Drejtësisë, i diplomacisë, e për pasojë edhe respekt nga partnerët ndërkombëtarë?
Sigurisht, fytyra e një shoqërie nuk kuptohet dhe nuk mund të përshkruhet nga portretet vetjake të qytetarëve anonimë, por nga e përfaqësuesve të lartë e të zgjedhur të saj. Kështu p.sh, nëse kryeministri i Zululandit ftohet në një takim ndërkombëtar në Bruksel apo në Washington dhe aty sillet si një puthador i rëndomtë, synimi i vetëm i të cilit është si e si të dalë me çdo kusht në foto me autoritetet më të larta të botës, që pamjet e servilizmit t’i paraqesë te zulutë e tij si takime tepër të rëndësishme, atëherë automatikisht nxirret përfundimi: Kur zulutë mbajnë dhe votojnë një kryeministër të tillë kaq pa dinjitet, a mund të kenë më tepër dinjitet qytetarët e tij? Në këtë kuptim, nëse ka një gjë që na paraqet si shtet pa pikë dinjiteti, është padyshim politika jonë e jashtme, diplomacia, marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht ato reciproke me fqinjët…
E si mund të presim ne në këto rrethana, me këtë vetëleqendisje integrim në BE, kur nuk kemi pikë respekti për veten, për njërit-tjetrin, le më pastaj për shtetin amë?!... Kur të shkelin me këmbë e nuk të respektojnë fqinjët, si mund të na respektojnë kancelaritë e botës?

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›