E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bisedime sekrete, Prishtinë-Beograd”

Opozita kosovare akuzon qeverinë: Po negociohet larg opinionit

Në Kosovë ka ditë që flitet për nisjen e negociatave sekrete mes Beogradit dhe Prishtinës. Këtë tezë dje e ka nxjerrë në publik vetë opozita, e cila e ka akuzuar qeverinë se po punon në fshehtësi. Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (parti që drejtohet nga Ramush Haradinaj), Ardian Gjini, deklaroi se “qeveria e Kosovës është duke zhvilluar biseda sekrete me Serbinë dhe kjo po bëhet larg opinionit”. Gjini ka refuzuar në vazhdimësi që të afrojë detaje të tjera në lidhje me pohimet e tij për zhvillimin e të ashtuquajturave biseda sekrete. “Ju themi që kemi informacion shumë të besueshëm, që e pohon dhe konfirmon tani me zhvillimin e bisedave sekrete mes zyrtarëve të lartë të qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë”, ka pohuar Gjini. Sipas tij, AAK i di emrat e personave që janë të përfshirë në bisedime dhe vendtakimin e bisedave. “I kemi të gjitha të dhënat dhe i kemi të gjitha të qarta. Tani u takon vetëm mediave që ta pyesin qeverinë në lidhje me këto biseda. Nëse ata refuzojnë të përgjigjen, ose mohojnë biseda të tilla, atëherë ne do të dalim me informacione shtesë dhe më konkrete”, ka shtuar me më shumë forcë nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Sipas tij, “nuk ka rëndësi, së paku jo tani, që të dihet a janë bisedime teknike apo politike. Ajo që tani ka rëndësi është që qeveria e Kosovës është duke biseduar me qeverinë e Serbisë dhe kjo, larg syrit të opinionit dhe pa dijeninë e opinionit”. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së ka paralajmëruar një konferencë tjetër gjatë kësaj jave, ku siç ka thënë ai, do të shpalosen faktet e bisedave në mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat sipas tij janë duke u zhvilluar në mënyrë të fshehtë. “Ne do të thërrasim edhe një konferencë tjetër të radhës gjatë këtyre ditëve, ku do të bëjmë shpalosjen e të dhënave të tjera në lidhje me pohimin e ngritur se bisedat mes Kosovës dhe Serbisë tanimë po zhvillohen”, ka pohuar Gjini. Ai zhvillimin e bisedave sekrete e ka quajtur rrezik të madh për proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi. “As para lufte dhe as pas lufte nuk ka pasur biseda sekrete. Në këto periudha ka pasur axhendë të qartë të bisedimeve dhe është kuptuar natyra e atyre bisedave, formati i përfaqësimit dhe rezultatet eventuale. Ndërkaq, tani pas shpalljes së pavarësisë, kemi ardhur deri te bisedat sekrete dhe kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë”, është shprehur Gjini. Sipas tij, përgjigjja për këto biseda duhet kërkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, si dhe në Kryeministri.

Ischinger

Duke folur për bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger, paralajmëron në një intervistë për BBC-në se pa një zgjidhje politike midis Beogradit dhe Prishtinës, dyert e BE-së do të mbeten të mbyllura për Serbinë dhe Kosovën. Ambasadori Ischinger tha se Beogradi e ka të qartë se nuk do të ketë anëtarësim në BE pa zgjidhjen e plotë të problemeve me Kosovën. Në një bisedë me BBC në shqip ai tha se zgjidhja e çështjeve praktike mes të dyja vendeve, pa hapur negociatat për statusin, do të duhej të gjendej pavarësisht përcaktimeve statusore të palëve. Ambasadori Ischinger ka kundërshtuar idetë për ndarje të Kosovës, por ka thënë se zgjidhjet praktike për veriun e Kosovës do të mund të gjendeshin duke u mundësuar qytetarëve të kësaj pjese mbajtjen e lidhjeve politike, kulturore e fetare me Serbinë, por duke qenë zyrtarisht pjesë e Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›