Në kërkim të një horizonti tjetër
E kam vizituar disa herë këto katër-pesë vitet e fundit studion e Orion Shimës, e cila ndodhet në një pallat të ri pranë qendrës së qytetit. Nga dritarja e madhe mund të shihet Tirana së larti, mund të dallohen stilet e ndërtesave të epokave të ndryshme, mbijetesa e elementeve përbërëse të një qyteti që shkon shumë përtej viteve të regjimit komunist dhe tek-tuk ndonjë hapësirë e gjelbër, nga ku ngrihen pemët më të larta. Qyteti është kaq i pranishëm dhe kaq i afërt në dendësinë e tij të banuar. Më pas, vështrimi kalon në murin përballë dritares, brenda në studio. Muri është lënë i lirë nga punimi i fundit për të bërë të mundur ekspozimin njëra pas tjetrës të telajove të ndryshme, tanimë të përfunduara. Lënia e lirë e murit për të punuar është ndoshta më shumë se një veprim praktik, ashtu si edhe kthimi i krahëve dritares nga ku duket qyteti. Diçka në kërkimin e Orion Shimës ka të bëjë thellësisht dhe jo rastësisht me nevojën për të krijuar një davaritje, një shpërhapje, duke u kthyer në një drejtim tjetër nga ajo çka të rrethon, afërsia e së cilës ndihet ndoshta e tepërt. Të lirosh hapësirë, të vendosësh largësi, të drejtohesh gjetiu. Paraqitja e natyrës për Shimën ka qenë mënyra për tiu drejtuar një horizonti tjetër të mundshëm, duke rizbuluar peizazhin si temë pikture kulmore. Duke rizbuluar: sepse jo e tërë krijimtaria e artistit shqiptar, profesionalisht aktiv prej të paktën njëzet vjetësh ka qenë e përqendruar në këtë tematikë. Përveç vënies në qendër të pikturës si medium i parapëlqyer, edhe zgjidhje të tjera kanë qenë të pranishme në punën e tij, mes të cilave një përbërës realist ose neorealist, si edhe një tjetër më abstrakt, edhe pse jo në drejtim materik ose prej action painting. Kjo do të thotë që piktura e tij në një farë mënyre nuk ka qenë kurrë një gjest i pakontrolluar, përthithës i atyre që Emilio Vedova do ti kishte përcaktuar kuantet e energjisë, që shfaqen përçiktas në sipërfaqen e telajos falë një mënyre të pikturuari ku peneli kthehet në një lloj sizmografi luhatjesh të thella. Por duket se pikërisht në tematikën e peizazhit vijnë e puqen kërkimet e tij të mëparshme, duke harmonizuar një tonalitet realist që ruhet dhe nga një farë gjestualiteti informal, i cili pasuron sipërfaqen e punëve të tij të fundit. Në fund të fundit, peizazhi mund të mendohet si përshkrimi i një gjendjeje kalimtare të gjërave. Duke qenë se natyra në vetvete është gjithsesi një faktor shndërrimi i pandërprerë, ndryshimi, të qëndruarit e një kafshe përballë sfondit të një pylli ka diçka solemne dhe vagëlluese në të njëjtën kohë, si shfaqja e beftë e një dreri në pyll. Një tematikë kaq komplekse si ajo e peizazhit nënkupton shkëputje të artistit shqiptar nga tradita ose nga ndikimet e pikturës që janë tipike për vendin e tij, duke iu bashkuar në të vërtetë traditës së madhe europiane, që shkon nga romantizmi i C. D. Friedrich-ut tek Anselm Kieferi, me ndonjë jehonë edhe të pikturës së re të peizazhit të një Peter Doigu. Nuk bëhet fjalë për referime të shprehura qartë, para së gjithash nëse shihen nga një këndvështrim shqiptar, duke mbajtur parasysh nga njëra anë se cila ka qenë e shkuara e artit në një vend që për dhjetëvjeçarë të tërë ka qëndruar për anash kontekstit europian, duke humbur si pasojë lidhjet e marrëdhëniet edhe në rrafshin kulturor. Nga ana tjetër, duhet marrë parasysh se Shqipëria sot po kalon një fazë shndërrimi të thellë duke rrezikuar të paguajë një çmim të lartë kryesisht në fushën e mjedisit, për shkak të shpejtësisë me të cilën po përpiqet të fitohet koha e humbur në mënyrë që të përshtatë modelin e saj shoqëror dhe ekonomik me integrimin ndërkombëtar në rritje. Por, nëse këto përbëjnë kushtet konkrete, ato që në një farë mënyre mund të dallohen përtej dritares së studios, jashtë këtyre kushteve, duket se e kanë vendin te puna e Shimës, duke e zhvendosur zemrën e kërkimit të tij drejt një tjetër kohe dhe një tjetër hapësire: ajo gjithçka piktorike që gjenerohet mes figure dhe sfondi, mes shenje abstrakte dhe shenje përshkruese, duke rievokuar situata dhe prani që kanë të bëjnë me mospasjen vend për ëndrrën, për vizionin, për fanitjen. Kërkimi i Shimës është në evoluim të vijueshëm dhe janë të ndryshme zgjidhjet formale që propozohen. Hera-herës një skenar që paraqitet si peizazhor, duke e vëzhguar me më shumë vëmendje dallohet si i përbërë nga copëza letre: një farë kuadri/kolazh që prodhon një ambiguitet të dëshiruar mes dypërmasores dhe tripërmasores, ku ajo që në dukje shfaqet si ndërtim ose si pjesë e tij lind si zgjatim në vëllim i një ndërfutjeje letre të së njëjtës ngjyrë. Në një punë tjetër (akrilik në letër, 70×90 cm, 2010) një dre, subjekt nga bota e kafshëve që ndeshet shpesh në punën e Shimës, priret nga një çeltinë drejt një pylli të largët, që mbulon tërë horizontin e imazhit. Mirëpo aty ka një detaj të skenës që dëfton një situatë tjetër, ndonëse gjithnjë të llojit natyralist, por të ndryshme nga ajo që jepet si sfond. Imazhi rezulton kësisoj i ndërtuar, ngjashëm me disa monitorë të breznisë së fundit që të lejojnë të ndjekësh njëkohësisht dy ngjarje të ndryshme, duke dëftuar së toku dy skena të ndryshme: njëra që tregon një horizont të gjerë pylli dhe tjetra që paraqitet si një lloj shtegu i prerë në sfondin e pyllit, që dëfton një horizont të mëtejshëm, i cili hapet para kafshës në mëdyshje nëse duhet tia mbajë për andej. Këto janë shmangie nga një përshkrim në dukje natyralist i një pikture peizazhi që tregojnë se sa i kujdesshëm është kërkimi i Shimës edhe në lidhje me anën konceptuale të imazhit piktorik, nga i cili, sidomos në punimet më të fundit në letër, propozohet karakteri fragmentar duke përdorur zgjidhje teknike që të sjellin ndër mend jo vetëm kolazhin, por edhe dekolazhin, domethënë shkimjen e pjesshme të imazheve të shtresuar njëri mbi tjetrin. Kështu, një temë në dukje klasike si peizazhi rimerret në dorë falë një analize, që priret të zhbëjë elementet përbërëse të vetë imazhit.
Riccardo Caldura