E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedime të fshehta me Greqinë për Detin

Burime pranë Ministrisë së Jashtme greke, të cituara nga Top Channel, thanë se aktivizimi i marrëveshjes së vitit 2009, tashmë është në fazën finale dhe më shumë gjasa pritet të publikohet brenda një afati një ose dymujor. 

Për këtë është dashur ndërhyrja e Andonis Samaras, i cili e ka diskutuar kete vete me zotin Berisha gjate takimeve ose bisedave te shpeshta telefonike te kohëve të fundit midis tyre. Berisha i ka premtuar homologut te tij grek  se do ta përfundojë marrëveshjen ne një afat të afërt, me gjithë presionin tepër të madh, që sipas tij i është ushtruar mazhorancës qeverisëse në Shqipëri, prej forcave ekstremiste, siç konsiderohet Aleanca Kuq e Zi dhe një pjesë e Partisë Socialiste.

Synimi është përfundimi dhe votimi i marrëveshjes përpara festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë dhe reagimeve të mundshme të opinionit shqiptar. Sipas të njëjtave burime, ndonëse e ndryshuar ne pak terma, marrëveshja nuk prek thelbin e paktit të mëparshëm, qe siç dihet, u rrezua prej Gjykatës Kushtetuese. Greqia pritet te "lëshojë pe" ne përcaktimin e gjireve detare, përllogaritja e të cilave ishte në disfavor të palës shqiptare.

Top Channel ka mësuar se rinegocimi është bërë në nivel tepër të lartë në Ministritë e Jashtme përkatëse, por jo me praninë e ekspertëve të mirëfilltë të fushës, çka lë të dyshohet se përsëri kjo marrëveshje është ne disfavor të palës shqiptare. Për arsye qe ende nuk dihen, pala shqiptare ka lënë jashtë negociatave stafin e ambasadës sonë në Athine, për kundër Greqisë, ambasada e cilës që prej një viti ka ushtruar presion në radhët e politikës shqiptare.

Burimet thonë se 'marrëveshja e detit numër dy', do të ndryshohet në interpretimin e disa termave, ndërsa në hartën në terren, nuk preken të dhëna thelbësore të saj, duke i lënë serish Greqisë një sipërfaqe diçka më shumë se 200-250 kilometra katrorë në veri të ishujve Othons, pikërisht në zonën përballë Himarës e deri në afërsi me Karaburunin.

Kjo zone konsiderohet si tepër e rëndësishme në marrëveshjen e re, pasi aprovimi i saj në këto koordinata, i jep Greqisë përparësi në nxjerrjen e hidrokarbureve pikërisht në atë zonë, që sipas ekspertëve, ndodhen të fshehura sasi të mëdha nafte dhe gazi.

Rezervat në fjalë vlerësohen si lehtësisht të përpunueshme, por jo vetëm kaq. Me këtë ujdi, Athina zyrtare bëhet palë e trete në ndarjen e detit me Italinë dhe i lejon asaj të ri negocioje me Romën zyrtare, rindarjen e kufirit të saj detar edhe pse dy vendet kanë ndarë kufijtë që në vitin 1976. Ujdia shihet si tepër e rëndësishme edhe për faktin se Greqisë i duhet një e tille, në kuadër të përcaktimit të zonës se saj ekskluzive ekonomike me vendet që e kufizojnë atë, siç janë Egjipti, Turqia, Libia, Izraeli dhe pa dyshim në negociatat e saj me armikun e madh të saj, Turqinë. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, nuk ka qenë pasive as administrata amerikane, eksponentë të lartë të së cilës, kanë këshilluar Greqinë të mos vijojë në përcaktimin e kufijve detarë, pa negociuar më parë me fqinjët. /Start/

                                                                                             2012-07-31 15:46
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›