E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet "tutori" i akuzuar për vrasje

LIROHET


Genci Hysa i dënuar me "burg të përjetshëm" nga Apeli "triumfon" mbi akuzat e vrasjes dhe shfrytëzimit të Servete Kullës në Itali


Bashkëpunëtori i tij në shfrytëzimin e dy femrave të tjera në Itali, duhet të vuajë 15 vite burg


TIRANË- Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë liroi nga akuzat dhe nga "arresti shtëpiak" Genci Hysën të akuzuar për shfrytëzimin për prostitucion dhe vrasjen e Servete Kullës në Itali.


Ai u deklarua i pafajshëm, ndryshe nga dënimi i "burgimit të përjetshëm" për trafikimin, vrasjen dhe masakrimin e shtetases Servete Kulla në prill të 2002 në Chiavari - Lavanja të Xhenovës në Itali, dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.


Vendimi erdhi pas rekursit të avokatit të Genci Hysës dhe ish-bashkëpunëtorit të tij, Kujtim Xhaferi (Dani).


Xhaferrit nga dënimi me 20 vite burg, Gjykata Lartë ia uli në 15 vjet heqje lirie. Vendimi i pushimit të akuzave dhe deklarimit të pafajësisë ndaj Hysës, sipas argumentimit të Kolegjit Penal, është se "ai është gjykuar njëherë për këtë vepër penale në Itali dhe nuk mund të gjykohet sërish".


Por, sipas vendimit të Gjykatës së Kiavarit (Chiavarit) të Italisë, të botuar në revistën "Tribunën Juridike" me nr. 71 (2) të vitit 2008, Hysa është hetuar dhe gjykuar për veprën penale të "shtytjes për shfrytëzim prostitucioni", ku është deklaruar i pafajshëm.


Ndërsa, nga dy Shkallët e Gjyqësorit pranë Krimeve të Rënda në Shqipëri gjykimi ndaj tij është bërë për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të femrave për prostitucion" me pasojë vdekjen e Servete Kullës.


Ky argumentim i vendimit të Kolegjit Penal, sipas zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme, është i pabazuar në ligj dhe në Konventën Evropiane, duke ngritur dyshime për një vendim abuziv me pasoja të rënda për precedentë të tjerë. "Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ndaj të akuzuarit Hysa është në kundërshtim me të gjitha parimet e së drejtës Kushtetuese, Konventës Evropiane dhe Kodit të Procedurës Penale.


Pasi Hysa është hetuar dhe gjykuar në Itali për një vepër penale tjetër dhe jo për veprën penale për të cilën është dënuar fillimisht në nëntor 2005 nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me "burgim të përjetshëm" dhe në dhjetor të 2005 nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me 23 vjet burg,- thonë zyrtarë të akuzës.


Në këtë përfundim, ka arritur edhe gjyqtari Gurali Brahimllari, i cili në revistën "Tribuna Juridike" me nr. 71 (2), faqe 80-96 të vitit 2008, ku jep argumentet dhe bazat ligjore të kundërshtimit të vendimit të Gjykatës së Lartë të datës 6 qershor 2007, që prishi vendimet e dy shkallëve të gjyqësorit dhe rikthimin e çështjen për gjykim në Apelin e Krimeve të Rënda. Në të lihej detyrë administrimi i vendimit të Gjykatës së Kiavarit (Chiavarit) të Italisë, i datës 24 shkurt 2005.


Gjithashtu, përkundër këtij vendimi, ka qenë edhe vetë i akuzuari Hysa që para Gjykatës ka pranuar se është martuar me Servete Kullën në vitin 2000 në Shqipëri, dhe për një jetë më të mirë ka ikur në Itali.

Ai ka pranuar se e ka nxjerrë në rrugë për të punuar "bashkëshorten" deri në momentin që ajo është gjetur e vrarë dhe e copëtuar në një kazan plehrash më 25 prill 2002 në Kiavari të Xhenovës. Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Itali, Hysa është akuzuar vetëm për "shtyrje dhe shfrytëzim prostitucioni" dhe jo për vrasjen e Kullës, ndërsa asnjë nga dëshmitarët e ndodhur në vendngjarje nuk kanë pranuar të dëshmojë.


Gjatë fazës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pesëshja gjykuese e shoqëruar nga avokati mbrojtës i të dy të pandehurve në atë kohë, Hysa e Xhaferi, kanë pyetur në Gjykatën e Xhenovës 24 dëshmitarë, mes tyre "klientë" të viktimës dhe "prostituta" që punonin në të njëjtin vend.


Ndër të tjera, mësohet nga dëshmitë se "Genc Hysa ishte burri i Servete Kullës dhe e nxirrte në rrugë të punonte, ndërsa, e ruante gjatë punës i pandehuri Kujtim Xhaferi (Dani) bashkë me dy ish-të pandehura motrat Teuta e Mirjeta. L. Për shfrytëzimin e tyre Xhaferri është dënuar me 15 vjet nga Gjykata e Lartë.


TIRANË- Sipas vendimeve të gjykatave, Genci Hysa në vitin 2000 është njohur me 19- vjeçaren Servete Kulla, dhe më pas është fejuar me të. Pas pak muaj fejesë, ata kanë emigruar në Itali. Pas disa muajve, viktima është detyruar, të "prostituojë" në rrugë në mbikëqyrje të kushëririt të "burrit" Kujtim Xhaferri (Dani). Ai shfrytëzonte edhe dy motrat Teuta e Mirejat Lika dhe dy vajza nga Moldavia.


Pas disa kohëve punë të detyruar, vajza është njohur me një nga klientët e saj me profesion avokat, i cili i kishte kërkuar martesë. "Tutorët" e saj, pasi kishin marrë vesh këtë propozim drejtuar 21- vjeçares Kulla nga njëra prej motrave Lika që përdorej edhe si mbikëqyrëse e vajzave në trotuar, ata kanë kërkuar ta takonin.


Sipas akuzës, pasi e kishin takuar në një nga rrugicat e lagjeve Lavanja të qytetit Kiavari (Chiavari) të Xhenovës, e kanë vrarë dhe copëtuar trupin, duke ia hedhur në një kazan plehrash. Ky krim mendohet se është bërë nga të pandehurit për t'i futur frikën vajzave tjera që punonin për ta. Më datë 25 prill 2002, rreth orës 3 të mëngjesit, trupi saj është gjetur i masakruar në kazanin e plehrave, që është identifikuar si Servete Kulla.


TIRANË- Vetë shtetasi Genc Hysa, tashmë i liruar nga Gjykata, gjatë fazës së gjykimit ndaj tij, ka pranuar se e ka shoqëruar në Itali viktimën Servete Kulla dhe e ka shfrytëzuar si "prostitutë", por ka refuzuar në mënyrë kategorike se e ka vrarë ai. "Servetja më kërkoi ta dërgoj në Itali, unë e kam shoqëruar, por nuk e kam mbytur.


Unë e kam shfrytëzuar të prostituojë në Itali por nuk pranoj se e kam mbytur. Në atë kohë, unë jam interesuar të gjendet vrasësi i saj, por, ju nuk më latë, duke më arrestuar"-mësohet se ka thënë Genc Hysa gjatë gjykimit të parë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ku u dënua me "burgim të përjetshëm".

VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË


Prishjen e vendimit me nr. 56 datë 14.12.2005 dhe deklarimin e pafajshëm të shtetasit Genc Hysa për veprën penale të "Trafikimit të femrave për prostitucion" me pasojë vdekjen e shtetases Servete Kulla më 25 prill 2002, vendim ky i bazuar në nenin 54 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sipas të cilës një person nuk mund të bëhet objekt gjykimi dy herë për të njëjtin fakt kriminal.


Prishjen e vendimit me nr. 56 datë 14.12.2005 dhe deklarimin fajtor të shtetasit Kujtim Xhaferi (Dani) për veprën penale të "Trafikimit të femrave për prostitucion" me pasojë vdekjen e shtetases Servete Kulla më 25 prill 2002,


Deklarimin fajtor të të pandehurit Kujtim Xhaferi (Dani) për veprën penale të "Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese" ndaj dy motrave Teuta e Mirjeta Lika dhe dy shtetasve Moldave, Barman Lucida dhe Ulici Rodila dhe dënimin e tij me 15 vjet burg

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›