E Diel, 1 Nëntor 2026

Birësimet, 20 mijë lekë për t'u bërë me fëmijë, të huajt 700 euro

TIRANE - Tashmë, të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj të cilët dëshirojnë të birësojnë një fëmijë pranë Komitetit Shqiptar të Birësimeve duhet të paguajnë. Përmes një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave janë përcaktuar edhe tarifat përkatëse sipas rastit të birësimit. Kështu, një shtetas shqiptar duhet të paguajë shumën prej 20 mijë lekësh, ndërkohë që për birësimin me pëlqim është përcaktuar tarifa prej 10 mijë lekësh. Sa u takon birësimeve nga shtetasit e huaj, janë përcaktuar tarifa të ndryshme nga shtetasit shqiptarë, ndërsa dallime ka edhe për faktin nëse birësuesi apo familja birësuese vjen nga vende të Bashkimit Evropian apo jo. Për një shtetas që vjen nga BE, tarifa e përcaktuar do të jetë 700 euro, ndërsa për shtetasit që vijnë nga jashtë shteteve të BE-së shërbimi do të kushtojë 1000 dollarë. Sipas udhëzimit të dy ministrive, këto tarifa do të paguhen vetëm në momentin që të interesuarve u është miratuar kërkesa për birësim.
Procedurat
Sa u takon proceduarve të përcaktuara në ligjin "Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve", ato nuk kanë pësuar ndryshim. Fillimisht çifti duhet t'i drejtohet me një kërkesë Komitetit Shqiptar të Birësimeve ku parashtron arsyet konkrete që e shtyjnë për të birësuar një fëmijë. Pasi njihet dhe me dokumentacionin e nevojshëm, prindi apo prindërit birësues janë të detyruar të ndjekin procedurat e këshillimit apo procedurat e investigimit që bëjnë specialistët e këtij komiteti lidhur me evidentimin e mundësive që ka ky çift apo ky person për të birësuar fëmijë. Procedura e aplikimit, që në momentin që paraqitet dokumentacioni deri në momentin që merret pjesë në seancat këshillimore, sipas përfaqësuesve të këtij institucioni shkon 3 muaj. Më pas personi vendoset në listën e pritjes deri sa t'i propozohet një fëmijë. Sa i takon kësaj faze, nuk ka një përcaktim të kohëzgjatjes, sepse mund të jetë një periudhë që mund të mos ketë fëmijë të braktisur dhe kjo i detyron prindërit të presin deri sa të ketë një fëmijë.
Dokumentacioni
Dokumentet që çifti paraqet në Komitetin Shqiptar të Birësimeve për të bërë kërkesën e birësimit janë: certifikatë personale, certifikatë martese, dokument mjekësor që tregon që ai është i aftë për të birësuar fëmijë por nga ana tjetër që nuk ka kaluar sëmundje të rënda që mund të krijojnë probleme në mjedisin e edukimit të një fëmije, analizat e AIDS-it dhe Hepatitit B. Gjithashtu, paraqiten të dhëna lidhur me aftësitë ekonomike për të mbajtur familje, por edhe për të rritur dhe edukuar fëmijën. Kjo do të thotë që personi duhet të jetë në marrëdhënie pune, të paguajë sigurimet shoqërore, si dhe një dokument që konfirmon faktin që ky person disponon një pronë, standardeve dhe kushteve për të garantuar një rritje dhe edukim. Po ashtu duhen dokumente që tregojnë të ardhurat që mund të ketë ai nga qiratë apo aktivitete të ndryshme. Gjithashtu paraqitet dëshmia e penalitetit, një deklaratë noteriale ku ai mban përgjegjësi mbi deklarimet që bën, ku tregon arsimin që ka pasur, mundësitë që ai ka, vendin e punës ku punon, të ardhurat që disponon, sjelljen e tij. Së fundmi duhet edhe një dokument nga lagjja, nga komuna apo bashkia ku ai, ajo, apo çifti banon, ku paraqitet fakti që këta janë persona që disponojnë një vlerësim të lartë moral dhe nuk krijojnë probleme apo shqetësime për shoqërinë ku ata jetojnë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›