E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedë imagjinare me Geddafin

TIRANE - Si e kam Enver Hoxhën?” – pyeti mikpritësi, duke i bërë fresk vetes me një vrarëse mizash, nën tendën e vendosur në mes të shkretëtirës dhe i ulur në një karrige plastike nga më të lirat. Enver Hoxha ka vdekur, shkëlqesi”, – iu përgjigj djali i shtrënguar në kostum firmato, me qëndrimin e rishtarëve që sapo kanë rënë në para dhe nuk është mësuar të rrijë natyrshëm nën rrobën e shtrenjtë.
“Jo mor jo, nuk ka vdekur ai burrë, por është gjallë. M’i bëj të fala kur të kthehesh e ta takosh”, – vazhdoi bisedën e tij burri që kishte më se dyzet vjet që qeveriste, dhe dukej se gjatë gjithë kohës ishte nën veprimin e drogave, apo stimulantëve që gjëndrat hormonale të njerëzve të çekuilibruar prodhojnë me shumicë. Me flokë dhe mjekër të lyera me këna, në traditën e pashallarëve otomanë që dikur kishin qeverisur vendin e tij; me fodullëkun dhe vetësigurinë që të jep ndenjtja e gjatë në pushtet; me zvetënimin dhe dëshpërimin që të skalitet në fytyrë nga jeta e shthurur, shikonte djalin e ri që i rinte përpara, i cili ishte një nga shumë “parvenytë” që të ngjashmit e tij nëpër botë, katapultojnë në karrige ministrash, me qëllimin për të sunduar sa më gjatë e me rehat. Kishte bërë e kishte zhbërë edhe ai vetë shumë të këtij lloji, si ministra në qeverinë e tij. Kuptonte nga sytë që rioshi lëvizte me shpejtësinë e riqebullit sa majtas djathtas, se largësia nga padroni, e ngacmonte se mos mbyllte edhe ndonjë pazar për vete, ndaj me sytë gjysmë të mbyllur, priste se ku do dilte.
“Shkëlqesia e juaj! Ne dëshirojmë që të zhvillojmë edhe tregtinë e hidrokarbureve me vendin tuaj, për t’iu shmangur në këtë mënyrë varësisë nga vendet që bëhen ndërmjetës që ky produkt të vijë nga prodhuesi, tek ne. Për këtë arsye, ka ardhur edhe një biznesmeni ynë disa ditë përpara, për të mundësuar vendosjen e kontakteve direkte. Pavarësisht se nuk ka eksperiencë në këtë fushë, ka instinktet pasi ka një supermarket që tregton produkte të gatshme për montim”, – vazhdoi bisedën e bllokuar në ngërç ministri mysafir, jo vetëm për t’iu shmangur aluzioneve shushatëse të mikpritësit, por edhe për të dalë aty ku i interesonte.
“He...he...spurdhjaku” – mendoi me vete “udhëheqësi i madh”, duke vazhduar të tundte vrarësen e mizave – “e nxori kokën ku e ka hallin”. “Pa të engledisemi pak, që t’ia vlejë edhe kjo bezdi në mes të vapës”. “Nuk ka problem”, – vazhdoi me zë, – veçse dua të shtroj një syfyr për gjithë myslimanët e Europës, por meqë nuk ma pranuan në Itali, them ta bëj tek ju”.
“Besoj, është gjë që bëhet. Fundja edhe ne jemi vend mysliman dhe jemi vëllezër. Por duhet ta bisedoj me kryeministrin” – ju përgjigj mysafiri me një buzëqeshje prej kukulle plastike kineze, karakteristike për të. Por ndërkohë, i feksi nëpër mënd, se plaku që kishte përpara, po tallej. As i dha naftë, dhe as i afroi njohje për vendin ku dikur kishte punuar si fotokopjues në zyrat e administratës ndërkombëtare, dhe sapo ishte shpallur shtet, e për të cilin sa për sy e faqe, përpiqej ti siguronte njohje nëpër botë.
Se kush është ministri, provoni intuitën ta gjeni, por beduini i shkretëtirës ishte Geddafi.
Sot, njeriu që dikur në moshën 26 vjeçe, me grusht shteti përmbysi mbretin Idriz; eksperimentoi socializmin arab të cilin e konsakroi me përçartjet e tij të bëra në vapën e shkretëtirës në librin jeshil; provoi të bënte fuqinë neokoloniale në Çad, nga francezët e zbythën pa shumë ceremoni; pastaj me fodullëkun e pasanikëve të rinj, i la paratë në armatime që si vlejtën një pare ndaj sulmeve amerikane mbi vilën e tij, përkundrazi i futën alergjinë që të flejë në banesa të bëra nga mure me tulla; provoi të bëhej fuqi bërthamore, por i dorëzoi deri tek vida e fundit pajisjet e reaktorit mbas sulmit amerikan në Irak, nga frika se ja sëllonin me raketa nga kryqëzorët me flamurin me yje e shirita të dislokuar në Mesdhe; pasi i pagoi me vite sanksionesh dhe sa frëngu pulën çdo pasagjer të PanAm-it që hodhi në erë në qiejt e Skocisë; koloneli, po bën provën e fundit të aktit të forcës, me atë që është gjithmonë më i dobëti dhe vulnerabli: popullin e tij.
Lëshon deklarata sikur ka nën urdhra ushtrinë më të fortë në botë, megjithëse nuk komandon vetëm se disa qindra mercenarë të paguar nën tingëllimën e floririt dhe që nuk përballojnë dot asnjë batalion nga të marinsave që presin me gishtin në këmbëz në bazat amerikanë në Kretë; kërkon të mallëngjejë dhe shesë imazhin e tij si modernizuesi i vendit, ndërsa përpiqet si një hajdut ordiner të negociojë shpëtimin e parave; reklamon veten si diga e fundit që mban Al Kaedën mos të vërshojë në Europë, duke kërkuar të afrojë si garanci pushtetin, pikërisht ai që ju merrte taksë europianëve për çdo anije me klandestinë që nuk lejonte të zbarkonte në Europë. Krahas kësaj, rropatet të pushtojë vijën bregdetare, zona më e urbanizuar dhe industrializuar e vendit, me shpresën që më vonë t’i lajë hesapet me kundërshtarët në qetësinë e shkretëtirës dhe larg syve të botës.
Ndërkohë perëndimi, është i ndarë midis dilemës anglo-amerikane për ndërhyrje në emër të vlerave humane, ku një personazh dukshëm i çekuilibruar po masakron njerëz të pa fajshëm; frikës se mos një revoltë e stërzgjatur, dhe rezistencë e Geddafit, rrit influencën e ekstremizmit islam si e vetmja forcë e organizuar tek rebelët; dhe ndrojës së paragjykimit si një luftë për naftën dhe shndërrimit të misionit humanitar, në një dune thithëse siç mund të rezultojë lufta në shkretëtirë. Në krahun tjetër, janë ish fuqitë koloniale europiane që bëjnë secila llogaritë e veta, dhe një Itali që i frikësohet një tsunami emigrator në brigjet e saj, të cilin gjasat janë ta përballojë e vetme, pasi aleatët e BE-së, i kanë dhënë deri më tani vetëm 25 milion euro, aq sa dy radarë modernë, për luftën ndaj kësaj plage të vjetër për brigjet jugore të Apenineve, ku ishulli i Lampeduzës, nuk është më perla turistike, por një kamp i stërmadh emigrantësh afrikanë që presin të shpërndahen në BE, por më shumë mbesin në Itali. Të gjitha këto janë dilemat që i mbajnë dorën Perëndimit mos godasë.
Bota gëlon nga të ngjashmit e mostrës libike. Janë personazhe që ushtrojnë pushtetin për nevojat personale dhe interesa nepotike, pa pasur aspak qëllim të mirën e shoqërisë, por vetëm të familjes së tyre. Çdo zhvillim që natyrshëm bie evolucioni, ia atribuojnë pushtetit të tyre. Njerëzit përpiqen t’i japin kuptim çmendurisë, dhe përdorimin e shtetit si bandë klanore, ta perceptojnë në bazë të së drejtës romake dhe teorive mbi shtetin. Por është e kotë, pasi gjithçka, sivëllezërit e krijesës libiane, e kanë të ndërtuar për vete. Nëse diçka shëmbëllen normale, është vetëm rastësi. Ndërkohë, mëdyshja perëndimore për të përdorur forcën që të përmirësojë botën, apo ti lerë fatkeqët të qeverisen nga një lunatik si Geddafi, apo versione të tij, është dilemë që do zgjasë edhe për shumë nga vitet që po vijnë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›