Birçe Haskon e kërkojnë për regjisor
Teatri i Metropolit e fton për produksionin "Ah, veshkat e mia", të dramaturgut grek, Babis Cikliropulos
I ftuar nga Teatri i Metropolit dhe i kërkuar nga dy ish-studentë të tij, aktori do të vërë në skenë "Ah, veshkat e mia", të dramaturgut grek Babis Cikliropulos. Dhe kur themi Cikliropulos, themi edhe Kiço Londo.
Është pikërisht Londo, aktualisht drejtor i TM-së që e solli për herë të parë në skenën e shqiptare, dhjetë vjet të shkuara, me "Kopshti i dallëndysheve" dhe "Gjashtë vjet shtatzënë".
Tani është Haskoja, aktor i ekranit dhe pedagog në katedrën e artit dramatik që premton një Cikliropulos në Akademinë e Arteve, sepse, ndërkaq, skena e TM-së është e zënë me produksione private. Aty po vazhdon të shfaqet one man's show "Ej, mos i thuaj njeriu", me Arjan Çanin.
Megjithatë, kjo nuk e pengon Teatrin e Metropolit të mbështesë edhe shfaqje të tjera. Të enjten, në orën 20:00, në bashkëpunim me Akademinë e Arteve, TM-ja e sjell premierën e komedisë "Ah, veshkat e mia" në bashkëpunim me qendrën "Art&Color".
Zakonisht ndodh që një regjisor vendos se cilën pjesë do të vërë në skenë dhe më pas përzgjedh ekipin e aktorëve. Sepse regjisori është autor. Në këtë rast ka ndodhur e kundërta. I pyetur nga gazeta "për herën e tij të parë si regjisor teatri", Haskoja tha se kjo "nuk është hera e parë" dhe sqaroi se ka qenë regjisor i plot 25 veprave me aktorë studentët e tij.
Pastaj pohoi se dy ish-studentë e ftuan të vërë në skenë komedinë e Cikliropulosit. "Autorin nuk e zgjodha unë, por vetë aktorët", - thotë ai. "Nuk është hera e parë që Cikliropulos ngjitet në teatrin shqiptar, më parë e ka vënë në skenë regjisori Kiço Londo", - përfundon Hasko nga matanë telefonit.
Aktorët që kanë zgjedhur ish-pedagogun për regjisor janë Dorian Ramaliu, Devis Muka, Klodian Hoxha dhe Marsela Lena. Vepra është përkthyer në shqip nga Natasha Kseno. Ndërsa skena dhe kostumet janë realizuar nga Beqir Nanaj. "Ah, veshkat e mia" shfaqet më datat 28-31 maj në sallën "Black Box".